Ndërlidhjet

Kosova bashkëpunon me SHBA-të kundër narkotikëve


Ilustrim
Ilustrim

Kosova nuk është burim i rëndësishëm për drogë ilegale, por mbetet vend tranzitor për kontrabanduesit e drogës për në tregjet evropiane, thuhet në fillim të raportit për Strategjinë Ndërkombëtare të Kontrollit të Narkotikëve i vitit 2016, i publikuar nga Departamenti amerikan i Shtetit.

Kosova i koordinon përpjekjet ndërmjet agjencive të saj për luftimin e trafikimit të narkotikëve nëpërmjet Koordinatorit Kombëtar të Strategjisë Kundër Drogës.

Drejtorati i Policisë së Kosovës për Hetime të Trafikimit të Narkotikëve e ka për detyrë ta implementoj Strategjinë Kombëtare Anti-Drogë dhe Planin Aksional për periudhën 2012 – 2017, dhe i kryen hetimet e ndërlidhura me narkotikë, konfiskim dhe arrestime.

Në këtë raport, të publikuar të enjten, theksohet se në nëntë muajt e parë të vitit 2015, autoritetet i kanë konfiskuar 146 kilogramë të marihuanës dhe 37 gramë të kokainës, që në të dy rastet paraqet rënie të madhe nga sasia që ishte konfiskuar në periudhën e njetjtë të vitit 2014 (respektivisht 624 kg dhe 21 kg).

Nga ana tjetër, vëllimi i konfiskimit të heroinës është rritur shumë në krahasim me vitin 2014 (8.6 kg ndaj 2 kg), ndërsa një sasi prej 6.9 kg ka ndikuar në pjesën më të madhe të rritjes.

Konfiskimet e drogës sintetike ishin minimale, gjithsej 265 MDMA tableta (ekstazi) dhe 1.8 gram të amfetaminës.

Në raport theksohet se faktorët që kanë ndikuar negativisht në përpjekjet e Kosovës për ta luftuar trafikimin e narkotikëve, përfshihet edhe mungesa e integrimit të plotë të katër komunave veriore, ekonomia e dobët, mosnjohja nga disa shtete në rajon, dhe sistemi joplotësisht efektiv i menaxhimit kufitar.

Aktualisht nuk ka raporte gjithpërfshirëse për vlerësimin e përdorimit të drogës në Kosovë dhe bazuar në informatat që janë në disponim, shumica e përdoruesve janë meshkuj, ndërsa zgjedhja e tyre e parë është marihuana.

Për ta dekurajuar përdorimin e drogës, Ministria e shëndetësisë dhe Ministria e arsimit udhëheqin programe edukimi për drogë, oficerët e policisë së komunitetit i edukojnë studentët për rrezikun e përdorimit të drogës, ndërsa organizatat joqeveritare ndihmojnë me edukim anti-dorgë dhe trajtim për drogë.

Vështirë është të vlerësohet se në çfarë mase korrupsioni ndikon në trafikimin e drogës në Kosovë, theksohet në raportin e Departamentit amerikan të shtetit, dhe shtohet se legjislacioni e ndalon korrupsionin e ndërlidhur me narkotikë, por qëndrojnë akuzat se narkotikët lëvizin nëpër kufijtë e Kosovës, ndonjëherë me pranimin e heshtur të zyrtarëve.

Meqë Kosova ende nuk është anëtare e Kombeve të Bashkuara, ajo është pjesë e pak konventave dhe protokoleve ndërkombëtare ose marrëveshjeve bilaterale, lidhur me luftën kundër narkotikëve.

Kosova bashkëpunon dhe këmben informacione me partnerët ndërkombëtarë nëpërmjet takimeve joformale dypalëshe dhe shumëpalëshe.

Kosova, po ashtu, bashkëpunon me Shtetet e Bashkuara në çështjen kundër narkotikëve dhe ka marrë ndihmë teknike dhe trajnim nga programet e ndihmës së SHBA-ve.

Në qershor të vitit 2015, dy zyrtarë të lartë të Drejtoratit të Policisë së Kosovës për Hetime të Trafikimit të Narkotikëve kanë marrë pjesë në një konferencë ndërkombëtare në Kolumbi, që ishte sponzorizuaar nga Administrata e Shteteve të Bashkuara për zbatimin e Ligjit kundër drogës, thuhet në fund të raportit të Departamentit amerikan të Shtetit.

Përgatiti: Fatmir Bujupi
XS
SM
MD
LG