Ndërlidhjet

logo-print

Armenia paralajmëron luftë të shkallës së gjerë me Azerbajxhanin


Nagorno Karabak

Nagorno Karabak

Armenia ka paralajmëruar se ringjallja e armiqësive për rajonin separatist të Azerbajxhanit, Nagorno Karabak, mund të çojë në luftë të shkallës së gjerë dhe në njohje të territorit si shtet i pavarur.

Duke folur të hënën, në një takim me ambasadorë të Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë, presidenti i Armenisë, Serzh Sarkisian, ka thënë se përshkallëzimi i mëtejshëm i luftimeve mund te këtë “pasoja të paparashikueshme dhe të pakthyeshme, përfshirë luftë të shkallës së gjerë”.

“Duhet të theksoj se nëse armiqësitë vazhdojnë dhe kalojnë në shkallë të gjerë, Republika e Armenisë do të njohë pavarësinë e Karabakut”, ka thënë Sarkisian.

Nagorno Karabaku është territor brenda Azerbajxhanit, por që kontrollohet nga armenët etnikë.

Azerbajxhani dhe Armenia kanë qenë në konflikt për të për vite me radhë dhe përpjekjet diplomatike për ta zgjidhur atë kanë sjellë pak përparim.

Luftime të ashpra midis palëve kanë nisur qysh të shtunën.

Të hënën, Azerbajxhani ka bërë të ditur se edhe tre ushtarë të tij janë vrarë, duke çuar në 15 numrin total të ushtarëve azerbajxhanas që janë raportuar të vrarë.

Pala armene ka raportuar për 18 ushtarë armenë të vrarë.

XS
SM
MD
LG