Ndërlidhjet

Atraksioni “shisha”, i rrezikshëm për fëmijë


Ilustrim

Ilustrim

Në Kosovë, organizatat joqeveritare që merren me trajtimin e përdoruesve të substancave narkotike, vlerësojnë se vitin e fundit vërehet një ngritje e lehtë e të rinjve që konsumojnë këto substanca.

Ata thonë se mosha mesatare e atyre që fillojnë për herë të parë të abuzojnë me narkotikë, është kryesisht e re, rreth 16 vjeç, si në zonat urbane po ashtu edhe në ato rurale.

Por, mosha 11-vjeçare ka filluar të konsumojë shisha.

Shisha është një term që përdoret gjithkund në botë, duke iu referuar tymosjes së aromave të ndryshme pa nikotinë apo edhe me të. Kjo dukuri është bërë trend te fëmijët, të cilët në ahengje të ndryshme e konsumojnë atë.

Njëri nga ta është Rroni, 11-vjeçar, i cili për Radion Evropa e Lirë tregonpër moshatarët e tij se si është bërë hit thithja e shishas.

“Unë jam 11-vjeçar dhe jam në klasën e gjashtë. Disa moshatarë të mibëjnë party (ahengje), disa jo. Disa e organizojnë nëpër shtëpi, disa në lokale. Dhe pastaj pinë shisha. Nuk e di a janë me leje të prindërve a jo. Unë njoh fëmijë që me 11 vjet pinë shisha, por edhe më të mëdhenj. Unë mendoj se duhet me qenë 18-vjeçar për me pi shisha”.

“Shisha ka me shije të ndryshme. Janë disa vende të caktuara që i blejnë dhe pastaj disa vende ku pihet. Zakonisht kur po mblidhemi me shoqëri, po shkojmë në disa vende të caktuara ku pihet shisha. Edhe cigare pinë, por më rrallë, nuk ka shumë. Në klasën time nuk pinë cigare”, rrëfen Rroni.

Ndryshe, në Prishtinë janë disa dyqane që ofrojnë blerjen e shishas dhe produkte që duhen për të.

Miradie Morina, shitëse, thotë se ndonëse nuk u lejohet shitja e atyre produkteve nën 18 vjet, mosha që më së shumti kërkon shisha dhe aroma për to, janë të rinjtë prej 12 vjeç e përpjetë.

“Moshat që kërkojnë, janë prej 12 vjeç. Kërkojnë të blejnë cigare puro me shije, shije për shisha. Nuk shkruan se për cilën moshë mund të përdoret. Por, edhe kur vijnë fëmijët e moshës 12 vjeç, thonë që i blejnë për dikë tjetër, si për vëllanë më të madh apo motrën. Por, ne ua shesim, pasi që nuk shkruan se prej cilës moshë mund të shitet”, thotë Miradija.

Shisha

Shisha

Ndërkaq, edhe një tjetër nxënëse, Lisa, 14 vjeçe, tregon për moshatarët e saj, se sa konsumojnë shisha, e edhe duhan.

“Në klasën time jo, brenda objektit shkollor jo, por kur dalin jashtë pinë, edhe cigare edhe shisha. Kur kemi shkuar në ekskursion me kursin, kanë marrë shisha me vete edhe çdo mbrëmje kanë pi. Për shisha nuk e dinë arsimtarët, e për duhan për disa nxënës e dinë që konsumojnë”, tregon Lisa.

Por, sa janë të dëmshme dhe sa prej këtyre aromave që i thithin në formë tymi fëmijët, mund të kalojnë në diçka tjetër, si të ndezin duhan apo marihuanë brenda saj, na flet Safet Blakaj, drejtues i Qendrës Mediko-Psikoterapeutike “Labirint”, në Prishtinë.

“Fenomeni i përdorimit të shishave është një fenomen që kohëve të fundit po vërehet që ka një rritje. Shqetësuese është për faktin se fëmijët po e përdorin. Kjo po paraqet atraksion për ta. Sigurisht që kjo paraqet problem, sepse nëse provojnë brenda saj, përpos shijeve që ofron ajo edhe duhan, apo cigare mente, atëherë është e dëmshme".

"Ne nuk e dimë saktë dhe jemi në përcjellje të këtij fenomeni, nëse përmes shishes po përdoret edhe marihuanë. Ne nuk kemi mundur të sigurohemi nëse marihuana po përdoret në këto shisha”, thotë Blakaj.

Përderisa abuzimi me heroinën, si një prej narkotikëve më të dëmshëm, sipas ekspertëve që merren me personat që abuzojnë narkotikë, ka shënuar rënie në Kosovë, megjithatë, siç thonë ata, tashmë në vend janë duke u keqpërdorur drogat e reja të dizajnuara, të ashtuquajturat “legal high” apo “lartësia legale”.

Defektologu Safet Blakaj shpjegon se drogat e reja të dizajnuara janë kombinim i substancave të ndryshme kimike që përdoren në industri, si dhe për mirëmbajtje sanitare.

Një prej tyre, thotë Blakaj, e cila është e pranishme tash e disa vjet në qarkullim dhe ka përhapje të shpejtë, është substanca GHB, që është akronim i formulës kimike Gama Hidro Glabulin.

Ai shton se përveç substancave të ashtuquajtura GHB, në dy vitet e fundit abuzuesit e narkotikëve përdorin edhe substancat narkotike si amfetamina dhe metamfetamina, e njohur si “speed” apo “shpejtësia”, e cila sipas tij është jashtëzakonisht e rrezikshme.

  • 16x9 Image

    Ariana Kasapolli - Selani

    Ariana Kasapolli - Selani ka lindur më 15.04.1980 në Prishtinë. Shkollimin fillor, të mesëm dhe universitar e ka ndjekur në Prishtinë, ku edhe ka diplomuar në Fakultetin e Gazetarisë. Si korrespondente e Radios Evropa e Lirë punon që nga viti 2009. Është e martuar dhe ka tre fëmijë.

XS
SM
MD
LG