Ndërlidhjet

Bisedime për Sirinë, mbi paqen ose luftën


I dërguari i Kombeve të Bashkuara për Sirinë, Staffan de Mistura
I dërguari i Kombeve të Bashkuara për Sirinë, Staffan de Mistura

Bisedimet paqësore, të ndërmjetësuara nga Kombet e Bashkuara, ndërmjet regjimit të presidentit të Sirisë, Bashar al-Assad dhe përfaqësuesve të opozitës siriane, fillojnë të hënën në Gjenevë.

Këto bisedime synojnë kapitalizimin nga marrëveshja e ndjeshme për ndalje të armiqësive, ndërmjet forcave qeveritare siriane dhe luftëtarëve kryengritës. Kjo marrëveshje ishte ndërmjetësuar nga Shtetet e Bashkuara dhe Rusia.

I dërguari i Kombeve të Bashkuara për Sirinë, Staffan de Mistura tha se ky vazhdim i bisedimeve paqësore është “moment i së vërtetës”, pasi, sipas tij, alternativa është vetëm “kthimi në luftë”.

“Alternativa, që disa njerëz e quajnë Plani B...por, sa kam dijeni unë, i vetmi plan i mundshëm është kthimi në luftë, bile te një luftë edhe më e keqe se kjo që e kemi deri tash”, tha Staffan de Mistura.

Këto bisedime, që janë pritur shumë gjatë dhe praktikisht po bëhen në pesëvjetorin e fillimit të luftës, shënojnë përpjekjen më të re për përfundimin e gjakderdhjes, nga e cila janë vrarë më se 270 mijë vetë dhe janë zhvendosur miliona njerëz.

Mistura theksoi se pret që bisedimet indirekte paqësore të zgjasin së paku 10 ditë, e pastaj planifikohet edhe një rund i ri “prej së paku dyjavësh”.

Përpjekja e parë e këtyre bisedimeve, në fillim të shkurtit, dështoi pasi delegatët opozitarë refuzuan të marrin pjesë në sesione, për shkak të ofensivës së qeverisë së Sirisë kundër luftëtarëve opozitarë në Aleppo. Kjo ofensivë e qeverisë së Sirisë mbështetej nga Rusia.

Staffan de Mistura tha se arritja e pajtueshmërisë për tranzicion politik në Siri është “nëna e të gjitha çështjeve”.

Në këtë aspekt, është shprehur edhe sekretari amerikan i shtetit, John Kerry, i cili i ka tërhequr vërejtjen regjimit të Assadit dhe të aleatëve të tij, që të mos e keqpërdorin marrëveshjen për ndaljen e armiqësive.

“Komentet e bëra dje nga ministri i jashtëm i Sirisë janë qartas përpjekje për shkatërrimin e procesit, qartas përpjekje për dërgim të mesazhit të dekurajimit te të tjerët. Por, është fakt se sponzorët e tij më të fuqishëm, Irani dhe Rusia, të dyjat e kanë pranuar në Kombet e Bashkuara, në mbështetje të Kombeve të Bashkuara, në Deklaratat e Vjenës dhe në takimet e Mynihut, që është një qasje që dikton se duhet të ketë tranzicion politik në Siri”, tha John Kerry.

Salim al-Muslat është zëdhënës i grupit opozitar sirian, Komiteti i Lartë i Negociatave, që mbështetet nga Arabia Saudite. Ai, po ashtu, angazhohet për një trup tranzicional në Siri.

“Gjëja për të cilën ne kemi ardhur të diskutojumë është organi qeveritar tranzicional, sipas deklaratës së bisedimeve në Gjenevë, në vitin 2014, dhe rezolutave të Kombeve të Bashkuara, përfshirë rezolutën e fundit, 2254, që bën referencë për trupë tranzitore qeveritare. Sa i përketë idesë për qeveri të unitetit kombëtar, asnjë qeveri e tillë nuk do të pranohet nëse al-Assad është ai që do të vendosë për kursin dhe do të jetë sundues. Kjo do të jetë e papranueshme”, tha al-Muslat.

Por, ky qëndrim opozitar, që presidenti Bashar al-Assad të mos ketë rol politik në të ardhmen në Siri, është kundërshtuar fuqishëm nga ambasadori i Sirisë në Kombet e Bashkuara, Bashar al-Jaafari, i cili është shef i delegacionit sirian në Gjenevë.

“Duke folur në këtë mënyrë për çështjet substanciale, është e drejtuar kundër njërit prej personaliteteve kryesore në Siri dhe, para se gjithash, është përpjekje e qartë për shkatërrimin e këtij rundi të bisedimeve për paqe dhe përjekjet e të dërguarit special të OKB-së”, tha Bashar al-Jaafar.

Përgatiti: Fatmir Bujupi
XS
SM
MD
LG