Ndërlidhjet

Qeveria: Dënohen fuqishëm ofendimet ndaj ambasadorit Delawie


Pamje e një pjese të Prishtinës
Pamje e një pjese të Prishtinës

“Qeveria e Republikës së Kosovës shpreh indinjatë të thellë dhe dënon ashpër përpjekjet e ulëta për linçim publik, iniciativat denigruese me adresa të dyshimta dhe ofendimet ndaj personalitetit të Ambasadorit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, mikut të popullit të Kosovës, Greg Delawie”, thuhet në një komunikatë të sotme të Qeverisë së Kosovës

Mëtutje, Qeveria e Kosovës, në emër të qytetarëve të Republikës së Kosovës, “shpreh mirënjohje të përjetshme për përkrahjen e pazëvendësueshme të Shteteve të Bashkuara të Amerikës për popullin dhe shtetin e Kosovës, në të gjitha etapat historike”.

Qeveria e Kosovës thekson përkushtimin e plotë të Qeverisë dhe të qytetarëve të Kosovës për thellimin e gjithanshëm të miqësisë, të bashkëpunimit bilateral dhe të partneritetit strategjik me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, mikut më të madh të Republikës së Kosovës në botë.

Në kumtesë, po ashtu, Qeveria e Kosovës thekson se “përpjekjet e ulëta denigruese të një numri tejet të kufizuar individësh dhe qarqesh parapolitike, të mbështetura edhe nga persona me të kaluar të errët, ndaj personalitetit të Ambasadorit Delawie dhe personaliteteve tjera në Kosovë, janë në kundërshtim të plotë me qëndrimin unanim dhe respektin e palëkundshëm të qytetarëve dhe të skenës politike shtetformuese të Kosovës ndaj personaliteteve të shquara që po e ndihmojnë Kosovën në ecjen e saj drejt vlerave demokratike perëndimore, të përfaqësuara nga SHBA-të”.

Me këtë rast, Qeveria e Kosovës "shpreh mirënjohje të thellë edhe për të gjithë ambasadorët e kaluar, diplomatët dhe stafin që kanë punuar dhe vazhdojnë të punojnë në Ambasadën e SHBA-ve në Prishtinë, punëtorët e USAID-it dhe shumë organizatave tjera amerikane në Kosovë".

"Republika e Kosovës do t’i jetë përjetë mirënjohëse Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe popullit të saj", theksohet në fund të kumtesës së Qeverisë së Kosovës.

XS
SM
MD
LG