Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ka pritur sot ambasadorin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë, Greg Delawie.
Presidenti Thaçi e falënderoi ambasadorin amerikan për mbështetjen e fuqishme të SHBA-së, si partnere kryesore e Kosovës, dhe për bashkëpunimin e shkëlqyer për të cilin tha se do të forcohet edhe më tej, thuhet në faqen në Internet të presidentit të Kosovës.
Ai e njoftoi ambasadorin Delawie se do të angazhohet për reforma në sektorin e drejtësisë, në luftimin e korrupsionit dhe diskriminimit si dhe në dialog.
Mëtutje, zoti Thaçi e përshëndeti raportin vjetor të Departamentit Amerikan të Shtetit për të drejtat e njeriut në botë gjatë vitit 2015 dhe theksoi se do t'i kushtojë vëmendje të veçantë për të gjeturat në raport.