Ndërlidhjet

logo-print

Dy subjekte serbe i kërkojnë Beogradit zgjedhje në veri


Ilustrim

Ilustrim

Një delegacion i të ashtuquajturit Blloku Patriotik, i përbërë nga Partia Demokratike e Serbisë (DSS) dhe Lëvizja Dveri, do ta dorëzojë te kryeministri i Serbisë dhe kryetari i Kuvendit të Serbisë, peticionin me 21 mijë nënshkrime të serbëve të veriut të Kosovës, me kërkesën që zgjedhjet lokale serbe të mbahen edhe në këtë pjesë të Kosovës.

Këtë e ka konfirmuar për Radion Evropa e Lirë Marko Jakshiq, nga Partia Demokratike e Serbisë, lider i serbëve të veriut të Kosovës, i cili i takon taborit të kundërshtuesve të integrimit të serbëve në institucionet e Kosovës.

“Kjo është bërë për shkak se një gjë e tillë është në frymën e Kushtetutës së Republikës së Serbisë dhe në frymën e ligjit të vlefshëm për vetëqeverisjen lokale të Republikës së Serbisë, si dhe për shkakun se zgjedhjet lokale në Kosovë janë mbajtur diku në vitin 2008, e deri në vitin 2012.”

“Kushtet teknike ekzistojnë dhe nuk ka asgjë kontestuese që zgjedhjet lokale të mbahen, sidomos për shkak se në këtë mënyrë Qeveria e Serbisë do të tregonte se i përmbahet Kushtetutës së Serbisë”, ka theksuar Jakshiq.

Ai ka shtuar se në Kushtetutën e Serbisë, Kosova figuron si pjesë e saj dhe kjo i obligon institucionet serbe që zgjedhjet lokale t’i organizojnë edhe në Kosovë, të paktën në veriun e vendit.

Por, Naim Rashiti, analist i Grupit Ballkanit për Politika, duke folur për Radion Evropa e Lirë, vlerëson se mbajtja e zgjedhjeve lokale të Serbisë në veriun e Kosovës është e pamundur, përveç në rast se autoritetet e Beogradit ndryshojnë kursin e politikës së tyre të deritashme.

“Sipas marrëveshjeve, institucionet e Kosovës janë krijuar dhe këto komuna, ish-administratat, është planifikuar të kalojnë në institucionet, në komunat e Kosovës. Megjithatë, kjo tregon që kush është më popullor dhe kush ka përkrahje më shumë në veri. Kjo tregon që, megjithatë, përkundër kontrollit të fuqishëm të (Aleksandar) Vuçiqit (kryeministri i Serbisë) mbi procesin, ish-strukturat e DSS kanë ende përkrahje të fuqishme.”

“Njëzet mijë (nënshkrues të peticionit) i bie diku rreth 40 për qind të popullatës së veriut, natyrisht, nëse janë ato nënshkrime reale, të sakta. Ndonëse, kanë mundur që t’i mbledhin ashtu si grupe ose kanë mundur që t’i falsifikojnë”, ka thënë Rashiti.

Njohësi serb i zhvillimeve politike në Kosovë, Rangjel Nojkiq vlerëson se peticioni për të cilin flet Jakshiqi është paralajmëruar javë më parë, menjëherë pas paralajmërimeve për zgjedhje të përgjithshme në Serbi. Por, sipas tij, ky peticion më tepër është në funksion të fushatës parazgjedhore, që drejtohet përballë partive në pushtet në Serbi, se sa që ka të bëjë me realizimin e idesë, të cilën e ka nisur i ashtuquajturi Blloku Patriotik në Serbi.

“Ai peticion nuk do të ketë asnjë rezultat. Ai, para së gjithash, është një hulumtim i elektoratit, për të parë se sa votues do ta mbështesin iniciativën e tyre dhe sa eventualisht do të votonin për ta. Shifra prej 21 mijë (nënshkruesve), mendoj se është joreale, por caku kryesor i tyre është që në këtë mënyrë ta shqyrtojnë forcën dhe fuqinë e vet në veri të Kosovës”, ka theksuar Nojkiq.

Ai ka shtuar se e gjithë kjo është një formë e presionit mbi pushtetin në Beograd, që në njëfarë mënyre ta pengojë gjithë marrëveshjen në Bruksel dhe, sipas tij, nuk do të duhej të ishte befasi që në një moment të kërkohet edhe anulimi i kësaj marrëveshjeje.

Jakshiq, në një mënyrë, e pranon se ky peticion është presion mbi Qeverinë e Serbisë.

“Serbët, me këtë peticion, thjeshtë, duan të tregojnë që Qeveria e Serbisë po e shkelë Kushtetutën e Republikës së Serbisë”, ka theksuar Jakshiq.

Ndërsa analisti Rashiti ka theksuar se përderisa në Kushtetutën e Serbisë Kosova figuron si pjesë e saj, atëherë Qeveria e Serbisë me qëllim po e shkelë kushtetutën e saj. Kjo, sipas tij, për shkakun se qeveria serbe nuk dëshiron ta ndryshojë legjislacionin dhe kushtetutën, në mënyrë që ligjërisht t’i mbajë institucionet serbe në Kosovë.

Shuarja e institucioneve serbe në Kosovë, siç ka thënë Rashiti, nuk është bërë qëllimisht nga kryeministri serb Vuçiq, sepse kjo i lë hapësirë pushtetit që ligjërisht ta mundësojë financimin dhe operimin e tyre, përkundër marrëveshjeve të Brukselit.

Kjo e bën këtë situatë edhe më serioze, për shkak se, sipas tij, edhe pas formimin eventual të Asociacionit të komunave me shumicë serbe në Kosovë, së paku në Beograd, shumica planifikojnë që t’i mbajnë ato institucione.

  • 16x9 Image

    Bekim Bislimi

    Bekim Bislimi ka lindur më 20. 03. 1968 në Vërban të Vitisë. Prej muajit dhjetor të vitit 2001 e deri më tash punon si korrespondent i Radios Evropa e Lirë, për shërbimin në gjuhën shqipe.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG