Ndërlidhjet

Irak: Vitin e kaluar është përdorë gazi helmues


Pamje nga hetimet e mëparshme për armatim kimik

Pamje nga hetimet e mëparshme për armatim kimik

Gazi helmues është përdorë në dy sulme në rajonin gjysmë autonom kurd në muajin gusht të vitit të kaluar, sipas burimeve të afërta me një organizatë që e mbikëqyrë përdorim e armatimi kimik të ndaluar.

Burimet i kanë thënë sot agjencisë AFP se hetimet nga Organizata për Ndalimin e Armatimit Kimik, me seli në Hagë, e kanë konfirmuar përdorimin e gazit helmues.

Këto burime kanë thënë se gazi vdekjeprurës, që në përmasa globale është i ndaluar prej vitit 1925, është përdorë më 11 gusht në qytetet Gvejr dhe Makhmur, në veri të Arbilit, që është kryeqytet i rajonit të Kurdistanit në Irak.

Ky zbulim u bë disa ditë pasi zyrtarët e Shteteve të Bashkuara thanë se militantët e Shtetit Islamik kanë kapacitet për të prodhuar sasi të vogla të klorit dhe gazit helmues dhe se e kanë përdorë atë në Irak dhe Siri.

Mbetet e paqartë se kush e ka përdorë këtë gaz, derisa zyrtarët kurdë në muajin tetor të vitit të kaluar, kanë thënë se disa ushtarë të njësiteve Peshmerga ishin testuar pozitivë për gaz helmues, pas luftimeve me militantët e Shtetit Islamik në muajin gusht.

Organizata për Ndalimin e Armatimit Kimik ka konfirmuar se e ka dërguar një ekip të ekspertëve në Irak për t’i ndihmuar autoritetet në hetimet lidhur me përdorim të mundshëm të armatimit kimik.

XS
SM
MD
LG