Ndërlidhjet

Maqedonia shton masat e sigurisë pas sulmeve në Bruksel


Sulmet e fundit terroriste në Bruksel dhe kriza me migrantët ka ngritur alarmin e institucioneve për masa preventive në ruajtjen e sigurisë në vend.

Presidenti Gjorgje Ivanov së fundi ka paralajmëruar edhe për një rrezik tjetër, atë të kthimit të dhjetëra shtetasve të Maqedonisë për të cilët ka informacione se kanë marrë pjesë në luftimet në Siri dhe Irak.

"Vetëm në Maqedoni, kemi 72 persona të kthyer, që kanë marrë pjesë në luftëra të ndryshme. Ata kanë shkuar atje si ekstremistë dhe janë kthyer si terroristë. Nga mbi njëmijë persona nga Ballkani që kanë marrë pjesë në betejat në Siri, rreth 60 qind e tyre tashmë janë kthyer".

"Ka një shifër prej tre mijë të kthyerve në territorin e BE-së. Ata i kanë përdorur rrugët që po ndjekin migrantët për të shkuar në vendet e BE-së. Këtu bën pjesë edhe territori i Maqedonisë ", ka deklaruar presidenti Ivanov.

Ai ka përsëritur qëndrimin se aspekti humanitar i krizës së refugjatëve është e nevojshme, por duhet të kihet parasysh edhe aspekti i sigurisë.

Megjithatë, Ivanov tha se institucionet kompetente në vend janë ballafaquar mirë me valën e migrantëve dhe pikërisht për shkak të menaxhimit të mirë, qytetarët nuk e kanë ndier se nëpër territorin e Maqedonisë, në muajt e fundit kanë kaluar më shumë se një milion migrantë.

Por, sulmet e fundit terroriste, ka thënë Ivanov kanë ngritur nevojën për marrjen e masave shtesë.

“Maqedonia ballafaqohet me po ato rreziqe që përballen edhe shtetet që na rrezthojnë dhe ato të Evropës. E shihni se çfarë ndodhi në Bruksel. Rreziqet ekzistojnë, por ne me sukses jemi përballur me to dhe në mënyrë aktive po veprojmë në parandalimin e ndonjë situate jo të mirë. Qytetarët duhet të jenë të qetë pasi institucionet tona deri më tani me sukses janë përballur me të gjitha sfidat“, tha Ivanov.

Ekspertët e çështjeve të sigurisë, thonë se institucionet duhet të marrin masa, por para së gjithash masa operative në drejtim të këmbimit të informacioneve me shërbimet tjera.

“Duhet të përforcohen masat e sigurisë, por jam kundër asaj që të manifestohet forca me shtimin e pjesëtarëve të sigurimit nëpër rrugë, e kështu me radhë. Vlerësoj se më e dobishme do të ishte shkëmbimi i informacioneve me shërbimet e zbulimit dhe kundërzbulimit me shtetet tjera që po ashtu mund të jetë në shënjestër të sulmeve apo destabilizimit të gjendjes së tyre të sigurisë“, thotë Pavle Trajanov, ish Ministër i Punëve të Brendshme.

Ndryshe, para dy javësh në Shkup u mbajt seanca e parë gjyqësore kundër 11 personave të akuzuar për pjesëmarrje dhe nxitjen e të rinjve nga Maqedonia, për të marrë pjesë në luftërat në Lindjen e Mesme në kuadër të grupit militant i njohur si Shteti Islamik.

Gjashtë nga të akuzuarit para gjykatës kanë pranuar veprën penale për të cilën ngarkohen. Gjykata ka kërkuar që në bashkëpunim me prokurorinë të merren vesh rreth dënimit të këtij grupi, që u arrestua gjatë verës së vitit të kaluar, në kuadër të aksionit anti-terrorist “Celula”.

Nga Maqedonia besohet se në luftimet në Siri janë 110 persona, ndërsa 25 janë raportuar si të vrarë.

Në bazë të Kodit Penal të Maqedonisë, pjesëmarrja ose rekrutimi i personave për tu përfshirë në luftërat e huaja paraqet vepër penale për të cilën parashihet më së paku 5 vjet burg.

XS
SM
MD
LG