Ndërlidhjet

logo-print

Numri edhe më i madh i produkteve të vendeve të Bashkimit Evropian, të cilat do të hyjnë në Kosovë, si rezultat i hyrjes në fuqi të Marrëveshjes së Stabilizim Asocimit (MSA), do të bëjë që disa kompani vendëse të ulin nivelin e prodhimit, thonë përfaqësues të bizneseve në Kosovë.

Ulja e nivelit të prodhimit tek kompanitë vendore, thonë ata, mund të vijë nga konkurrenca e madhe e produkteve të vendeve të Bashkimit Evropian. Kjo ulje e prodhimit, konsiderohet se mund të lë pa punë shumë të punësuar në këto kompani.

Drejtori ekzekutiv i Këshillit të Investitorëve Evropian në Kosovë, Shpend Balija, në një prononcim për Radion Evropa e Lirë, flet për efektin që do të ketë konkurrenca e produkteve të Bashkimit Evropian në Kosovë.

“Me hyrjen tash në fuqi të Marrëveshjes së Stabilizim Asocimit, bizneset vendore kanë një mundësi shumë të mirë, por, në të njëjtën kohë këto bizneset kanë një sfidë sa i përket konkurrueshmërisë, sepse produktet evropiane do të vinë dhe do të bëjnë garë direkt me kompanitë vendore, dhe kjo mund të çojë edhe deri tek aspekti negativ, ku kompanitë detyrohen të largojnë persona nga vendi i punës nëse nuk gjenerohen të hyra të mjaftueshme”, thotë Balija.

Cilësia e produkteve evropiane krahasuar me ato të Kosovës, vlerësohet të jetë më e mirë se sa atyre nga Kosova.

Kjo cilësi më e mirë e produkteve evropiane dhe më gjerë, sigurisht, besohet se vjen si rezultat i nivelit të lartë të zhvillimit të këtyre shteteve.

Ndërkohë, MSA-ja, është vlerësuar se Kosovës posaçërisht bizneseve të vendit i hap dyer për pjesëmarrje aktive në tregun prej 500 milionë banorësh, ku rrjedhimisht do rritë marrëdhëniet tregtare në mes të Kosovës dhe vendeve të BE-së.

Por, në këtë treg prej 500 milionë banorëve, vlerësohet se do të jetë mjaftë sfiduese të depërtojnë të gjitha kompanitë e Kosovës, pasi që cilësia e produkteve nga Kosova, në këtë rast mbetet e nivelit më të ulët.

Lidhur me ngritjen e cilësisë dhe përballjen me konkurrencën me produktet që vinë nga Bashkimi Evropian, Shpend Balija, thotë se bizneseve duhet t'ju ofrohet subvencione dhe politika të mirë ekonomike.

“Prandaj, qeveria dhe ministritë përkatëse duhet të fokusohen në mbështetje e kompanive vendore prodhuese si dhe kompanive të huaja që investojnë në Kosovë në mënyrë që këto komani prodhuese të jenë më konkurrente me kompanitë nga shtetet evropiane, të cilat tani kanë një qasje drejtpërdrejt të importit të produktit pa doganë”, thotë Balija.

Në anën tjetër, pronari i kompanisë “Frutex” nga Suhareka, Shaqir Palushi, në një prononcim për Radion Evropa e Lirë, thotë se shtimi i konkurrencës, nuk duhet të rrezikon kompanitë vendore.

Megjithatë, sipas tij, përballë kësaj konkurrence kompanitë vendore duhet të ndihmohen nga mekanizmat shtetërorë.

“Unë mendoj që mund të jenë të rrezikuara kompanitë që nuk janë mirë të konsoliduar ai dhe ato që prodhojnë produkte jo kualitative. Derisa të gjitha kompanitë tjetra që qëndrojnë mirë në treg përkundrazi do të hapet një mundësi që të jenë prezent dhe edhe më fuqishëm edhe në vendet e BE-së”, thotë Palushi.

Rritja e cilësisë së produkteve nga Kosova, sipas bizneseve, pritet se mund të përmirësohet, pasi që në kuadër të MSA-së Komisioni Evropian, nëpërmjet fondeve të Instrumentit të Para-Anëtarësimit (IPA), deri në vitin 2020 do të investojë në Kosovë, mbi 600 milionë euro.

Nga kjo shumë e mjeteve do të përfitojnë edhe prodhuesit për t'i rritur dhe zgjeruar kapacitetet e tyre prodhuese dhe përpunuese.

Marrëveshja e Stabilizim Asociimit, si marrëveshja e parë kontraktuale ndërmjet Kosovës dhe Bashkimit Evropian, ka hyrë në fuqi më 1 prill të këtij viti.

Kjo marrëveshje, nga autoritetet e Kosovës po shihet si hapi i parë në kuadër të proceseve integruese evropiane.

  • 16x9 Image

    Luljeta Krasniqi - Veseli

    Luljeta Krasniqi, e lindur më 02.05.1981. Me gazetari ka filluar të merret që nga viti 2005. Për një kohë të gjatë ka punuar si gazetare në Agjencinë e lajmeve Kosovalive. Ekipit të Radios Evropa e Lirë i është bashkuar në vitin 2008.

XS
SM
MD
LG