Ndërlidhjet

logo-print

Cameron “rrëfehet” për Letrat e Panamasë

  • RFE /RL

David Cameron

David Cameron

Kryeministri i Britanisë, David Cameron, ka pranuar se ka mundur të trajtojë më mirë marrëveshjet tatimore të familjes së tij, por ka thënë se do të marrë mësim nga Letrat e Panamasë.

Këto letra, të cilat kanë rrjedhur këtë javë nga një firmë ligjore në Panama, kanë zbuluar se dhjetëra figura globale kanë të fshehura shuma të mëdha parash jashtë vendeve të tyre. Në këto letra është përmendur edhe babai i kryeministrit britanik.

Cameron ka pranuar këtë javë se ai ka pasur aksione në pasurinë e babait të tij jashtë vendit, porse më vonë i ka shitur ato.

Të shtunën, ai është zotuar se do të publikojë informacione për kthimin tatimor.

Nuk ka qenë një javë e mirë. E di se kam mundur ta trajtoj më mirë këtë çështje, por do të marr mësim. Mos fajësoni këshilltarë pa emra, më fajësoni mua”, ka thënë Cameron, duke iu adresuar aktivistëve të Partisë Konservatore në Londër.

Udhëheqësi i Partisë Laburiste, Jeremy Corbyn, ka thënë se Cameron ka “mashtruar publikun” në lidhje me çështjet e tij financiare dhe se “ka humbur besimin e popullit britanik”.

Nga firma ligjore në Panama, Mossack Fonseca, kanë rrjedhur mbi 11 milionë dokumente që implikojnë figura nga presidenti rus, Vladimir Putin, deri tek ylli i futbollit, Lionel Messi.

Dokumentet kanë zbuluar se babai i ndjerë i Cameronit, Ian, ka qenë klient i firmës ligjore, Mossack Fonseca, kur ka krijuar një fond për investitorë.

“Kam qenë shumë i zemëruar me atë që njerëzit kanë thënë për babanë tim. Unë e kam dashur babanë dhe më mungon çdo ditë. Ka qenë baba i shkëlqyer dhe jam krenar me të. Faktet janë këto: kam blerë aksione në një kartelë, aksione si të gjitha të tjerat dhe kam paguar taksa për to. I kam shitur ato aksione. Në fakt, i kam shitur të gjitha aksionet që kam pasur në pronësi për t’u bërë kryeministër”, ka sqaruar sërish Cameron.

Qindra protestues nga partitë rivale janë mbledhur të shtunën në Londër, duke kërkuar dorëheqjen e Cameronit.

Letrat e Panamasë kanë bërë që kryeministri i Islandës, Sigmundur Gunnlaugsson, të japë dorëheqje, pasi emri i tij është përmendur po ashtu në këto zbulime.

Përgatiti: Valona Tela
XS
SM
MD
LG