Ndërlidhjet

Inaugurimi i presidentit me ceremoni, por pa opozitën


Përgatitjet e përgjithshme për dy ceremonitë, që janë planifikuar të mbahen me 7 dhe 8 prill, për inaugurimin e presidentit të ri të Kosovës, tashmë janë në përfundim e sipër, konfirmojnë zyrtarët e Zyrës së presidentit të zgjedhur të Kosovës, Hashim Thaçi.

Siç kanë theksuar ata, të enjten, më 7 prill, Kuvendi i Kosovës do të mbajë mbledhjen plenare solemne, ku presidenti i zgjedhur, Hashim Thaçi do ta bëjë betimin, me ç’rast edhe formalisht e merr detyrën e presidentit të vendit.

Ndërkaq, të premten, më 8 prill, në sheshin Skënderbeu, që gjendet pranë objekteve të Kuvendit dhe Qeverisë së Kosovës, do të organizohet një ceremoni festive solemne, në të cilën do të shënohet dorëzim - pranimi i detyrës nga presidentja Atifete Jahjaga te presidenti i ri Thaçi, si dhe inaugurimi i presidentit të ri me një fjalim solemn.

Adian Arifaj, këshilltar i parë i presidentit të zgjedhur Thaçi, duke folur përRadion Evropa e Lirë, thotë se në ceremoninë inauguruese të presidentit të ri, do të jenë pjesëmarrës përfaqësues të institucioneve të ndryshme të vendit, të fushave të ndryshme, dhe mysafirë nga një numër i madh i vendeve të botës.

“Janë ftuar 1 mijë personalitete nga Kosova, përfaqësues të institucioneve qeveritare, të institucioneve shtetërore, nga bota e akademisë, artit, kulturës, sportit. Janë ftuar mysafirë nga rajoni dhe nga e tërë bota, nga shtetet me të cilat kemi marrëdhënie bilaterale, por kemi edhe mysafirë nga shtetet, të cilat ndonëse ende nuk e kanë njohur ende Kosovën, e përkrahin atë".

"Pra, kemi një numër shumë të madh të mysafirëve, të cilët do të jenë atë ditë në sheshin Skënderbeu, për të marrë pjesë në ceremoninë e inaugurimit të presidentit të ri”.

Arifaj, gjithashtu, ka shtuar se ceremonia e inaugurimit të presidentit të ri të vendit, është ceremoni shtetërore dhe aty janë ftuar edhe përfaqësuesit e opozitës.

“Është hera e parë kur ne do të kemi një pranim-dorëzim detyre nga një president te presidenti tjetër. Po instalojmë një praktikë, një traditë të re në Kosovë, si shtet i ri, e cila do të përcillet edhe pas 5 vjetësh, 10 vjetësh, sa herë të kemi ndërrimin e presidentit në Kosovë".

"Prandaj, është ftuar çdokush, çdo përfaqësues i institucioneve të rëndësishme të shtetit të Kosovës, përfshirë edhe opozitën. Për Zyrën e presidentit, edhe ashtu nuk ka opozitë apo parti në pushtet. Të gjitha partitë e spektrit politik të Kosovës janë të njëjta”, tha Arifaj.

Në anën tjetër, partitë opozitare në Kosovë, Lëvizja Vetëvendosje, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës dhe Nisma për Kosovën, të cilat e kanë kundërshtuar ashpër zgjedhjen e Hashim Thaçit për president të ri të Kosovës, ende nuk kanë pasur ndonjë takim të përbashkët, për tu marrë vesh, siç është thënë, për veprime të përbashkëta që ndërlidhen me inaugurimin e presidentit të ri të Kosovës.

Lëvizja Vetëvendosje, si subjekt më i madh opozitar në Kuvendin e Kosovës, në një përgjigje përmes postës elektronike, i ka thënë Radios Evropa e Lirë se nuk do të merr pjesë në seancën e Kuvendit, të 7 prillit.

“Si opozitë kemi vendosur të mos marrim pjesë në Kuvend, kurse si Vetëvendosje do të kthehemi vetëm në rastet kur do të ketë vendime të rëndësishme si p.sh. sjellja e statutit të "Zajednicës" (term ky për Asociacionin e komunave me shumicë serbe) apo tentim-ratifikimi eventual i demarkacionit me Malin e Zi”, ka thënë Lëvizja Vetëvendosje.

Edhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, e cila edhe më herët ka hequr dorë nga pjesëmarrja në Kuvend, e ka përjashtuar tërësisht një pjesëmarrje të tillë. Këtë e ka konfirmuar për Radion Evropa e Lirë, zëdhënësi i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Muharrem Nitaj, i cili po ashtu ka konfirmuar se nuk ka pasur ndonjë takim të subjekteve opozitare për të diskutuar veprimet eventuale në ditën e inaugurimit të presidentit të ri.

“Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës e ka pasur qëndrimin e vet lidhur me votimin e presidentit, e ka kundërshtuar fuqishëm edhe në Kuvend, por edhe me protesta në rrugë. Ne kemi dalë nga Kuvendi dhe nuk marrim pjesë në ditën kur pritet që presidenti ta japë betimin. Sigurisht që do të kemi disa nisma simbolike për ta kundërshtuar edhe një herë zgjedhjen e tij president. Ndërkaq, sa i përket opozitës së bashkuar, nuk kemi pasur ndonjë takim ose pajtim se çka eventualisht do të mund të bënim”, ka thënë Nitaj.

Zyra e presidentit të zgjedhur të Kosovës, ka njoftuar se deri më tash, 50 vende, delegacionet e të cilave janë ftuar në ceremoninë inauguruese të presidentit të ri të Kosovës, tashmë e kanë konfirmuar ardhjen në këtë ceremoni.

Zgjedhja e Hashim Thaçit për president të ri të Kosovës, është përcjellë me kundërshtime të partive opozitare në Kuvend dhe me protesta në rrugë.

Gjithashtu, partitë opozitare kishin kërkuar nga Gjykata Kushtetuese e Kosovës një masë të përkohshme dhe kërkesa për dëgjim publik, me pretendimin se zgjedhja e Hashim Thaçit në postin e presidentit të Kosovës, nuk kishte përfillur dispozitat Kushtetuese.

Gjykata Kushtetuese e ka deklaruar të papranueshme kërkesën e partive opozitare, duke sjellë vendimin se zgjedhja e Hashim Thaçit në postin e presidentit është bërë në përputhje me Kushtetutën e Kosovës.

XS
SM
MD
LG