Ndërlidhjet

Trump dhe Clinton mbeten favoritë

  • RFE /RL

Donald Trump dhe Hillary Clinton

Donald Trump dhe Hillary Clinton

Pesë shtete të SHBA-së kanë mbajtur zgjedhjet paraprake të shtunën, për të zgjedhur kandidatët që do të përfaqësojnë Partinë Demokratike dhe atë Republikane në garën për president.

Republikanët kanë votuar në katër shtete dhe favoriti i tyre, Donald Trump, ka fituar në Luiziana dhe Kentaki, ndërsa senatori Ted Kruz në Mein dhe Kansas. Senatori Marco Rubio dhe guvernatori i Ohajos, John Kasich, kanë mbetur prapa në të katër shtetet.

Republikanët në territorin amerikan të Puerto Rikos i mbajnë zgjedhjet paraprake sot, ndërsa katër shtete të tjera votojnë të martën.

Të shtunën, demokratët kanë mbajtur zgjedhjet paraprake në tre shtete. Ish-sekretarja amerikane e Shtetit, Hillary Clinton, e cila është edhe favorite, ka fituar në Luiziana, ndërsa senatori Bernie Sanders ka fituar në dy shtetet e tjera: Kansas dhe Nebraska. Fitorja e Clintonit në një shtet i ka sjellë asaj më shumë delegatë sesa Sandersit.

Demokratët votojnë sot në Mein dhe në dy shtete të tjera të martën.

Sa i përket numrit të përgjithshëm të delegatëve te republikanët, Trump ende mban epërsinë me 378 dhe ndiqet nga Cruz me 295.

Trump i ka cilësuar fitoret e së shtunës si “të mahnitshme” dhe ka thënë se mezi pret të sfidojë Cruzin në Nju Jork, Pensilvani dhe Kaliforni.

Trump i ka bërë thirrje rivalit tjetër republikan, senatorit Rubio, që të heqë dorë nga gara. Rubio ka përfunduar i treti në të gjitha shtetet, pos në Mein, ku ka dalë i katërti, pas guvernatorit Kasich.

Pavarësisht fitoreve të Sandersit të shtunën, Clinton vazhdon të mbajë një avantazh të madh në numrin e përgjithshme të delegatëve. Ajo ka 1,121 delegatë, kundrejt Sandersit me 479.

Clinton dhe Sanders do të përballen sot në një debat, në Flint të Miçigenit, për të shtatën herë me radhë.

Shumë ekspertë presin që Clinton të jetë e nominuara e demokratëve për zgjedhjet presidenciale të 8 nëntorit.

Në anën e republikanëve, megjithatë, partia është në prag të një ndarjeje të madhe, pasi anëtarët e vjetër të saj janë kundër Trumpit dhe retorikës së tij populiste dhe ksenofobike.

Më 3 mars, Mitt Romney, kandidati i republikanëve për president më 2012, ka kërkuar nga partia e tij që të mos e zgjedhë Trumpin kandidat potencial për president, duke thënë se ai është “hipokrit dhe mashtrues”.

Më herët, 60 veteranë republikanë të politikës së jashtme janë zotuar se do të kundërshtojnë Trumpin, duke thënë se propozimet e tij do të minojnë sigurinë e Shteteve të Bashkuara.

Trump është zotuar se do të dëbojë miliona migrantë që jetojnë pa dokumente në SHBA, se do të ndërtojë mur në kufi me Meksikën dhe se do të vendosë ndalesë të përkohshme për të gjithë myslimanët që duan të hyjnë në SHBA. (v.tela)

XS
SM
MD
LG