Ndërlidhjet

SHBA: Clinton dhe Sanders – akuza të ashpra reciproke


Hillary Clinton dhe Bernie Sanders duke u përshëndetur në fillim të debatit
Hillary Clinton dhe Bernie Sanders duke u përshëndetur në fillim të debatit

Kandidatët demokratë për nominim presidencial në Shtetet e Bashkuara, Hillary Clinton dhe Bernie Sanders, kanë këmbyer kritika të ashpra gjatë një debati të mbrëmbshëm televiziv në Bruklin, duke i kontestuar pikëpamjet e njëri-tjetrit, disa ditë para votimeve partiake madhore në Nju Jork.

Senatori nga Vermonti, Bernie Sanders, 74 vjeçar, që vetveten e paraqet si socialist demokratik, e ka sulmuar zonjën Clinton për marrje të parave nga Wall Streeti, duke i mbështetur marrëveshjet për treg të lirë dhe e ka akuzuar për mbështetje të invadimit amerikan në Irak në vitin 2003.

Ish-sekretarja amerikane e shtetit, Hillary Clinton, 68 vjeçare, e akuzoi zotin Sanders për sulme të rrejshme dhe e kritikoi atë, për atë që ajo e portretizoi si mungesë e dijenisë së thellë në çështjet politike.

Në një moment, debati ishte aq i ashpër sa që moderatori i rrjetit CNN u tha kandidatëve se “nëse ju klithni në njëri-tjetrin, atëherë shikuesit nuk do të jenë në gjendje t’ju dëgjojnë juve”.

Gara partiake zgjedhore në Nju Jork, që konsiderohet vendimtare, mbahet më 19 prill.

Zoti Sanders, i ka fituar 7 prej 8 garave të fundit zgjedhore partiake për nominim, por megjithatë nuk e ka rrezikuar udhëheqjen në numrin e delegatëve të zonjës Clinton.

Zgjedhjet presidenciale në Shtetet e Bashkuara mbahen më 8 nëntor.

XS
SM
MD
LG