Ndërlidhjet

Trump dhe Clinton arritën fitore në 7 prej 12 shteteve


Projeksionet tregojnë se republikani, Donald Trump, dhe demokratja, Hillary Clinton, kanë arritur fitore në zgjedhjet për nominim partiak në ditën e njohur si “Super e Martë”, meqë këtë ditë mbahen votime në më së shumti shtete.

Clinton dhe Trump fituan në 7 prej 12 shteteve të Shteteve të Bashkuara, që votuan dje, sipas projeksioneve nga rrjetet televizive, CNN, Fox News, e të tjera.

Kandidati republikan, Donald Trump, fitoi në Alabama, Gjorgjia, Masaçusets, Virxhinia, Arkanzas, Vermont dhe Tenesi, ndërsa demokratja Hillary Clinton, fitoi në Alabama, Gjorgjia, Tenesi, Teksas, Arkanzas, Masaçusets dhe Virxhina.

Rivali i saj, Bernie Sanders, që përshkruhet si demokrat socialist, sipas projeksioneve fiton në shtetin e tij, Vermont, dhe Okllahoma e Kolorado.

Rivali i zotit Trump në mesin e republikanëve, senatori Ted Cruz, ka fituar në shtetin e tij, Teksas dhe në Okllahoma. Kandidati tjetër republikan, senatori Marco Rubio, fitoi në Minesota.

Pas arritjes së fitoreve të vështira në më tepër se gjysmën e shteteve në votimet në Super të Martën, zonja Clinton duket se tash po shikon kah zgjedhjet e përgjithshme dhe kah dueli i mundshëm me zotin Trump, që është një ish-yll televiziv dhe pasanik, që i shpreh hapur opinionet e tij dhe që e ka kundërshtuar migrimin.

“Asnjëherë nuk kanë qenë më të larta qëllimet në këto zgjedhje, derisa në anën tjetër po dëgjojmë një retorikë që kurrë nuk ka qenë më e ulët”, u tha Hillary Clinton mbështetësve të saj në Majami, dhe ka theksuar se “përpjekja për ndarjen e Amerikës ndërmjet neve dhe atyre është e gabueshme dhe nuk do të lejojmë që ajo të funksionojë”.

Donald Trump, po ashtu, duket se tashmë me shumë kënaqësi po fokusohet në zgjedhjet e përgjithshme. Ai e ka kritikuar zonjën Clinton, ish-sekretare e shtetit, dhe ish-Zonja e parë amerikane, duke thënë se ajo është politikane e karrierës, që ka krijuar probleme në Uashington.

“Ajo ishte atje për një kohë shumë të gjatë”, tha Trump në pushimoren e tij luksoze në Floridë, duke u premtuar mbështetësve se do “do ta ndjek” zonjën Clinton.

“Nëse ajo nuk është korrigjuar deri tash, ajo nuk do të korrigjohet gjatë katër viteve të ardhshme”, tha Donald Trump.

Derisa Hillary Clinton, rrugën e deritashme zgjedhore në Partinë Demokratike, e ka kaluar në mënyrë konvencionale, duke u mbështetur në forcën e partisë së saj dhe votat e minoriteteve dhe të tjerëve, zoti Trump në një mënyrë e ka injoruar establishmentin politik republikan, duke udhëhequr në garën zgjedhore partiake për nominim presidencial kundër dëshirës së tyre.

“Nëse Donald Trump e fiton nominimin republikan, kjo do ta ndajë Partinë Republikane dhe fundamentalisht mendoj se do ta ndajë lëvizjen konservatore”, i tha rrjetit televiziv, CBS, kandidati republikan, Marco Rubio, që ishte favorit i establishmentit partiak.

Por, zoti Trump pretendon se është “unifikues”, i cili partisë i ka sjellur votues të rinjë. Thirrjet e tij që dalin nga aftësia për t’i shprehur në mënyrë të zëshme në Uashington shqetësimet e votuesve, zemërimet e tyre dhe frikën nga terrorizmi, imigrimi dhe rritja e ngadalshme ekonomike., e ka bërë atë tërheqës në sytë e zgjedhësve.

Duke ofruar zgjidhje dhe shpeshherë duke përdorë gjuhë gati vulgare, ai ka arritur të bëhet kandidat udhëheqës republikan me premtimin që “Amerika përsëri do të bëhet e mrekullueshme”.

Votimet në ditën "Super të Martë"shtrihen prej shteteve lindore e deri tek ato në Teksas, Minesota dhe Alaska.

Për këtë arsye dhe për shkak të dallimeve kohore, votimet kanë vazhduar praktikisht deri në orët e sotme të mëngjesit në shtetet mëtutje në perëndim, kështu që pritet që numërimi i fletëvotimeve mund të zgjasë disa ditë.

Presidentit aktual, Barack Obama, i kalon edhe mandati i dytë, kështu që pasardhësi i tij do të zgjedhet më 8 nëntor të këtij viti.

Përgatiti: Fatmir Bujupi
XS
SM
MD
LG