Ndërlidhjet

logo-print

Shtyrja për një datë të pacaktuar, siç është thënë, e mbajtjes së protestës së opozitës, e cila ishte planifikuar për ditën e shtunë, 26 mars, si dhe deklaratat që kanë ardhur nga liderët opozitarë, në fakt, shënojnë fundin e të ashtuquajturës “opozitë e bashkuar”, vlerësojnë njohësit e zhvillimeve politike në vend.

Ditën e premte, kryetari të partisë opozitare Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, kishte theksuar se nuk është i gatshëm t’i ndjekë metodat e të protestuarit të Lëvizjes Vetëvendosje, ndërkohë që deklaratat e tilla, nga përfaqësues të Lëvizjes Vetëvendosje, ishin cilësuar si fyerje për deputetët opozitarë.

Për më shumë, shefja e grupit parlamentar të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Donika Kadaj Bujupi, ka dhënë dorëheqje nga ky subjekt.

Albert Krasniqi, analist i Institutit Demokratik të Kosovës, duke folur për Radion Evropa e lirë, rikujton se tri subjektet opozitare, Lëvizja Vetëvendosje, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës dhe Nisma për Kosovën, janë bashkuar në dy kërkesa përballë ekzekutivit të vendit, anulimin e marrëveshjes për Asociacionin e Komunave me shumicë serbe dhe anulimin e marrëveshjes për demarkacionin e kufirit me Malin e Zi.

Sipas tij, partitë opozitare edhe më parë kanë shprehur rezervat për metodat, të cilat i kanë përdorur për kundërshtimin e këtyre dy marrëveshjeve.

“Këto dy marrëveshje, të cilat janë kundërshtuar, nuk kanë qenë të dyja të njëanshme, por një bashkim i të dy kërkesave prej dy subjekteve të ndryshme politike. Me gjithë këto pakënaqësi që ata i kanë shprehur gjatë rrugës, prapë ka qenë një unifikim për një kohë goxha të gjatë dhe nëse për këtë kohë nuk merret rezultati i synuar, atëherë është e natyrshme që të ketë pakënaqësi të brendshme dhe të tentohet që në mënyra të ndryshme të dilet nga kjo krizë politike, në të cilën tash e 7 muaj është vendi”, tha Krasniqi.

Halil Matoshi, analist i çështjeve politike, thotë për Radion Evropa e Lirë se plasaritjet ndërmjet tri subjekteve opozitare, që sipas tij janë shpërfaqur publikisht ditën e premte, shënojnë fundin e siç e quan ai, opozitës së bashkuar.

Ai ka shprehur mendimin se në këtë situatë, zoti Haradinaj mund të ketë ofertë nga koalicioni qeveritar që të jetë pjesë e një riformatizimi eventual të qeverisë.

“Gjithsesi, pushteti, tashmë është e qartë se e ka ofertuar AAK-në dhe Ramush Haradinaj, tash e ndoshta 3 apo 4 muajt e fundit dhe ky nuk është ndonjë sekret. Mund të thuhet se është sekret publik se ka pasur takime, ofertë. Mirëpo, zoti Haradinaj dhe partia e tij, sigurisht që në ndërkohë, kanë dashur që ta rrisin atë që thuhet ‘pazarin politik’. Çarjen, përfundimisht e dëshmon edhe ikja e Donika Kadajt nga AAK-ja”.

Analisti Matoshi, ka shtuar se situata e krijuar, vjen vetëm pak ditë pas paralajmërimeve që kishte bërë kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, për “një ftesë të veçantë dhe shumë serioze për opozitën” ku nuk është përjashtuar as mundësia e zgjedhjeve të parakohshme.

Sipas Matoshit, situata e tanishme është uverturë drejt zgjedhjeve.

“Edhe zoti (Hashim)Thaçi, pas zgjedhjes së tij në postin e kryetarit të shtetit, por edhe zoti Veseli dhe të tjerët, kanë filluar që të flasin hapur për mundësinë e zgjedhjeve të parakohshme. Kjo, gjithnjë sipas meje, çon në konkludimin që nëse zoti Haradinaj bëhet pjesë e Qeverisë së Kosovës, atëherë zgjedhjet do të shtyhen për pranverën e vitit të ardhshëm, që të shkohet njëkohësisht me zgjedh je nacionale dhe vendore".

"Nëse zoti Haradinaj, eventualisht nuk pranon që të jetë pjesë e pushtetit, atëherë unë mendoj se zgjedhje të parakohshme mund të kemi në vjeshtën e sivjetme”.

Në anën tjetër, analisti Krasniqi, vlerëson se situata e krijuar tregon paaftësinë e subjekteve dhe grupeve politike në vend për të zgjidhur situatat me dialog politik.

“Ajo që del në pah këtu është se, edhe në të kaluarën, të gjitha mosmarrëveshjet politike nuk po arrijnë të zgjidhen përmes një dialogu, por gjithmonë po janë këto prapaskenat dhe këto ndarjet e përçarjet brenda grupeve, për të qenë më pas si mundësi që mund të shfrytëzohet për dalje nga kriza politike".

"Është një tregues i keq se akoma jemi prapa në kulturën e komunikimit dhe të bërjes politikë dhe po përdoren metoda, nëse mund t’i quaj kushtimisht, primitive të daljes nga krizat politike”, shtoi Krasniqi.

Analisti Matoshi ka theksuar se në rast se Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës përafrohet tani me pushtetin, atëherë kjo çon në konkluzionin se ky subjekt mund të jetë në të ardhmen partner i koalicionit me Partinë Demokratike të Kosovës.

  • 16x9 Image

    Bekim Bislimi

    Bekim Bislimi ka lindur më 20. 03. 1968 në Vërban të Vitisë. Prej muajit dhjetor të vitit 2001 e deri më tash punon si korrespondent i Radios Evropa e Lirë, për shërbimin në gjuhën shqipe.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG