Ndërlidhjet

Për gjashtë muaj, mbi 70 operacione në zemër të hapur


Klinika e Kardiokirurgjisë, në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës që nga tetori i vitit të kaluar kur edhe është funksionalizuar në tërësi, ka kryer rreth 70 operacione në zemër të hapur.

Edhe përkundër mungesës së madhe të resurseve njerëzore në këtë klinikë, ku punojnë vetëm dy kardiokirurgë, ky shërbim po funksionon 24 orë.

Kështu ka thënë zëvendësministri i Shëndetësisë Izet Sadiku për Radion Evropa e Lirë.

“Kardiokirurgjia në QKUK është hapur në vitin 2013, por nuk ka arritur të funksionalizohet. Më 4 tetor të vitit të kaluar ka filluar puna pas formimit të një këshilli profesional për funksionalizim. Operacioni i parë është bërë më 21 tetor dhe deri më tash janë bërë mbi 65 operacione në zemër të hapur. Numri i operacioneve është më i madh se pritshmëria”, ka thënë Sadiku.

Raif Qavolli, kardiokirurg në Klinikën Kardiologjike në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës, thotë se me gjithë mungesën e resurseve njerëzore, puna në këtë klinikë po kryhet.

“Është një sukses mjaft i madh pasi që janë kryer 70 operacione në zemër prej tetorit të vitit 2015. Përkrahje nga Ministria e Shëndetësisë dhe drejtoria e QKUK-së nuk po mungon meqë është klinikë më specifike. Kërkesat janë më të mëdha se që mund të kryejmë operime. Lista e pritjes ekziston dhe pacientit i bie të pres për operim deri në 3 muaj, gjë që mendoj se nuk është shumë”, ka thënë Qavolli.

Në anën tjetër, zëvendësministri Izet Sadiku thotë se Klinikën e Kardiokirurgjisë e ndihmon edhe qeveria italiane e cila ka ndarë 400 mijë euro për pajisje mjekësore.

Po ashtu, thekson ai, do të do të ndihmohet edhe stafi nga mjekët italianë për eksperienca të reja, duke u trajnuar për kardiokirurgji.

Sadiku përmend edhe shumën që Qeveria e Kosovës ndanë për këtë fushë.

“Ne gjithashtu kemi ndarë 300 mijë euro për kardiokirurgjinë dhe kardiologjinë invazive, ku edhe do të kategorizojë stafin e kardiokirurgjisë dhe do të jetë një pagesë shtesë derisa të fillojë sigurimi shëndetësorë ku edhe do të rregullojë çështjen e pagesës sipas performancës”, ka thënë Sadiku.

Operacionet në zemër të hapur, një shërbim që gjatë viteve nuk ka mundur të kryhet në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës, pacientët e kanë bërë jashtë institucioneve publike shëndetësore.

Shuma vjetore që Ministria e Shëndetësisë ka të ndarë për programin e trajtimit të pacientëve jashtë vendit, është dy milionë euro në vit, ndërkohë që kërkesat nga pacientët janë shumë më të mëdha.

Po ashtu, edhe rastet e fëmijëve të lindur me anomali në zemër, vazhdojnë të mos operohen në Kosovë. Kjo në mungesë të shërbimit të Kardiokirurgjisë Pediatrike.

Gjatë një viti, sipas profesionistëve shëndetësorë, rreth 150 fëmijë kërkojnë ndihmë për intervenim në zemër.

XS
SM
MD
LG