Ndërlidhjet

Ambasadorët kërkojnë normalizim të gjendjes politike


Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, gjatë një takimi me ambasadorin norvegjez në Kosovë, Jan Braathu

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, gjatë një takimi me ambasadorin norvegjez në Kosovë, Jan Braathu

Gjetja e një zgjidhjeje për dalje nga kriza politike, ka mobilizuar ambasadat e huaja në Kosovë, për t’i ndihmuar institucionet e Kosovës për gjetjen e një zgjidhjeje.

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, gjatë ditës së enjte ka takuar ambasadorin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Prishtinë, Greg Delawie, atë të Mbretërisë së Bashkuar, Ruari O’Connell, dhe ambasadorin norvegjez, Jan Braathu.

Pas takimit,ambasadori O’Connell tha se është biseduar për gjendjen e tanishme politike në të cilën është Kosova, por edhe për çështjen e zgjidhjes së presidentit të ri të Kosovës. Ai tha se Kosova dhe klasa politike është përgjegjëse për situatën e krijuar.

"[Respektimi i ligjeve]është shumë më rëndësi për perspektivën evropiane. Kërkesa për zgjedhje të reja duhet të trajtohet nga kosovarët, e jo nga ne. Unë po pres që të shohse çka do të ndodhë.”

“Kosova është përgjegjëse për zhvillimet në Kosovë. Votuesit e Kosovës, me votat e tyre, kanë pushtet për të zgjedhur përfaqësuesit e tyre dhe kjo do të thotë se ata janë përgjegjës edhe për të treguar se a pajtohen ose jo me vendimet që merren. Nëse pajtohen, do të ishte mirë, nëse nuk pajtohen mund të votojnë ndryshe”, ka thënë O’Connell.

Kurse ambasadori i Norvegjisë në Kosovë, Jan Braathu bëri thirrje për kthimin e normalitetit në Kuvend.

Ai tha se institucionet e Kosovës duhet të punojnë, duke bashkëpunuar me njëra tjetrën dhe duke u mbështetur në ligje dhe në respektimin e tyre.

"Shpresojmë që të gjitha partitë politike të pozitës e opozitë ta respektojnë Kushtetutën e Republikës së Kosovës, dhe ligjet e Kosovës, e po ashtu të angazhohen në mënyrë konstruktive për të punuar me njëra tjetrën, në formë dialogu e bashkëbisedimi.”

“Kjo është mënyra se si funksionojnë parlamentet në gjithë Evropën dhe kjo është mënyra se si mendojmë ne se do të funksionojë edhe këtu. Është e nevojshme që [liderët e partive politike ] të flasin me njëra tjetrën, në mënyrë që të gjejnë zgjidhje. [Ne] jemi kundër dhunës dhe përdorimit të saj", tha ambasadori norvegjez.

Në një komunikatë për medie, të lëshuar nga Kuvendi i Kosovës, thuhet se "ambasadorët në takim më kryetarin e Kuvendit kanë theksuar domosdoshmërinë që të hiqet dorë nga përpjekjet që përmes dhunës të diktohen vendimet politike, duke përfshirë këtu edhe zgjedhjet, sepse kjo bie në kundërshtim me parimet demokratike".

Në komunikatë theksohet se kryetari Veseli, nga ana e tij, po angazhohet që fryma e dialogut dhe e komunikimit të dominojë mbi të gjitha tendencat destruktive politike.

"Në takime u bisedua edhe rreth procesit të zgjidhjes së presidentit të ri të Republikës së Kosovës. Ambasadorët kërkuan që ky proces të jetë në përputhje me Kushtetutën dhe ligjet e Kosovës, ndërsa Kryetari Veseli theksoi se procesi i zgjidhjes së Presidentit të Kosovës do të jetë plotësisht kushtetues, demokratik e transparent", thuhet, mes tjerash, në komunikatë.

Përfaqësuesit e ambasadave më me ndikim në Kosovë disa herë u kanë bërë thirrje partive politike, si atyre në pushtet, po ashtu edhe atyre të opozitës, që të gjejnë një zgjidhje përmes dialogut, dhe në këtë mënyrë t’i evitojnë zgjedhjet e parakohshme.

Tri partitë opozitare në Kosovë, Lëvizja Vetëvendosje, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës dhe Nisma për Kosovën, kanë paralajmëruar protestën e radhës më 17 shkurt 2016, në përvjetorin e 8 të pavarësisë së Kosovës.

Protestat e opozitës kanë nisur muaj më parë, në kundërshtim të marrëveshjes ndërmjet Kosovë​s dhe Serbisë​ në​ Bruksel, të arritur më 25 gusht, për krijimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe, si dhe shënjimit të vijës kufitare me Malin e Zi.

  • 16x9 Image

    Arton Konushevci

    Arton Konushevci merret me gazetari që nga viti 2001. Në vitin 2007 ka filluar të punojë si korrespondent i Radios Evropa e Lirë. Jeton në Prishtinë, është i martuar dhe ka dy fëmijë.

XS
SM
MD
LG