Ndërlidhjet

Thirrjet për “Serbinë e Madhe” janë kriminale


Vojisllav Sheshel (i dyti në të majtë) - Benkovac, Kroaci, 1991.
Vojisllav Sheshel (i dyti në të majtë) - Benkovac, Kroaci, 1991.

Mark Ellis, drejtor ekzekutiv i Shoqatës së Avokatëve Ndërkombëtarë, ka ndjekur nga afër punën e Gjykatës Ndërkombëtare për Krime Lufte në ish-Jugosllavi.

Ai mendon se gjykatësit kanë marrë vendim të gabuar më 31 mars, kur kanë liruar udhëheqësin e Partisë Radikale Serbe, Vojisllav Sheshel, nga të gjitha akuzat për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit – përfshirë vrasje, persekutime dhe dëbime në Bosnje dhe Hercegovinë, Kroaci dhe Serbi.

Ellis, në një intervistë për Radion Evropa e Lirë, thotë se kryeprokurori i rastit duhet të apelojë vendimin e Gjykatës Ndërkombëtare për Krime Lufte për shkak të, siç shprehet, gabimeve në fakte dhe lajthitjeve nga ligji.

Ellis: Është një rast që nuk përfshin një udhëheqës ushtarak si (Ratko) Mlladiq apo (Radovan) Karaxhiq. Por, ky është më shumë nga perspektiva e një lideri politik. Fokusi është te lidhja dhe përgjegjësia midis këtij udhëheqësi politik dhe krimeve që janë kryer. Mendoj se gjykimi është jashtëzakonisht i vrazhdë dhe jashtë bazës. Ka tendencë të injorojë, të zhvlerësojë dhe sigurisht të shpërfillë vendimet e mëparshme të gjykatës dhe parimet e përgjithshme në të drejtën penale ndërkombëtare. Është një vendim që vështirë se mund të mbrohet. Atij gjithashtu i mungon një koherencë me ligjin ekzistues në disa fusha.

Radio Evropa e Lirë:

Gjykatësi Jean-Claude Antonetti ka konstatuar në vendimin për Sheshelin se “propaganda e ideologjive nacionaliste nuk është kriminale” dhe se “prokuroria ka dështuar të krijojë një lidhje konkrete midis fjalimeve nacionaliste të Sheshelit dhe krimeve të kryera”. Cili është reagimi juaj për këtë?

Ellis: Unë thjesht nuk pajtohem me këtë pozicion. Jurisprudenca në tribunalet ndërkombëtare, jo vetëm në Gjykatën Ndërkombëtare për Krime Lufte në ish-Jugosllavi, është e qartë në këtë. Fjalimi ndezës mund të nxitë individë të kryejnë krime dhe pikërisht kjo ka ndodhur në këtë rast. Vullnetarët (paraushtarakë) janë dërguar në front. Këta vullnetarë kanë shkuar për të kryer vrasje, për të zhvendosur familje, për shkak të përkatësisë etnike. Një individ mund të mos jetë drejtpërdrejt përgjegjës për këto vrasje ose zhvendosje, por ai është i përfshirë me nxitje ose inkurajim. Kjo është ajo që ka argumentuar edhe prokurori. Unë mendoj se ka pasur prova për ta mbështetur këtë. Shumica e gjykatësve kanë menduar se jo. Por, të thuash se nxitja politike me fjalim ndezës nuk është relevante për këto lloj gjykimesh, nuk mendoj se është e vërtetë.

Radio Evropa e Lirë:

Marrë parasysh thirrjet nxitëse të Sheshelit në fillim të viteve 1990, për krijimin e “Serbisë së Madhe” në kurriz të etnive të tjera në Ballkan, a jeni i habitur me vendimin e Gjykatës në Hagë për lirimin e tij?

Ellis: Jam habitur se si gjykata ka kufizuar veten në këtë lloj analize dhe nuk ka ndjekur jurisprudencën e tribunalit, që, sipas mendimit tim, e bën këtë synim politik të “Serbisë së Madhe” pjesë të një ndërmarrjeje të përbashkët kriminale që ka ekzistuar. Dhe, ajo ka ekzistuar për t’i kryer këto vepra kriminale. Kjo ndërmarrje e përbashkët ka pasur në zemër, në thelb këtë qëllim të krijimit të “Serbisë së Madhe”. Të sugjerosh se kjo nuk është relevante me veprat kriminale që kanë ndodhur, mendoj se është gabim. Mendoj se Gjykata e Apelit do të shohë në këtë mënyrë dhe do ta kthejë mbrapsht vendimin.

Radio Evropa e Lirë:

Me çfarë problemesh janë përballur prokurorët e Gjykatës në Hagë, të cilat kanë bërë që gjykatësit të thonë se ata nuk kanë paraqitur prova të mjaftueshme, që dëshmojnë lidhje të drejtpërdrejta midis fjalimeve nacionaliste të Sheshelit dhe krimeve që kanë kryer vullnetarët paraushtarakë?

Ellis: Prokuroria është mbështetur në një numër dëshmitarësh dhe mbështetja në ata dëshmitarë është shpërbërë më vonë. Dëshmitarët kanë nisur të hezitojnë për të dhënë dëshmi dhe për të marrë pjesë në këtë procedurë. Ky ka qenë njëri nga problemet më të mëdha në këto gjykime. Kur dëshmitarët frikësohen, ata mendojnë se nuk mund të vazhdojnë më, sepse jetojnë në territorin e njëjtë ku kanë ndodhur krimet dhe presioni mbi ta është shumë i madh.

Radio Evropa e Lirë:

Po në lidhje me procesin e apelit? A do të jetë ai një proces i gjatë?

Ellis: Do të zgjatet, sepse, siç e dimë, Tribunali (i Hagës) në thelb ka përfunduar mandatin e tij. Por, është krijuar një mekanizëm që lejon që ky proces të vazhdojë, përfshirë procesin e apelit. Përfundimisht duhet të ketë proces apeli në këtë rast. Prokurori ka 30 ditë kohë për të njoftuar nëse do ta apelojë vendimin ose jo. Më pastaj, do t’i ketë 90 ditë për të bërë apelin dhe procesi do të nisë. Pra, nuk do të jetë një periudhë 10-vjeçare. Procesi i apelit është për të përcaktuar nëse ka pasur gabime në fakte ose lajthitje nga ligji. Këtë do ta shqyrtojë gjykata e apelit. Dhe, unë mendoj se ka prova për të dyja. Dhoma gjyqësore ka gabuar edhe në interpretimin e ligjit, edhe në interpretimin e fakteve.

Përgatiti: Valona Tela
XS
SM
MD
LG