Ndërlidhjet

Vlerësimi ndërkombëtar pritet t’i nxjerrë në shesh të metat e arsimit


Cilësia e arsimit në Kosovë do t’i nënshtrohet edhe sivjet vlerësimit ndërkombëtar.

Por, që në fillim, ekspertët nga kjo fushë shprehen të rezervuar dhe se pritjet e tyre nuk janë kënaqshme marrë parasysh gjendjen aktuale në arsim.

Programi për vlerësimin ndërkombëtar të nxënësve, i njohur me shkurtesën “PISA”, është ai i cili do të bëjë vlerësimin për njohuritë e nxënësve 15-vjeçarë në lexim, matematikë dhe shkencë.

Ky është studimi më i madh ndërkombëtar në botë për arsim.

Zyrtarët e Ministrisë së Arsimit Shkencës dhe Teknologjisë, kanë bërë të ditur se Kosova nga mesi i vitit 2015 i ishte nënshtruar për herë të parë një vlerësimi ndërkombëtar në arsim dhe se rezultatet e këtij testi, pritet të publikohen në fund të këtij viti.

Njohësit e arsimit në Kosovë, theksojnë se cilësia e dobët në arsimin parauniversitarë në Kosovë, do të reflektohet edhe në këtë test ndërkombëtarë për sistemin e arsimit.

Jusuf Thaçi, njohës i çështjeve të arsimit, në një bisedë për Radion Evropa e Lirë, thotë se rezultatet nuk mund të jenë të kënaqshme, dhe se Kosova mund të radhitet në mesin e shteteve me rezultatet më të ulëta.

“Në parim nuk mund të dimë se çfarë rezultate eventualisht do të dalin, por sigurisht se nuk do të jenë të kënaqshme. Nuk do të jenë edhe aq keq sa mund të pritet, aq keq sa do të mund të tregonin nivelin e dobët të arsimit në Kosovë”, thekson Thaçi.

Testi ndërkombëtar PISA, sqaron Thaçi, vlerëson nivelin aftësive të të kuptuarit dhe përdorimit të atyre informatave që nxënësi i ka, e që sipas tij, një pjesë e madhe e tyre jo domosdoshmërish varet edhe nga sistemi i shkollimit, por varet nga potenciali intelektual i nxënësve.

Në anën tjetër, drejtori i Këshillit të Prindërve, Bajram Beqiri, thotë se presin rezultate të mira nga ky test, por, siç thotë ai, për të qenë më të suksesshëm në vlerësime ndërkombëtare, duhen reforma në arsim.

“Ne si prindër jemi shumë të interesuar dhe të inkurajuar për këtë test, sepse kjo po i teston fëmijët tanë në mënyrë që të dimë se ku jemi në raport me fëmijët tjerë në botë. Institucionet arsimore ende nuk e kanë arritur efektin e dëshiruar. Fatkeqësisht ende po mungon përvoja e dëshiruar tek mësimdhënësit, por kjo gradualisht po vjen duke u përmirësuar”, vlerëson Beqiri.

Ndërkohë, në hulumtimet e bëra për çështjen e arsimit në Kosovë nga organizatat vendore dhe ndërkombëtare, ishte vlerësuar se cilësia e arsimit në Kosovë nuk ishte në nivelin e duhur.

Këta mekanizma kishin kërkuar vazhdimisht nga autoritetet kompetente që të bëjnë një studim mbi gjendjen e arsimit në vend dhe të dihet se ku qëndron mirë ky sektor dhe ku qëndron keq, dhe pastaj të bëhen ndryshimet.

Për të përmirësuar cilësinë në arsimin fillor dhe të mesëm, rolin kryesor thekson njohësi i arsimit Jusuf Thaçi, duhet ta kenë mësimdhënësit.

“Arsimi është një fushë e gjerë, por për fat të keq cilin do element që e kapim kemi probleme. Unë konsiderojë që boshti i gjithë problemeve, pa injoruar faktorët tjerë janë cilësia jo e kënaqshme e mësimdhënësve dhe mungesa e mekanizmave, që do të kontrollonin mësimdhënësit për cilësinë e tyre dhe përformancën e tyre”, shton Thaçi.

Ndryshe, Ministria e Arsimit Shkencës dhe Teknologjisë në Kosovë, cilësinë në arsim e ka shpallur si prioritet.

Por, që buxheti prej 270 milionë euro i ndarë për sektorin e arsimit për vitin 2016, ishte konsideruar i pamjaftueshëm për të arritur reforma, të cilat do të ndikonin në rritjen e cilësisë.

XS
SM
MD
LG