Ndërlidhjet

Kosova e pakënaqur me zbatimin e marrëveshjeve nga ana e Serbisë


Foto nga arkivi

Foto nga arkivi

Përfaqësuesit e institucioneve të Kosovës thonë se Beogradi nuk po zbaton në masën e kënaqshme marrëveshjet e arritura në kuadër të dialogut për normalizimin e marrëdhënieve mes dy vendeve.

Këto deklarata janë bërë me rastin e përvjetorit të tretë të nënshkrimit të marrëveshjes për normalizimin e marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë.

Marrëveshja e 19 prillit, 2013, është nënshkruar nga kryeministrat e atëhershëm të Kosovës dhe Serbisë, Hashim Thaçi dhe Ivica Daçiq, me ndërmjetësimin e ish-përfaqësues së lartë të BE-së, Catherine Ashton.

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ka kujtuar përvjetorin e tretë të nënshkrimit të marrëveshjes së parë për normalizimin e marrëdhënieve midis Kosovës dhe Serbisë duke thënë se “nuk ishte vendim i lehtë, por ishte vendimi më i mirë për shtetin tonë dhe popujt e rajonit”.

“Pas një shekulli konflikt, arritëm marrëveshjen e parë paqësore mes Kosovës dhe Serbisë, e cila synon normalizimin e marrëdhënieve dhe në fund pajtimin mes dy popujve dhe dy shteteve, me udhëheqjen e BE-së dhe përkrahjen e SHBA-së”, ka shkruar Thaçi në rrjetin social Facebook.

Përfaqësuesi Special i Bashkimit Evropian në Kosovës, Samuel Zhbogar ka deklaruar se përmes dialogut, duhet zgjidhur çështjet e hapura mes vendeve, që çon kah normalizimi i marrëdhënieve.

"Dialogu Prishtinë - Beograd është mjet i rëndësishëm. Për të analizuar rezultatet e dialogut, duhet të mendojmë për situatën në Kosovë në fillim të procesit. Atëherë Kosova s'ka pasur rrugën evropiane, në veri kanë qenë barrikadat, gjyqësia dhe policia paralele. Kosova ka qenë jashtë çdo iniciative rajonale, dhe nuk ka pasur komunikim mes liderëve", ka deklaruar Zhbogar.

Zëvendësministri i Punëve të Jashtme në Qeverinë e Kosovës, Valon Murtezaj ka thënë për Radion Evropa e Lirë se sjelljet e Qeverisë së Serbisë karshi dialogut me Kosovën nuk janë konstruktive.

Sipas tij, negocimi dhe marrëveshjet behën që të zbatohen, andaj moszbatimi i tyre, ka nënvizuar ai, është si humbje kohe ashtu edhe e përpjekjeve.

"Nëse marrëveshjet nuk zbatohen atëherë humb edhe kuptimi themelor i çfarëdo lloj procesi të dialogut apo të negociatave. Ne këtë rast Kosova vazhdimisht ka shprehur vullnetin e saj konstruktiv për të zgjidhur çështjet dhe për të shtrirë sovranitetin në tërë territorin e Kosovës përmes dialogut", ka deklaruar Murtezaj.

Zbatimi i marrëveshjes në praktikë thuhet se ka ngecur në shumë pika. Në veçanti përmenden ngecjet në funksionalizimin e gjykatave në veri të Kosovës dhe në formimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe.

Zëvendësministri Murtezaj, thotë se në veri të Kosovës janë ende aktive strukturat paralele serbe. Ai thotë se në takimet e ardhshme mes palëve do të diskutohet edhe kjo çështje.

"Strukturat paralele në disa institucione janë aktive dhe kjo për institucionet e Kosovës është totalisht e papranueshme", ka theksuar Murtezaj.

Dialogu ndërmjet Kosovës dhe Serbisë dhe marrëveshjet e arritura nuk janë pritur mirë në vazhdimësi nga opozita në Prishtinë.

Sidomos, marrëveshja për themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe ishte shkas i tensioneve të brendshme politike këto shtatë - tetë muajt e fundit.

Sipas opozitës, themelimi i këtij Asociacioni mund t’i paraprijë ndarjes etnike të Kosovës dhe bosnjëzimit të saj.

Zgjim Hyseni nga Lëvizja Vetëvendosje, ka thënë për Radion Evropa e Lirë se themelimi i asociacionit është njëri ndër rreziqet më të mëdha që mund t’i ndodh shtetit të Kosovës. Ky rrezik sipas tij vjen si pasoj e dialogut politikë ndemjet Kosovës dhe Serbisë.

"Ky dialog është i përkohshëm dhe pa afat nuk dihet cili do të jetë fundi dhe çka dëshirohet të arrihet me një gjë të tillë. Një gjë e tillë i konvenon Serbisë që ta mbajë Kosovën gjatë tërë kohës të lidhur përmes këtij dialogu dhe ta paraqes Kosovën si një shtet jofunksional.

Veç kësaj, dialogu nuk është reciprok, pra nuk bisedohet për Kosovën dhe Serbinë, por bisedohet me Serbinë për çështjet e brendshme të Kosovës", ka thënë Hyseni.

Nga ana tjetër qytetarët në Prishtinë dhe në veri të Mitrovicës kanë mendime të ndryshme për sa i takon dialogut Prishtinë - Beograd.

Izat Zhuja thotë se ajo që është arritur nuk është e mjaftueshëm për ka pasur lëvizje në drejtim të përmirësimit të raporteve mes vendeve.

"Unë mendoj se diçka është arritur. Ajo çka është arritur nuk është shumë. Mirëpo, janë bërë disa hapa konkret edhe hapat e tjerë vinë pas atyre", thotë Zhuja.

Kurse njëra nga qytetarët në veri të Mitrovicës ka thënë për Radion Evropa e Lirë se rezultatet nga dialogu ende nuk janë parë në terren.

"Momentalisht asgjë nuk po shihet, s'ka ndryshime por mendoj qe situata do te përkeqësohet shume shpejt. Flitet shumë për marrëveshje por shumë edhe po fshihen. Njerëzit s'janë të interesuar të dijnë për të vërtetën dhe nuk angazhohen për ndryshime. Mendoj që janë të pafuqishëm", ka thënë ajo.

Institucionet e Kosovës thonë se janë të përkushtuar në vazhdimin e dialogut dhe të zbatimit të marrëveshjeve që arrihen.

Dialogu ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit është një nismë e Brukselit, që si synim ka normalizimin e raporteve ndërmjet dyja vendeve, duke e kushtëzuar këtë normalizim edhe me proceset integruese të Kosovës dhe Serbisë në kuadër të Bashkimit Evropian.

  • 16x9 Image

    Arton Konushevci

    Arton Konushevci merret me gazetari që nga viti 2001. Në vitin 2007 ka filluar të punojë si korrespondent i Radios Evropa e Lirë. Jeton në Prishtinë, është i martuar dhe ka dy fëmijë.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG