Ndërlidhjet

Seancë e "zhurmshme" e Kuvendit të Kosovës


Gaz lotsjellës, zhurmë, drita "laserike", marrje fjale pa rend dite...janë vetëm disa nga zhvillimet që kanë përshkuar punimet e Kuvendit të Kosovës të enjten, në agjendën e të cilit ishin paraparë për diskutim 18 pika të rendit të ditës.

Pas hedhjes së gazit të parë lotsjellës nga tabori i subjekteve politike në opozitë, kryetari i Kuvendit, Kadri Veseli, fillimisht u detyrua të shpallë pauzë prej 10 minutash.

Subjektet politike në opozitë, Lëvizja Vetëvendosje, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës dhe Nisma për Kosovën, pas vazhdimit të seancës hodhën edhe gazin e dytë lotsjellës dhe shfrytëzuan zhurmën dhe dritat "laserike", për të penguar punimet e Kuvendit, i cili me gjithë atmosferën e çrregullt, zhvilloi seancën.

Dhe ndërkohë që seanca zhvillonte punimet, pranë foltores së Kuvendit u mblodhën ligjvënësit nga opozita.

Nënkryetari i Kuvendit të Kosovës, Xhavit Haliti i cili po udhëhiqte seancën ia dha fjalën deputetit, Ismail Kurteshi nga Lëvizja Vetëvendosje.

Kurteshi tha se në Kosovë nuk ka situatë normale dhe përmes foltores së Kuvendit, ka bërë thirrje edhe për protestat e paralajëmruara nga opozita.

"Përgjegjësinë për normalizimin e kësaj situate e mbani edhe ju secili veç e veç, edhe si grupe parlamentare. Derisa Isa Mustafa të jetë në krye të qeverisë -- njeriu i cili e ka shkelur Kushtetutën dhe ketë e ka thënë Gjykata Kushtetuese me 23 dhjetor dhe ai e ka pranuar që e ka shkelur Kushtetën, por nuk po pranon me e tërheqë marrëveshjen [ me Serbinë], e cila ka dëmtuar vendin dhe po vazhdon ta dëmtojë vendin -- normalitet nuk do të ketë", tha Kurteshi.

Derisa Kurteshti po fliste, deputeti tjetër nga Lëvizja Vetëvendosje, Mytaher Haskuka ka hedhur një gotë me ujë në drejtim të kryeministrit të Kosovës, Isa Mustafa. Pas këtij veprimi, opozita u largua nga salla e Kuvendit.

Përgjigja e kryeministrit

Në foltore doli edhe kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa, i cili tha se argumentet e opozitës nuk qëndrojnë, pasi që ai dhe qeveria që e drejton, nuk e kanë shkelur Kushtetutën e Kosovës me marrëveshjen me Serbinë për themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe, dhe as me marrëveshjen për demarkacionin e kufirit me Malin e Zi.

“Sikur unë ta konsideroja vetën si shkelës të Kushtetutës unë ju garantoj se sot do të dilja para jush dhe do t'ju kërkoja falje juve, LDK-së në krye të secilës jam, qytetarëve të Kosovës dhe do t'ju thosha se është shkelur Kushtetuta dhe si konsekuencë e shkeljes së Kushtetutës unë e barti përgjegjësinë time. Unë, ju garantoj se nuk e kemi shkel asnjë pikë të Kushtetutës, e asnjë nen të Kushtetutës së Republikës së Kosovës", ka thënë Mustafa.

Kryeministri i Kosovës e ka cilësuar si sulm hedhjen e ujit në drejtim të tij.

Mustafa tha se opozita nuk ka asnjë arsye që të sulmojë askë, as brenda, e as jashtë Kuvendit të Kosovës.

"Nuk jam shenjë që kujt t'i teket të gjuajë në mua, as këtu brenda Kuvendit, e as jashtë Kuvendit. Dhe mendoj se ketë nuk duhet ta lejojnë organet e drejtësisë dhe ata që duhet të merren me drejtësinë. Nuk duhet të lejojnë që as të më sulmohet shtëpia. Unë nuk kam dashur të deklarohem publikisht, sepse kam menduar se organet duhet ta bëjnë punën e tyre, por nëse një shtëpi e kryeministrit në Kosovë sulmohet me shishe molotovi edhe heshtin të gjithë, atëherë diçka nuk është në rregull në këtë vend", u shpreh Mustafa para deputetëve.

Ndryshe, përfaqësuesit e partive politike në opozitë thonë se janë unikë në synimet e tyre për të kërkuar dorëheqjen e qeverisë aktuale.

Gjatë një paraqitjeje të përbashkët të dy përfaqësuesve të opozitës, Rexhep Selimit nga Lëvizja Vetëvendosje dhe Daut Haradinajt nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, ata thanë se opozita nuk lodhet deri në arritjen e qëllimit të saj, dhe se sipas tyre, qeveria është ajo që duhet të tërhiqet.

“Opozita po e vazhdon protestën e saj edhe brenda seancës plenare dhe kushdo që ka pritur ndryshe e ka pasur gabim”, ka thënë Rexhep Selimi.

Por, në anën tjetër Fatmir Limaj, kryetar i partisë opozitare Nisma për Kosovën tha se gazit lotsjellës i ka ardhur fundit dhe se opozita do të gjejë forma të tjera për të ofruar një shpresë që, sipas tij, po e presin qytetarët.

"Gazi lotsjellës e ka kryer efektin e vet dhe tani opozita duhet të gjejë forma të mëtutjeshme për te vazhduar angazhimin e vet. Ky parlament është jolegjitim dhe si i tillë s'ka legjitimitet të vazhdojë më tutje, Ju e dini kërkesën tonë për zgjedhje të parakohshme. Këto janë opinione që jemi duke biseduar", tha Limaj para medieve ne Kuvendin e Kosovës.

Tri partitë në opozitë, po kërkojnë dorëheqjen e qeverisë së kryeministrit të Kosovës, Isa Mustafa, dhe po e kontestojnë zgjedhjen e presidentit të vendit, Hashim Thaçi. Duke kontestuar legjitimitetin e institucioneve, ato po kërkojnë që vendi të shkojë në zgjedhje të parakohshme.

Përderisa partitë në pushtet, Partia Demokratike e Kosovës, Lidhja Demokratike e Kosovës dhe subjektet që përfaqësojnë komunitetet pakicë mbeten të përkushtuara të vazhdojnë punën dhe mandatin e institucioneve, duke i kundërshtuar pretendimet e opozitës për zgjedhje të parakohshme.

  • 16x9 Image

    Arton Konushevci

    Arton Konushevci merret me gazetari që nga viti 2001. Në vitin 2007 ka filluar të punojë si korrespondent i Radios Evropa e Lirë. Jeton në Prishtinë, është i martuar dhe ka dy fëmijë.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG