Ndërlidhjet

Tensione mes refugjatëve kurdë e afganë në Idomeni


Në kampin e migrantëve në Idomeni të Greqisë, të martën janë shënuar tensione me ç'rast dy grupe të migrantëve, kurdë dhe afganë, janë rrahur duke i vënë zjarrin një vagoni të trenit që policia greke ua kishte lënë në dispozicion migrantëve për akomodim.

Vagoni brenda së cilit ka pasur familje të akomoduara është djegur tërësisht por nuk ka informacione për të lënduar. Situata është qetësuar pas intervenimit të policisë greke.

Kastriot Rexhepi nga organizata humanitare "Nun Kultura" e cila vepron edhe në kampin Idomeni të Greqisë, thotë se tensionet në mesin e migrantëve janë si rrjedhojë e zhgënjimit të migrantëve të cilët më shumë se një muaj në kushte tejet të vështira kanë pritur për të vazhduar rrugën drejt Evropës.

“Çdo herë tensionim të situatës dhe probleme janë shfaqur kur ka pasur ndalesë të qarkullimit të lirë të migrantëve nga vendet e prekura nga lufta në Lindjen e Mesme. Gjithsesi se qëndrimi më shumë se dy muaj në këtë kamp në kushte tejet të vështira shkakton që tek kampet e refugjatëve të jetë më i theksuar nervozizmi në mesin e migrantëve të cilët tanimë kanë humbur durimin” thotë Rexhepi.

Ndërkohë nga dikasteri i policisë maqedonase, njoftojnë se gjendja përgjatë kufirit me Maqedoninë është e qetë dhe nuk ka tentativa nga ana e migrantëve për të kaluar ilegalisht kufirin.

“Gjendja përgjatë vijës kufitare Maqedoni-Greqi vazhdon të jetë e qetë. Nuk është vërejtur tentim për eskalimin e situatës në këtë zonë gjatë 24 orëve të fundit”, thekson për Radion Evropën e Lirë, Natalia Spiroska Kordiq.

Kriza e refugjatëve është temë kyçe në takimin me zyrtarët e Maqedonisë mes presidentit të Sllovenisë Borut Pahor dhe presidentes së Kroacisë, Kolinda Grabar-Kitaroviq gjatë vizitës së tyre dy ditore.

Pahor dhe Kitaroviq gjaë ditës së mërkurë do të vizitojnë dhe qendrën pranuese të migrantëve në Gjevgjeli në kufirin me Greqinë, ku do të bisedojnë me policët ndërkombëtarë të cilët e ndihmojnë policinë maqedonase për kontrollin e vijës kufitare.

Kjo vizitë vjen pas incidentit që ndodhi të dielën në Idomeni të Greqisë pasi qindra migrantë në mënyrë ilegale tentuan të hyjnë në Maqedoni, pas çka policia maqedonase për të penguar lëvizjen e migantëve përdori dhe gaz lotsjellës ku mbetën të lënduar rreth 200 migrantë dhe 23 pjesëtarë të policisë Maqedonisë..

Bllagoja Markoski nga Forumi Ballkanik për Siguri, thotë se ardhja e presidentit të Sllovenisë dhe asaj të Kroacisë është në funksion të afirmimit të vendimeve të Brukselit që ka të bëjë me khimin e migrantëve në Turqi si dhe mbylljen e rrugës ballkanike përmes së cilës migrantët nga Lindja e Mesme udhëtonin për në vendet e Bashkimit Evropian.

“Rruga ballkanike duhet të mbyllet konform vendimeve të cilat i ka sjellë Bashkimi Evropian dhe kjo sigurisht do të duhet të bëhet e qartë për tu kuptuar edhe nga ana e migrantëve. Gjithsesi se edhe shkëmbimi i informacioneve mes vendeve të Ballkanit Perëndimor është shumë i rëndësishëm për parandalimin e rrjeteve të ndryshme të cilët mirren me trafikimin e migrantëve”, thotë Markoski.

Ndërkaq presidenti i Maqedonisë, Gjorgje Ivanov, në një intervistë për mediat greke ka kërkuar që Bashkimi Evropian t'i ndihmojë Greqisë për ta zbrazur kampin e migrantëve në Idomeni, sepse siç ka thënë ai, nga ky kamp migrantët tentojnë që në mënyrë të paligjshme të kalojnë kufirin duke shkaktuar incidente në përpjekje për të aktivizuar korridorin e vendeve ballkanike, i cili është mbyllur me vendimin e fundit të Brukselit.

XS
SM
MD
LG