Ndërlidhjet

logo-print

Nga Zyra e Bashkimit Evropian në Shkup, njoftojnë se nuk është shënuar asnjë lëvizje nga ana e partive politike për të dalë nga kriza edhe përkundër thirrjeve që palët të ulen në bisedime.

Komisionari për Zgjerim i BE-së Johannes Hahn, ka theksuar se bashkësia ndërkombëtare nuk do të njeh qeverinë e re të Maqedonisë, nëse në vend nuk organizohen zgjedhje të lira dhe demokratike duke u bërë thirrje përfaqësuesve të partive politike që sa më parë të ulen në bisedime për ta nxjerrë vendin nga kriza.

Partia maqedonase në opozitë, Lidhja Social Demokrate, thotë se mbetet në qëndrimin se zgjedhje me pesë qershor nuk duhet të ketë, sepse nuk janë përmbushur kriteret bazë për zgjedhje të besueshme, siç është pastrimi i listës së votuesve, reformat në media si dhe ndarja e partisë nga pushteti.
Në vijë të njëjtë janë dhe partitë më të vogla shqiptare.

Përderisa partitë politike në pushtet VMRO DPMNE dhe Bashkimi Demokratik për Integrim thonë se krizës politike në Maqedoni mund t'i jepet fund vetëm përmes zgjedhjeve.

Njohësi i çështjeve politike Nikolla Dujovski, thotë se porositë nga faktori ndërkombëtarë janë shumë të qarta edhe pse përfaqësuesit politik kryesisht që janë në pushtet nuk dëshirojnë t'i lexojnë qartë.

“Definitivisht zgjedhjet e caktuara më pesë qershor nuk paraqesin zgjidhje për krizën politike në Maqedoni. Por të gjithë aktorët politik të cilët vendin e sollën në këtë situatë duhet të ulen në tryezën e bisedimeve.
Kjo do të ndodh më herët ose më vonë, pavarësisht se a do të jenë të detyruar nga presioni i opinionit të brendshëm, ngase siç e shihni protestat gjithnjë e më shumë marrin intensitet, ose do të jenë të detyruar të ulen në bisedime si rrjedhojë e presionit të fuqishëm të bashkësisë ndërkombëtare ose për të dyja”,
thekson Nikolla Dujovski, ligjërues i shkencave politike në Universitetin Shtetëror të Shtipit.

Ndërkohë, Albert Musliu nga Instituti për Zhvillimin e Demokracisë thotë se vendi me hyrjen në zgjedhje më pesë qershor rrezikon të futet në skenarin më të errët sa i përket të ardhmes së Maqedonisë si shtet.

“Me këto veprime nuk na bindin dot partitë në pushtet se zgjedhje kredibile më pesë qershor mund të ketë. Ne kemi dhe paralajmërimi e kryekomesarit Johanes Han se ne pas zgjedhjeve të pesë qershorit mund të kemi një qeveri e cila mund të mos pranohet ndërkombëtarisht, që për Maqedoninë si shtet do të ishte katastrofale".

Ndërkohë në Shkup dhe disa qytete të tjera të Maqedonisë, vazhdojnë protestat e qytetarëve organizuar nga lëvizja“Protestoj” .

Në protesta krahas dorëheqjes së presidentit të shtetit Gjorgje Ivanov, kërkohet tërheqja e vendimit për falje të politikanëve të cilët hetohen nga Prokuroria Speciale për mashtrime zgjedhore dhe afera korruptive.

Në protesta njëherësh kërkohet dhe prolongimi i datës së zgjedhjeve derisa të përmbushen kushtet për zgjedhje fer dhe kredibile në përputhje me rekomandimet nga Brukseli.

XS
SM
MD
LG