Ndërlidhjet

logo-print

Maqedoni: Institucionet nuk bashkëpunojnë me Prokurorinë Speciale


Prokuroria Speciale e Maqedonisë me asistencë të policisë speciale, mbrëmjen e së mërkurës ka ndërmarrë një aksion në lokalet e Regjistrit Qendror të Maqedonisë, pas informatave paraprake se në këtë institucion ka pasur tendenca që të nxirren dokumentacione dhe materiale të ndryshme.

Këto materiale kanë të bëjnë me regjistrimin e ndërmarrjeve të ndryshme nën dyshimin se ato kanë mundur të merren dhe të zhduken për të pamundësuar hetimin e rasteve të cilat lidhen me krimin e organizuar.

Paraprakisht një pjesë e të punësuarve në Regjistrin Qendror kanë refuzuar të bashkëpunojnë me hetuesit e Prokurorisë Speciale të Maqedonisë për të pasur qasje deri tek dokumentacioni i kërkuar pas çka, Prokuroria Speciale ka kërkuar urdhër nga ana e gjykatës për asistencë policore.

“Urdhri është dhënë me kërkesë të Prokurorisë Speciale, pasi që Regjistri Qendror në afat prej 30 ditësh nuk i është përgjigjur kërkesës sonë, duke na njoftuar vetëm me atë se kërkesa ka qenë e paqartë, edhe pse kemi qenë në kontakt të vazhdueshëm me Prokurorinë Publike dhe hetuesinë në drejtim të qartësimit të kërkesës sonë për lëndët që jemi interesuar”, thuhet në kumtesën e Prokurorisë Speciale Publike.

Njohësit e çështjeve politike thonë se obstruksionet, bllokadat, që i bëjnë institucionet e shtetit Prokurorisë Speciale Publike duke refuzuar bashkëpunimin janë rezultat i politizimit të s'kajshëm të institucioneve në Republikën e Maqedonisë.

Naser Ziberi ekspert për çështje juridike, vlerëson se mosbashkëpunimi i institucioneve të shtetit me Prokurorinë Speciale Publike flet qartë se institucionet në Maqedoni nuk funksionojnë në bazë të ligjit po në bazë të direktivave partiake.

“Kuptohet se ashtu siç do të zgjerohet volumi i aktiviteteve të Prokurorisë Speciale Publike gjithnjë e më tepër do të jemi dëshmitarë të një refuzimi të bashkëpunimit të punës së saj nga ana e institucioneve shtetërore".

"Në këtë rast duhet të kyçen institucionet më të larta, në radhë të parë mendoj në Gjykatën Supreme dhe gjykatat tjera, sepse në bazë të Ligjit të kodit penal të Republikës së Maqedonisë, refuzimi i bashkëpunimit dhe mosdhënia e informacioneve për zbulimin e veprave penale paraqet vepër penale dhe bartësit e këtyre institucioneve, por edhe të punësuarit në të në të ardhmen mund të gjinden para drejtësisë, respektivisht të përgjigjen penalisht për shkelje të ligjit”, thekson Naser Ziberi.

Ndërkaq, Jove Kekenovski, profesor universitar, vlerëson se Prokuroria Speciale edhe përkundër pengesave të shumta që i bëhen gjatë punës së saj duhet të shfrytëzojë të gjitha mekanizmat me të cilat disponon për të zbardhur rastet që lidhen me përfshihen e zyrtarëve të lartë të shtetit në korrupsion.

“Në bisedat e përgjuara dëgjuam se shumë firma janë hapur dhe më pas të njëjtat janë mbyllur që në formë indirekte nxjerr në pah keqpërdorimin e tyre nga ana e personave të caktuar të cilët kanë qenë të afërt me pushtetin për larje të parave. Mua më habit fakti që punonjësit e Regjistrit Qendror kanë refuzuar të bashkëpunojnë duke e ditur se kjo paraqet vepër penale”, thekson Kekenovski.

Prokurorja Speciale Publike, Katica Janeva, gjatë kësaj jave ka theksuar se disponon me dëshmi që e vënë në pikëpyetje legjitimitetin e presidentit Gjorge Ivanov, deputetëve dhe Gjykatës Kushtetuese.

“Vlerësojmë se vet zgjedhja e presidentit dhe gjykatësve kushtetues, të gjitha këto janë institucione jo-legjitime dhe duhet ta respektojnë Prokurorinë Speciale në hetimet për ta konfirmuar vërtetësinë”, është shprehur Janeva.

Kjo deklaratë ka nxitur reagime të ashpra veçanërisht nga ana Presidentit të Maqedonisë si dhe përfaqësuesit e VMRO-DPMNE-së në pushtet e cila drejtohet nga ish kryeministri Nikolla Gruevski, të cilët i kanë kujtuar Janevës se ajo është zgjedhur nga Parlamenti dhe në bazë të kësaj deklarate vihet në pikëpyetje edhe legjitimiteti i saj.

XS
SM
MD
LG