Ndërlidhjet

Clinton dhe Sanders grinden për migracionin


Sanders dhe Clinton
Sanders dhe Clinton

Kandidatët demokratë për president të Shteteve të Bashkuara, Hillary Clinton dhe Bernie Sanders, janë grindur për migracionin dhe çështje të tjera gjatë një debati në Florida.

Ngjarja televizive në Majami është zhvilluar vetëm pak ditë përpara rrethit të ardhshëm të zgjedhjeve paraprake, të cilat përfshijnë edhe Floridën.

Ish-sekretarja e Shtetit, Clinton, ka kritikuar senatorin e Vermontit, Sanders, për votën kundër reformës së migracionit në vitin 2007.

“Vetëm imagjinoni se ku do të ishim sot, po të kishim arritur reformë gjithëpërfshirëse të imigracionit nëntë vjet më parë”, ka thënë Clinton.

Sanders është përgjigjur, duke thënë se ai ka pasur shqetësime për trajtimin e punëtorëve të huaj.

Programi i propozuar ka qenë “i ngjashëm me skllavërinë”, ka thënë ai.

Sanders po ashtu ka thënë se Clinton ka qenë kundër lejimit të imigrantëve të paligjshëm që të marrin patentën e shoferit.

Dy rivalët kanë diskutuar edhe për krijimin e vendeve të punës, arsimin dhe ndryshimet klimatike.

Me 246 delegatë, Florida ka një çmim të madh për garuesit.

Afro dy milionë hispanikë jetojnë në Florida dhe mbështetja e tyre do të luajë rol të madh në zgjedhjet paraprake të 15 marsit.

Në bazë të rezultateve nga këto zgjedhje, partitë zgjedhin kandidatin e tyre që do të garojë në zgjedhjet presidenciale të 8 nëntorit në SHBA.

Favorit nga Partia Republikane është miliarderi Donald Trump.

XS
SM
MD
LG