Ndërlidhjet

logo-print

Opozita ultimatum Qeverisë: Dorëheqje deri më 27 shkurt


Partitë opozitare i kanë bërë thirrje qeverisë së Kosovës që deri më 27 shkurt t’i shpallë zgjedhjet e jashtëzakonshme.

Këto thirrje, në formë ultimatumi, janë bërë gjatë protestës së thirrur nga tri subjektet opozitare, Lëvizja Vetëvendosje, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës dhe Nisma për Kosovën.

Organizatorët e kanë paralajmëruar protestën e radhës për këtë të premte, në rast se Kuvendi i Kosovës atë ditë provon ta zgjedhë presidentin e ri.

Të mërkurën, disa dhjetëra mijëra qytetarë i janë përgjigjur thirrjes për protestë, të organizuar nga tri partitë opozitare në Kosovë.

Marshi i protestuesve ishte nisur nga hapësira në afërsi të Bibliotekës Kombëtare, për të vazhduar përgjatë sheshit ‘Nëna Terezë’, e deri te sheshi ‘Skënderbe’, në afërsi të objekteve të institucioneve të larta, Qeverisë dhe Kuvendit të Kosovës, ku edhe është mbajtur manifestimi qendror i opozitës.

Shumë qytetarë, që morën pjesë në protestë, janë transportuar nga qytete e mjedise të ndryshme të Kosovës.

Ndërkohë, Policia e Kosovës, e cila që më parë pati paralajmëruar se ka bërë planin për të siguruar mbarëvajtjen e protestës, si dhe për të siguruar rendin publik, ishte e mobilizuar për të zbatimin e këtij plani.

Forca të mëdha të Policisë së Kosovës janë ende të vendosura para objekteve të institucioneve të larta , Qeverisë dhe Kuvendit të Kosovës, si dhe në disa rrugë që ndërlidhen me sheshin Nëna Terezë.

Lideri i Lëvizjes Vetëvendosje, Visar Ymeri, u është drejtuar qytetarëve, duke thënë se në sheshin ku po mbahej protesta,para 8 viteve, janë mbledhur për ta shpallur Kosovën shtet, me shpresën për të ardhme më të mirë.

Por, sipas tij, kjo shpresë nuk u realizua, duke përkujtuar, siç i ka quajtur ai, një varg dështimesh të qeverive të deritashme, përfshirë edhe të kësaj të fundit. Ai i ka dhënë ultimatum qeverisë së Kosovës që të shpallë zgjedhje të jashtëzakonshme.

“Sot këtu kemi dalë që ta bëjmë tejkalimin, dhe Republikën e Kosovës ta bëjmë me institucionet, por nga to t’i heqim Isën dhe Hashimin. Duhet t’ua bëjmë me dije se Kosova është një dhe e pandashme.”

“I bëjmë thirrje qeverisë që deri me 27 shkurt t’i shpallë zgjedhjet e jashtëzakonshme. Në të kundërtën, protestat nuk do të ndalen...”, ka theksuar Ymeri.

Ramush Haradinaj, lider i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, ka theksuar se populli po e merr fatin e lirisë dhe Republikës në duart e veta.

“Qeveria e ka thelluar kapjen e shtetit, korrupsionin, klientelizmin. Kjo qeveri e ka sulmuar territorin e Kosovës me marrëveshjen për demarkacionin. E ka sulmuar sovranitetin dhe rendin kushtetues me marrëveshjen për Zajednicën, (term ky që përdoret për Asociacionin e komunave me shumicë serbe)”, ka theksuar Haradinaj, i cili i ka bërë thirrje qeverisë që ta dëgjojë zërin e qytetarëve dhe të japë dorëheqje.

Ndërsa Fatmir Limaj, lider i Nismës për Kosovën, u ka thënë qytetarëve të tubuar se ata po e nderojnë ditën e pavarësisë dhe po protestojnë kundër qeverisë.

“Sot, populli ua ka hequr legjitimitetin. Kërkojmë zgjedhje. Sot, në sheshin e Prishtinës nuk janë vetëm opozita, por gjithë qytetarët e Kosovës, pa dallime partiake. Dëgjojeni zërin e popullit”, ka thënë Limaj, i cili po ashtu i ka bërë thirrje qeverisë për dorëheqje.

Në ditën kur po shënohet pavarësia e Kosovës, përderisa protesta e opozitës është ftuar, siç është thënë, për ta mbrojtur Republikën, protestuesit kanë mbajtur në duar flamuj kombëtar shqiptar, por, aty nuk janë parë flamujt dhe simbolet e Kosovës.

Protestat e opozitës kanë nisur muaj më parë, për të kundërshtuar marrëveshjen ndërmjet Kosovës dhe Serbisë në Bruksel, më 25 gusht 2015, lidhur me krijimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe, si dhe marrëveshjen me Malin e Zi për shënjimin e vijës kufitare.

Lexoni edhe këtë: Opozita e revoltuar me marrëveshjen për Asociacionin

  • 16x9 Image

    Bekim Bislimi

    Bekim Bislimi ka lindur më 20. 03. 1968 në Vërban të Vitisë. Prej muajit dhjetor të vitit 2001 e deri më tash punon si korrespondent i Radios Evropa e Lirë, për shërbimin në gjuhën shqipe.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG