Ndërlidhjet

logo-print

KSHZ-ja vendos për kontrollin e të dhënave të votuesve


Foto nga arkivi

Foto nga arkivi

Komisioni Shtetëror i Zgjedhjeve në Maqedoni ka arritur marrëveshje për kontrollin e të dhënave në terren të rreth 110 mijë qytetarëve.

Ndërsa, rreth 62 mijë të tjerë, fillimisht do të kontrollohen në bazën e të dhënave të Ministrisë së Punëve të Brendshme, kurse më pas do të vendoset nëse do të ketë nevojë për kontrollin edhe të tyre në terren, që nënkupton kontrollin shtëpi më shtëpi.

Pas mbledhjes maratonë që ka përfunduar rreth mesnate, KSHZ-ja ka vendosur, gjithashtu, kontrollin e rreth 35 mijë personave të regjistruar në listën e votuesve në bazë të të dhënave administrative.

Marrëveshje ende nuk është arritur për rreth 120 mijë votues, shtetas të Maqedonisë që ndodhen jashtë vendit me punë të përkohshme, për të parë nëse e kanë humbur ose jo të drejtën e votës, apo nëse emrat e tyre janë manipuluar për qëllime zgjedhore.

Vendimi i këtillë i anëtarëve të KSHZ-së, të katër partive kryesore dhe të ekspertëve që bëjnë pjesë në këtë organ, u arrit pas debatit që ka nisur disa javë më parë mbi pastrimin e listës zgjedhore, që është kushti kryesor për zgjedhje të lira dhe demokratike më 5 qershor.

Maqedonia ka aktualisht rreth 1.8 milionë votues nga rreth 2 milionë banorë sa ka, por krahasuar me numrin e popullatës, vlerësimet janë se numri i votuesve nuk duhet të jetë më i lartë se 1.5 milionë.

Nga Lidhja Social-Demokrate vlerësojnë se të dhënat e këtilla dëshmojnë se zgjedhjet në Maqedoni asnjëherë nuk kanë qenë të lira, por të manipuluara nga partitë që janë në pushtet tani dhjetë vite me radhë.

Lideri i LSDM-së, Zoran Zaev, ka thënë se pastrimi i Listës Zgjedhore është i domosdoshëm, pasi në të kundërtën zgjedhje nuk do të ketë as më 5 qershor.

“Lista Zgjedhore duhet të kontrollohet deri në fund, pa një kontroll të tillë nuk vlen as edhe një votë e vetme, pasi dikush tjerë tashmë ka grumbulluar 200 apo 300 mijë vota të paligjshme".

"Vlerësoj se pa pastrimin e Listës Zgjedhore nuk mund të ketë zgjedhje të lira dhe demokratike, më 5 qershor. Me këtë ne mbrojmë të drejtën e çdo qytetari për të shprehur vullnetin në zgjedhje të lira dhe të besueshme nga të gjithë ne”, ka deklaruar Zaev.

Por, ish-kryeministri dhe kryetari i VMRO-DPMNE-së, Nikolla Gruevski, ka hedhur poshtë pretendimet e LSDM-së për Listë Zgjedhore të manipuluar, duke i përkujtuar se pikërisht me këtë listë, KSHZ-ja, e udhëhequr nga opozita, i ka organizuar zgjedhjet në gjitha ciklet e fundit zgjedhore.

Sipas Gruevskit, qëllimi i vetëm i LSDM-së është që të kërkojë, siç ka thënë, alibi për të kontestuar disfatën në zgjedhjet e ardhshme.

“Perceptimin që ata po tentojnë ta krijojnë, është po aq kaotik sa numrat që ata po i prezantojnë. Një herë thoshin se janë 100 mijë, pastaj 200 mijë, më pas dolën me të dhëna për rreth 490 mijë, e kështu me radhë, d.m.th. të gjitha votat që ne, si parti, i kemi fituar, paskan qenë të manipuluara”.

“LSDM-ja është në kaos, ajo ndodhet para një disfate të re dhe nuk po mundet të gjej mënyra për të arsyetuar atë që po e pret në zgjedhjet e ardhshme. KSHZ-ja në të gjitha ciklet e fundit zgjedhore është drejtuar nga opozita dhe asnjëherë nuk është ngritur çështja e votuesve fiktivë, andaj këtë që tani po e bëjnë, ka vetëm se një qëllim, mbulimin e disfatës së tyre në zgjedhje”, ka deklaruar Gruevski.

Por, ndryshe nga ai, vlerësojnë edhe ekspertët, sipas të cilëve, megjithatë Lista Zgjedhore në Maqedoni është jo reale.

Akademiku Abdylmenaf Bexheti, i cili ka qenë edhe nënkryetar i Komisionit për regjistrim, thotë se të dhënat për votues të dyshimtë janë alarmante, që dëshmohet edhe nga kryqëzimi i të dhënave nga dhjetë institucione që nxorën të dhënat kur në një adresë banimi figurojnë madje deri në 100 qytetarë me të drejtë vote.

Bexheti thotë se këta persona gjithmonë kanë qenë objekt manipulimi i partive në pushtet.

“Unë vlerësoj se një shifër kaq e madhe që del si rezultat i kryqëzimit me të gjithë bazat e tjera të të dhënave, do të mund të pastrohet për një periudhë të caktuar kohore. Realisht, do të duhet shumë punë, shumë angazhim dhe shumë përgatitje adekuate të njerëzve, të resurseve, të data-bazës”, thotë Bexheti.

Pastrimi i Listës Zgjedhore kërkohet edhe nga përfaqësuesit ndërkombëtarë, të cilët ndërmjetësuan arritjen e marrëveshjes politike të vitit të kaluar me të cilën parashihet plotësimi i disa kushteve për zgjedhje të lira dhe demokratike, si formimi i qeverisë kalimtare, reformat në media, formimi i Prokurorisë Speciale për hetimin e asaj që njihet si aferë e përgjimeve, pastrimi i Listës Zgjedhore, si dhe ndryshime tjera në Kodin Zgjedhor.

  • 16x9 Image

    Ariana Kasapolli - Selani

    Ariana Kasapolli - Selani ka lindur më 15.04.1980 në Prishtinë. Shkollimin fillor, të mesëm dhe universitar e ka ndjekur në Prishtinë, ku edhe ka diplomuar në Fakultetin e Gazetarisë. Si korrespondente e Radios Evropa e Lirë punon që nga viti 2009. Është e martuar dhe ka tre fëmijë.

XS
SM
MD
LG