Ndërlidhjet

Shtet-ndërtimi i Kosovës në “rrugë pa krye”

  • RFE /RL

Ilustrim

Ilustrim

Kriza me migrantë dhe problemet ekonomike janë duke kërcënuar mbijetesën e Bashkimit Evropian dhe qëndrueshmërinë e diktaturave të ngulitura në Euroazi, vlerëson raporti “Vendet në tranzicion, 2016”, i hartuar nga organizata joqeveritare Freedom House, me seli në Shtetet e Bashkura.

Në pjesën për Kosovën, raporti thekson se shtet-ndërtimi atje është futur në “rrugë pa krye” dhe se strukturat qeveritare, të ndërtuara për të mbajtur paqen, janë duke penguar përparimin.

Sipas raportit, ngecja politike dhe ekonomike është po ashtu duke nxitur zemërimin popullor.

Në tabelën prej 1 deri në 7 pikë, ku 1-shi paraqet nivelin më të lartë të përparimit demokratik dhe 7-ta me të ulëtin, Kosova ka 5.07 pikë, krahasuar me 5.14 sa ka pasur në vitin 2015.

“Kosova, performuesja më e keqe në Ballkan për vite me radhë, ka bërë ca përparim në ndërtimin e institucioneve në vitin 2015, edhe pse një krizë e rëndë midis opozitës dhe qeverisë ka bllokuar Kuvendin, duke kërcënuar dëmtimin e punës së Qeverisë në vitin 2016”, vlerëson raporti, duke përshkruar edhe, siç thuhet, “suksesin gradual në funksionalizimin e qeverisjes lokale dhe në mbrojtjen e mediave”.

Raporti thekson se Bashkimi Evropian e njeh Kosovën si kandidat potencial për anëtarësim, por vazhdon të shmangë përcaktimin përfundimtar për shtetësinë e saj.

Pavarësia e Kosovës nuk njihet ende nga pesë vende të BE-së: Greqia, Sllovakia, Spanja, Qiproja dhe Rumania.

Raporti i organizatës Freedom House vlerëson se dialogu midis Kosovës dhe Serbisë, për normalizim të marrëdhënieve, ka bërë përparim, por rezultatet e tij janë gjithnjë e më pak të pëlqyera nga populli, sidomos marrë parasysh shembullin negativ të Marrëveshjes së Dejtonit.

Kjo marrëveshje i ka dhënë fund luftës në Bosnje, në vitin 1995, por e ka ndarë vendin në dy entitete kryesisht autonome: Federata Myslimane-Kroate dhe Republika Sërpska.

Në hartën që ka krijuar Freedom House, Kosova po ashtu përshkruhet si “regjim gjysmë i konsoliduar autoritar”.

Në këtë kategori bëjnë pjesë vetëm edhe dy vende të tjera: Armenia dhe Kirgizia.

Ndërkaq, vendet e rajonit: Serbia, Mali i Zi dhe Kroacia cilësohen si demokraci gjysmë të konsoliduara, ndërsa Shqipëria, Maqedonia dhe Bosnje e Hercegovina si regjime tranzicionale ose hibride.

Në raportin e Freedom House, Kosova zë pozitën më të keqe në rajonin e Ballkanit Perëndimor, sa i përket papunësisë. Norma e përgjithshme e papunësisë në Kosovë, në vitin 2014, ka qenë mbi 30 përqind, ndërsa e të rinjve 61 përqind.

Freedom House sqaron se burim i të dhënave për papunësinë është Banka Botërore.

Organizata vë theksin po ashtu te migrimi, si dukuri që ka shënuar vitin 2015. Freedom House kujton se vetëm në tre muajt e parë të vitit të kaluar, mbi 50,000 kosovarë kanë kërkuar azil në vendet e Bashkimit Evropian.

Përgatiti: Valona Tela

Trego komentet

XS
SM
MD
LG