Ndërlidhjet

Korrupsioni i profilit të lartë politik, ende i paprekur


Ilustrim

Ilustrim

Përfaqësuesit e organizatave joqeveritare thonë se korrupsioni në Kosovë, ende nuk ka filluar të luftohet dhe deri më tash nuk ka as sinjale se diçka e tillë do të ndodhë së shpejti.

Betim Musliu, drejtor i Institutit të Kosovës për Drejtësi, tha për Radion Evropa e Lirë, se sistemi i drejtësisë kohëve të fundit ka folur për disa raste të dyshuara të korrupsionit të nivelit të lartë, por mbetet të shihet nëse procedurat e nisura do të shkojnë deri në fund.

"Deri më tash kemi parë që ka pasur ngritje të aktakuzave edhe ndaj profileve të larta, por të cilat kanë dështuar në gjykatë në mungesë të provave dhe kjo nëse është praktikë që do të vazhdohet atëherë ky është një dëm që i shkaktohet luftës kundër korrupsionit e asesi një rrugë-zgjidhje që të luftohet korrupsioni i nivelit të lartë. Nëse ndryshon kjo praktikë dhe aktakuzat provohen në gjykatë atëherë kjo është shenjë se lufta ndaj korrupsioni në profilin e lartë ka filluar", tha Musliu.

Musliu theksoi se veprimet, proceduara dhe ngritja e aktakuzave nuk janë treguesse korrupsioni i nivelit të lartë po luftohet.

"Është fakt se vendime gjyqësore për profilin e korrupsionit të nivelit të lartë nuk kemi ende", tha Musliu.

Bazuar në raportet që masin përceptimet e qytetarëve, Kosova vlerësohet me nivelin më të lartë të korrupsionit në rajon. Arsye e gjithë kësaj, besohet të jetë vetë politika dhe ndërhyrja e politikës në gjyqësor.

Arton Demëhasaj, ushtrues i detyrës se drejtorit në organizatën “Çohu" tha për Radion Evropa e Lirë se përpjekjet e institucioneve për luftimin e korrupsionit deri më thash nuk kanë dhenë rezultatet e pritura.

"Disa herë prokurori së bashku me policinë, por edhe me EULEX-in kanë filluar aksionin, ku kanë shkuar dhe kanë arrestuar persona në zyra për shkak të luftimit të korrupsionit e gjëra të tilla, por në parim pastaj komplet proceduarat kanë dështuar".

"Ne jemi dëshmitar se si ka dështuar rasti i Ministrisë së Infrastrukturës i arrestimit të 12 zyrtarëve në Komunën e Prishtinës. Tash rasti i kryetarit të Prizrenit. Ka disa raste që ka pasur arrestime të tilla spektakulare, por që proceduarat me vonë janë vonuar ose ka shkuar drejt dështimit", u shpreh Demëhasaj.

Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës ka njohura një ditë më parë se ka ngritur aktakuzë në Gjykatën Themelore në Mitrovicë kundër të pandehurve Agim Bahtiri, kryetar i komunës së Mitrovicës jugore, dhe dy zyrtarëve tjerë.

Ata akuzohen për veprat penale: keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar dhe marrëveshje për kufizimin e konkurrencës përmes ftesave për tenderë.

Në Kosovë ekzistojnë agjenci e mekanizma të ndryshme institucionale për luftimin e korrupsionit.

Arton Demëhasaj tha se institucionet e Kosovës kanë krijuar këta mekanizma vetëm sa për t’u ikur përgjegjësive të tyre për të luftuar korrupsionin, pasi që sipas tij nuk ka asnjë rezultat nga to.

"Prej gjithë atyre institucioneve që kemi për të luftuar korrupsionin asnjë nga to nuk po bën asgjë. Asnjë nga këto institucione nuk po kryejnë punën për të cilën janë të thirrur me ligj, duke filluar nga këshilli i presidentes kundër korrupsionit që është totalisht i dështuar. Agjencia Kundër Korrupsionit ka disa vite që është themeluar dhe asnjë sukses të kësaj agjencia nuk kemi mund ta shohim. Të paktën unë mendoj se kjo agjenci veç sa e vështirëson luftën kundër korrupsionit", tha Demëhasaj.

Organizata të ndryshme vendore edhe ndërkombëtare, në hulumtimet që kanë bërë për vite me radhë, kanë treguar se përceptimi për korrupsionin në Kosovë është i lartë dhe i përhapur në pothuajse të gjitha institucionet.

Disa nga organizatat kanë konstatuar se “Kosova mbetet tolerante ndaj korrupsionit në të gjitha nivelet”.

Institucionet e Kosovës përsërisin në vazhdimësi se lufta kundër korrupsionit është prioritet, mirëpo, siç thuhet, "lufta ka qenë e padukshme".

  • 16x9 Image

    Arton Konushevci

    Arton Konushevci merret me gazetari që nga viti 2001. Në vitin 2007 ka filluar të punojë si korrespondent i Radios Evropa e Lirë. Jeton në Prishtinë, është i martuar dhe ka dy fëmijë.

XS
SM
MD
LG