Ndërlidhjet

A po rrezikohet mbajtja zgjedhjeve të qershorit në Maqedoni?


Foto nga arkivi
Foto nga arkivi

Të dielën skadon afati i përcaktuar nga Komisioni Shtetëror i Zgjedhjeve në Maqedoni, për kontrollimin e listës së votuesve në terren, si një nga shtyllat kryesore të marrëveshjes politike që i hap rrugë mbajtjes së zgjedhjeve të parakohshme parlamentare.

Nga KSHZ-ja për Radion Evropa eLirë thonë se "procesi i kontrollit të listës së votuesve do të arrihet të realizohet në afatin e paraparë, ndonëse mund të shtyhet për disa ditë, megjithëse ky prolongim nuk do të rrezikojë mbajtjen e zgjedhjeve të përcaktuar më 5 qershor".

Por, organizata joqeveritare MOST, e cila ka monitoruar ciklet zgjedhore gjatë 14 vjetëve të fundit me një numër të madh vëzhguesish, vlerëson se më me interes të organizimit të zgjedhjeve të besueshme është cilësia e procesit, e jo data se kur duhet të realizohet. Sipas kësaj organizate, periudha për t’i përditësuar të dhënat e listës zgjedhore, është shumë e shkurtër.

Nga asociacioni MOST theksojnë se pas verifikimit në terren të votuesve, të cilët janëkontestues, duhet të pësojnë ndryshime në shumë ligje, si : Ligji për vendbanim dhe qëndrim, Ligji për letërnjoftimet, Ligji për procedurën administrative dhe Ligjit për konteste, me qëllim që të shpejtohet procedura e pastrimit të listës zgjedhore.

Darko Aleksov, drejtues i asociacionit MOST, sqaron se për pastrimin e listës zgjedhore, sipas vendimeve të propozuara ligjore, do të nevojiten vetëm 70 ditë, ndërkaq sipas ligjeve aktuale, për të pasur listë të pastër zgjedhore, nevojiten 1 deri në 1 vit e gjysmë.

“Bëjmë thirrje te të gjitha institucionet kompetente dhe te ministritë përkatëse, e posaçërisht te Kuvendi i Republikës së Maqedonisë, si bartës i pushtetit ligjvënës, që t’i rishikojnë këto propozim-ligje. Nëse nuk ndërmerren ndryshime të tilla, katër partitë më të mëdha në vend do të duhet që në mënyrë konsensuale të vendosin se si do të trajtohen këta qytetarë, për të cilët do të fillojë procedura e anulimit të letërnjoftimit dhe vendbanimit, gjëra që nuk do të mund të realizohen me kohë”, thotë Aleksov.

Por, asnjë nga dikasteret ministrore, e as nga Kuvendi i Maqedonisë nuk janë prononcuar rreth kërkesës së asociacionit, për ndryshimet ligjore për të përshpejtuar procesin e pastrimit dhe rifreskimit të listës zgjedhore.

Njohësit e çështjeve politike janë të mendimit se institucionet e shtetit nuk arrijnë të funksionojnë me kapacitetin e duhur për të krijuar kushte për zgjedhje të mirëfillta në datën e caktuar, më 5 qershor, si rrjedhojë e ngërçit që kanë krijuar zhvillimet e fundit politik,e përfshirë këtu dhe largimin ministrave shqiptarë nga Qeveria e Maqedonisë.

Arsim Sinani, analist, konsideron se nevojitet hapësirë më e madhe kohore, për përgatitjen e zgjedhjeve.

“Aktualisht, nuk kemi asnjë institucion që ka besueshmëri, prandaj kam dyshime në të gjitha përpjekjet që bëhen që zgjedhjet të mbahen më 5 qershor, sepse kemi krizë. Nuk e besoj se azhurnimi i listës zgjedhore mund të bëhet për një kohë të shkurtër, siç është paraparë tani, mendoj se nevojitet më shumë kohë”.

“Nëse do të insistohet të mbahen zgjedhjet ashtu siç dëshirojnë partitë në pushtet, unë mendoj se ato edhe mund të mbahen. Por, një gjë është më se e sigurt, se në atë rast zgjedhjet nuk do të jenë të vlefshme dhe Maqedonia do tëfutej në një krizë edhe më të thellë politike”, vlerëson Sinani.

Ndërkohë, OSBE dhe ODIHR kanë javën që po e lëmë pas njoftuan se kanë filluar me misionin e vëzhgimit të zgjedhjeve të parakohshme të caktuara më5 qershor.

Megjithatë, nga OSBE dhe ODIHR nuk kanë dashur të komentojnë procesin e përgatitjes së Maqedonisë, sa i përket organizimit të zgjedhjeve njëherësh nuk kanë dhënë detaje as për nivelin e gatishmërisë të Komisionit Shtetëror Zgjedhor, si institucion i cili duhet të përgatisë dhe organizojë zgjedhjet duke theksuar vetëm atë se OSBE dhe ODHIR kanë vendosur raporte të mira me këtë institucion.

XS
SM
MD
LG