Ndërlidhjet

logo-print

Makolli: Me gjithë kërcënimet, nuk ka indikacione për sulme terroriste


"Trendin e përhapjes së ideologjive ekstremiste, institucionet e sigurisë e identifikuan qysh pas marrjes së kompetencave nga Policia e UNMIK-ut. Ndërkohë, shpërndarja e ideologjisë ekstremiste në Kosovë, kishte filluar përmes organizatave ndërkombëtare humanitare, kryesisht nga vendet e Lindjes dhe më pas përmes imamëve", thotë në një intervistë për Radion Evropa e Lirë, drejtori i Departamentit Kundër Terrorizmit në Policinë e Kosovës, Fatos Makolli. ​

Radio Evropa e Lirë: Zoti Makolli, sa është e kërcënuar sot Kosova nga aktivitetet terroriste, si një kërcënim global?

Fatos Makolli: Vetë referimi si kërcenim global, lë të kuptohet që terrorizimi ndërkombëtarë, është tani më i njohur si kërcënim global. Në kudër të kësaj edhe Kosova si shtet nuk mund të mos jetë e rrezikuar nga terrorizimi i jashtëm, por edhe nga ai i brendshëm, duke pasur parasysh faktin që ka disa qytetarë të Kosovës që janë pjesë e konflikteve në Siri dhe Irak.

Megjithatë, bazuar në informacione dhe analiza të deri tanishme, nuk ka indikacione për ndonjë rrezik potencial për sulme terroriste në Kosovë.

Radio Evropa e Lirë: Nëse merret parasysh numri i popullatës, Kosova radhitet mjaftë lartë për kah pjesëmarrja e qytetarëve të saj në luftërat në Siri e Irak, përkrah organizatave tashmë të shpallura terroriste. Sa po arrini që të përballeni me parandalimin dhe luftimin e këtij fenomeni?

Fatos Makolli: Numri që po konsiderohet i madh i qytetarëve nga Kosova në konfliktin në Siri dhe Irak është shqetësim jo vetëm për institucionet, por tani më është shqetësim për të gjithë shoqërinë kosovare.

Megjithatë, unë vlerësoj që Policia e Kosovës dhe institucionet e sigurisë në përgjithësi kanë pasur një qasje pro-aktive qysh në identifikimin e personave, në monitorimin e aktiviteteve të tyre, dhe më vonë në arrestimin dhe sjelljen para drejtësisë të shumicës së personave që kanë marrë pjesë në konfliktin në Siri dhe Irak, e që tani në janë procese të ndryshme në gjykata.

Vetë fakti që nga institucionet e ndryshme ndërkombëtare është vlerësuar se Kosova është lider në rajon dhe më gjerë për trajtimin e këtij fenomeni, nënkupton që institucionet e Kosovës, kanë kapacitete të mjaftueshme edhe për parandalim, por edhe për trajtimin e këtij fenomeni në përgjithësi.

Vlerësoj se tani mbetet që krahas veprimeve që janë duke ndërmarrë institucionet e sigurisë, duhet të ketë një qasje më aktive jo vetëm ndërinstitucionale, por gjithë shoqërore, me qëllim të trajtimit të shkaqeve të cilat i shtyjnë kosovarët për t’ju bashkangjitur organizatave terroriste, për të përqafuar ideologjitë ekstremiste apo edhe për të marrë pjesë në konflikte direkte.

Radio Evropa e Lirë: Kur ka arritur Kosova të identifikojë përhapjen e ideologjive ekstremiste – islamiste

Fatos Makolli: Policia e Kosovës me fillimin e marrjes së kompetencave nga Policia e UNMIK-ut e ka identifikuar si problematikë trendin e përhapjes së ideologjive ekstremiste – islamiste, qoftë përmes monitorimit të aktiviteteve të shumë organizatave të dyshimta jo qeveritare, por edhe individëve, qofshin ata imamë, apo jo imamë për aktivitetin që e kanë ushtruar në drejtim të përhapjes së kësaj ideologjie sa më shumë në Kosovë.

