Ndërlidhjet

Ekonomia, çështje kryesore në zgjedhjet 2016


Ilustrim

Ilustrim

Aru Pande - Zëri i Amerikës

Gjatë javëve të fundit, çështjet e imigracionit, sigurisë kombëtare dhe kundër-terrorizmit duket se kanë lënë në hije ekonominë amerikane, si temë kryesore në fushatën presidenciale të 2016.

Por, perspektiva ekonomike e vendit është në mendjen e shumë amerikanëve që janë të shqetësuar për vendet e punës dhe pabarazinë në rritje.

Suja Joseph drejton trajnime në Kolumbia, Merilend, pranë Uashingtonit, për të ndihmuar të papunët.

Ajo thotë se ka vënë re ndryshim në mënyrën se si e mendojnë ata të ardhmen.

“Disa nga ata që kërkojnë punë vijnë dhe thonë: në fillim nuk më kthenit përgjigje, por tani punëdhënësit kanë filluar të më kërkojnë. Kjo është diçka që i entuziazmon.”

Shtatë vjet më parë, në mes të recesionit Barack Obama u zgjodh president. Qysh atëherë, papunësia në Shtetet e Bashkuara është përgjysmuar në 5 për qind, duke krijuar 13 milionë vende pune.

Ekonomisti Anirban Basu:

“Ekonomia po rritet dhe ne po krijojmë vende pune. Të dhënat e tregut të punës janë të mira. Dhe ka tregues se pagat do të rriten këtë vit.”

Por pas këtyre shifrave, Basu thotë se ka një pamje tjetër – që mund të sjellë paqëndrueshmëri për ekonominë amerikane në 2017.

“Ne kemi kapacitet të madh prodhues dhe jo kërkesë të mjaftueshme. Një nga arsyet e kësaj është se ekonomia globale vazhdon të mbetet e dobët. Qysh nga viti i ri kemi lajme jo të mira nga ekonomia kineze.”

Paqëndrueshmëria ndjehet edhe në këtë tavolinë në Merilend, ku studentët Heza Mulinzi, Frederick Torrence dhe Denell Hammond po punojnë për të filluar një biznes.

“Jemi gjithmonë krijues. Kjo ishte diçka që e kisha gjithmonë në mendje. Të gjeja diçka që më përshtatej dhe të nxirrja fitime”, thotë Hammond.

“E filluam këtë biznes që kur të diplomohemi të mos kemi thjesht një copë letër, por një kompani.”

Për 21 vjeçarin Heza Mulinzi, që shikonte nënën e tij të mundohej pasi mbeti pa punë nga një aksident ishte mjaftueshëm ta nxiste për pavarësi financiare pas diplomimit.

“Ajo punonte shumë dhe nuk kishte të drejtat që i takonin. Besoj se duhet të jesh në gjendje të punosh për vete dhe të jesh i pavarur.”

Për këta studentë, rruga drejt një të ardhmeje të qëndrueshme ekonomike, është e ndërtuar mbi modelin e vjetër të sipërmarrjes amerikane.

*Ky material fillimisht u publikua në VOA Shqip

XS
SM
MD
LG