Ndërlidhjet

Fuqia punëtore e papërgatitur për ekonominë digjitale


Ilustrim
Ilustrim

Republika e Kosovës duhet t'i përshtatet trendeve globale të rritjes së ekonomisë digjitale, thonë njohës të kësaj çështje, sipas të cilëve avancimi i përdorimit të teknologjisë ka ndikime edhe në mbarëvajtjen e përgjithshme të ekonomisë.

Ata thonë se një ndër kushtet që investitorët e huaj kërkojnë para një investimi potencial në Kosovë, është niveli i zhvillimit të fuqisë punëtore, dhe aftësia e tyre për t'ju përshtatur nevojave të punës.

Teknologjia ndërkaq paraqitet sektor potencial për investitorët e huaj edhe në projekt-ligjin për Investimet Strategjike në Kosovë, miratuar nga Qeveria e Kosovës.

Kosova ka potencial dhe fuqi punëtore që është e shkathët që të punojë në sektorët të cilët bazohen në teknologjinë e informacionit, por kjo fuqi nuk është e mjaftueshme për nevojat e tregut, thotë Arian Zeka, drejtor ekzekutiv në Odën Ekonomike Amerikane në Kosovë.

Trendet e globalizimit të teknologjisë kanë ndikuar në Kosovë, pasi tashmë janë marrë disa iniciativa dhe projekte, por kjo çështje duhet të trajtohet edhe nga institucionet qendrore të Kosovës.

“Në këtë aspekt duhet të punohet në trajnimin e qytetarëve të rinjë të cilët do të mund të gjenin një vend pune ose vetë të punësohen në sektorë të tillë, siç janë zhvillimi i softuereve, mirëmbajtja e rrjeteve, e pse jo edhe në sektorë të tjerë të cilët do të bazohen në teknologjinë e informacionit”, ka thënë Zeka për Radion Evropa e Lirë

Edhe Blerim Rexha, profesor në Universitetin e Prishtinës, njëherësh anëtar i bordit në Qendrën e Inovacionit në Kosovë, konsideron se të rinjtë në Kosovë janë të prirë për shfrytëzimin e teknologjisë, por për moshën e mesme, sipas tij, nevojitet një edukim dhe trajnim shtesë në këtë fushë.

“Interneti nuk mjafton vetëm me përdorimin e rrjeteve sociale, përdorimi i teknologjisë ka kuptim shumë më te gjërë. Kështu që ne kemi nevojë që teknologjinë ta përsosim, të dijmë ta përdorim dhe padyshim këtu është shkathësia e përdorimit të teknologjisë. Ne ende jemi pak prapa vendeve tjera, por përdorimin e tyre mund të bëjmë vetëm me një nxitje më të mirë nga sistemi arsimor i Kosovës”, thotë Rexha.

Kosova konsiderohet si vend me popullësi të re dhe shkallë të lartë të papunësisë.

Rreth 61 për qind e të rinjve konsiderohen si të papunë, por që ekziston një hendek i madh në mes aftësive të fuqisë punëtore dhe kërkesave të tregut, thotë Adriana Sejfia, hulumtuese në Institutin për Studime të Avancuara “GAP”.

Sejfia shprehet se në bazë të hulumtimeve të ndryshme, është theksuar se institucionet arsimore po përgatisin fuqi punëtore e cila nuk është adekuate për kërkesat e tregut të punës.

“Ka shumë hulumtime që tregojnë se aftësitë e të rinjve në treg nuk përshtaten më kërkesat që kanë investitorët e huaj potencial. Ka një hendek në mes asaj që kërkojnë investitorët dhe aftësive që popullsia që ka. Problemi kryesor është tek shkollat, pra të rinjtë nuk aftësohen për tregun e punës".

"Është dashur që të bëhen hulumtime më të detajuara që tregojnë se çka nevojitet në tregun e punës e më pas në bazë të të gjeturave, këto hulumtime, të inkorporohen në kurrikulat e shkollave dhe universiteteve, në mënyrë që të zhduket kjo diskrepancë”

Në Kosovë janë hapur shumë portale elektronike të cilat japin informata për mundësi punësimi, dhe në të gjitha profilet e kërkesave për punëtorë është e domosdoshme njohuria bazë e teknologjisë.

XS
SM
MD
LG