Diku në vitin 2006, përmes një raporti analitik janë informuar të gjitha institucionet e vendit lidhur me trendin e përhapjes së vehabizimit dhe selafizimit në Kosovë, me pasojat që mund të paraqiten për sigurinë në Kosovë, qoftë në afat-shkurtë, afat mesme dhe afat-gjatë, si dhe me rekomandimet specifike se si të parandalohet një dukuri e tillë.

Megjithatë, nuk është arritur që institucionet e tjera, por edhe shoqëria në përgjithësi të sensibilizohet mjaftueshëm dhe të sheh rrezikun nga kjo ideologji, derisa janë shkaktuar pasojat me të cilat jemi duke u marrë tani.

Në diskutimet e ndryshme, thuhet që Policia e Kosovës është dashur të bëjë më shumë rreth kësaj, por vlen të ceket se ideologjitë dhe ekstremizmi në vetvete nuk paraqesin vepër penale, prandaj, ekstremizmi duhet të trajtohet nga institucionet tjera dhe shoqëria civile, ata duhet ta adresojnë dhe jo të lejohet që ekstremizmi të kthehet në ekstremizëm të dhunshëm që më pas duhet të trajtohen përmes institucioneve të rendit duke u bazuar në Kodin e procedurës penale të Republikës së Kosovës.

Radio Evropa e Lirë: Keni arritur të zbuloni shkaktarët që ndikuan në përfshirjen e këtyre qytetarëve të Kosovës në krah të organizatave terroriste?

Fatos Makolli: Duke analizuar përfshirjen e qytetarëve nga Kosova në luftën në Siri dhe Irak kemi parë se shkaqet dhe faktorët që kanë bërë kryesisht të rinjtë kosovarë të marrin pjesë në këtë luftë janë të ndryshme, duke u nisur nga ato ekonomike dhe sociale, por edhe faktori ideologjik.

Është vërtetuar që një numër i madh i qytetarëve të Kosovës është manipuluar qoftë përmes kosovarëve tjerë që kanë qenë në konfliktin në Siri dhe Irak e që janë joshur për përftime personale, qoftë përmes aktiviteteve kriminale atje, apo edhe në bazë të joshjes për paga për jetë të mirë dhe për mundësi përftimi.

Por, pavarësisht motiveve për të cilët ata kanë shkuar, për neve paraqet shqetësim, për shkak se gjithë këta persona janë pjesë e një konflikti të armatosur dhe pavarësisht asaj se a kanë pasur ideologji ekstremiste apo jo, ata mund të indoktrinohen mëtutje duke marrë parasysh faktin se operojnë me grupe tash të njohura ndërkombëtare si terroriste.

Radio Evropa e Lirë: Në cilin vit keni identifikuar kosovarin e parë që ka shkuar në zonat e konfliktit në Siri dhe Irak?

Fatos Makolli: Kosovari i parë i cili ka udhëtuar në Siri është identifikuar prej Policisë së Kosovës dhe është shfaqur si shqetësim.

Në besojmë që kosovari i parë që ka shkuar në zonën e konfliktit është në mesin e vitit 2012.

Radio Evropa e Lirë: Sa keni pasur informata, kur ka filluar të përhapen ideologji ekstremiste në Kosovë dhe çfarë roli kanë luajtur disa organizata të huaja joqeveritare apo edhe disa ligjërata të disa imamëve të Kosovës nëpër xhamia në përhapjen dhe nxitjen e ekstremizmit dhe terrorizmit?

Fatos Makolli: Kosova nga lufta del e shkatërruar dhe shoqëria kosovare kishte nevojë deri në gjëra elementare. Kryesisht të rinjtë kanë qenë të cenueshëm për shkak të gjendjes së rëndë ekonomike dhe sociale dhe gjendjes traumatike që kanë kaluar pas luftës.

