Ndërlidhjet

BE-ja dhe Turqia arrijnë marrëveshje për trajtimin e migrantëve


Bruksel, 18 mars 2016.
Bruksel, 18 mars 2016.

Udhëheqës të Bashkimit Evropian kanë thënë se kanë arritur marrëveshje me Turqinë, për të lehtësuar krizën me migrantë.

“Marrëveshja me Turqinë është miratuar“, ka shkruar në Twitter kryeministri i Finlandës, Juha Sipila.

Kryeministri çek, Bohuslav Sobotka, ka reaguar po ashtu në Twitter, duke thënë: “Marrëveshja me Turqinë është miratuar. Të gjithë migrantët e paligjshëm që arrijnë në Greqi nga Turqia, nisur nga 20 marsi, do të kthehen”.

Udhëheqësit e BE-së dhe të Turqisë kanë zhvilluar dy ditë negociata në Bruksel.

Në bazë të marrëveshjes së arritur, Turqia do të pranojë prapa të gjithë migrantët që kalojnë Detin Egje dhe arrijnë në Greqi.

Në këmbim, BE-ja do të marrë refugjatë sirianë direkt nga Turqia, do t’i sigurojë asaj 6 miliardë euro ndihma dhe do të përshpejtojë negociatat për anëtarësimin e Turqisë në BE dhe planet për liberalizimin e vizave.

Po sipas marrëveshjes, BE-ja, për çdo migrant të kthyer në Turqi, do të pranojë një refugjat sirian derisa numri i tyre të arrijë në 72,000.

Kryeministri turk, Ahmet Davutoglu, ka thënë se BE-ja dhe Turqia kanë të njëjtin qëllim: të ndihmojnë refugjatët sirianë.

"Jam i sigurt se do të arrijmë qëllimin tonë për të ndihmuar të gjithë refugjatët, si dhe për të thelluar marrëdhëniet BE-Turqi. Ky do të ishte lajm i mirë për kontinentin dhe njerëzimin", ka thënë Davutoglu para takimit të sotëm.

Kancelarja gjermane, Angela Merkel, e cila ka hartuar planin me Davutoglun, në një samit para dhjetë ditësh, ka thënë se finalizimi i marrëveshjes nuk do të jetë i lehtë, porse të gjithë udhëheqësit evropianë duan një marrëveshje për të ngadalësuar ose ndaluar arritjen e mijëra migrantëve në ishujt grekë, në baza ditore.

Që nga janari i vitit 2015, mbi një milion migrantë dhe refugjatë kanë hyrë në BE, duke arritur në Greqi me anije nga Turqia. Vetëm këtë vit, në BE kanë arritur mbi 132,000 veta.

Dhjetëra-mijëra kanë mbetur të bllokuar në Greqi, pasi rruga e tyre në veri është bllokuar.

Merkel ka thënë se pjesa më e madhe e debatit të BE-së është fokusuar në adresimin e kritikave të grupeve të të drejtave të njeriut, në lidhje me kthimin e migrantëve në Turqi, një vend ku respektimi i të drejtave të njeriut është përkeqësuar. (v.tela)

XS
SM
MD
LG