Sipas analizave tona, hapat e para për shpërndarjen e ideologjisë ekstremiste që nuk kanë qenë të njohur më parë tek ne janë kryesisht përmes organizatave ndërkombëtare humanitare, kryesisht nga vendet e Lindjes.

Këto organizata, krahas programeve të tyre për rimëkëmbjen e vendit, për ndihma humanitare, kanë pasur në agjendë edhe ringjalljen e islamit, por jo islamit tradicional që ka qenë i njohur deri atëherë tek ne, por e rrymave tjera, siç është vehabizimi dhe selafizmi, që do të thotë se kanë promovuar një islam më tepër politik.

Më pas, kjo ka vazhduar edhe mëtutje përmes imamëve të ndryshëm, qofshin ata kosovarë apo të rajonit të cilët janë shkolluar në vendet e Lindjes e të cilët kanë propaganduar islamin politik në Kosovë, në frymën e vehabizimit.

Në këtë kohë janë shënuar edhe problemet e para kryesisht brenda familjeve, brenda xhematit në xhami të ndryshme, brenda imamëve që janë konsideruar të moderuar dhe imamëve tjerë më radikal.

Kështu është përgatitur një pjesë e rinisë të cilët janë orientuar drejt islamit politik.

Radio Evropa e Lirë: Keni informata nëse individë apo grupe të caktuara nga Kosova kanë lidhje të drejtpërdrejta me njërin nga personat më të kërkuar nga Kosova në krah të organizatave terroriste me emrin Lavdrim Muhaxhiri?

Fatos Makolli: Fakti që Lavdrim Muhaxhiri është kosovar, ka lindur dhe ka jetuar në Kosovë, lë të kuptosh se ai ka pasur dhe ka kontakte të tij në Kosovë.

Megjithatë, personat që kryesisht kanë qenë në shoqëri me Lavdrim Muhaxhirin, bazuar në ideologjinë e përbashkët dhe qëllimet e tyre, kryesisht këta persona janë trajtuar nga Polica e Kosovës dhe shumica prej tyre tash janë të arrestuar dhe janë duke u gjykuar.

Radio Evropa e Lirë: Zoti Makolli A ka pasur ndonjë shqetësim për ndonjë sulm të mundshëm në Kosovë?

Fatos Makolli: Policia e Kosovës dhe institucionet e sigurisë në përgjithësi kanë pasur një qasje pro-aktive ndaj këtij fenomeni.

Në dy raste kur personat të cilët kanë qenë të bashkuar për shkak të ideologjisë së tyre dhe kanë qenë grup i strukturuar, në momentet e para kur ata kanë tentuar që të kenë qasje në municione apo në armë, janë ndaluar nga Policia e Kosovës.

Radio Evropa e Lirë: Rasti i fundit i sulmeve terroriste ishte në Bruksel ku humbën jetën shumë persona, nisur nga kjo, a është Kosova e rrezikuar nga ndonjë sulm terrorist?

Fatos Makolli: Tani për tani nuk ka hapësirë për panikë. Institucionet e sigurisë janë duke e trajtuar fenomenin me seriozitetin më të madh. Vlerësohet se situata është nën kontroll nuk ka indikacione apo informacione kredibile për ndonjë rrezik të mundshëm në Kosovë.

Megjithatë, kjo nuk duhet ta na relaksojë as neve si institucioneve, por as si shoqëri në përgjithësi. Duhet që edhe më tutje institucionet e sigurisë ta kryejnë punën e vet duke monitoruar situatën dhe duke i trajtuar të gjitha informacionet që vijnë.

  • 16x9 Image

    Luljeta Krasniqi - Veseli

    Luljeta Krasniqi, e lindur më 02.05.1981. Me gazetari ka filluar të merret që nga viti 2005. Për një kohë të gjatë ka punuar si gazetare në Agjencinë e lajmeve Kosovalive. Ekipit të Radios Evropa e Lirë i është bashkuar në vitin 2008.

XS
SM
MD
LG