Ndërlidhjet

Ligji anti-mafia vë në dilemë institucionet e Kosovës


Ilustrim
Ilustrim

Infrastruktura e kompletuar ligjore vlerësohet të jetë një nga parakushtet bazike që Kosova duhet të vendos si standard në luftimin e krimit të organizuar dhe korrupsionit. Në këtë kuadër, Ligji anti-mafia, ka kohë që përmendet nga qeveria dhe ligjvënësit, por ai nuk është proceduar ende për shqyrtim dhe miratim në Kuvendin e Kosovës.

Ligji anti-mafia besohet se rregullon shumë çështje që kanë të bëjnë me fitimin e pasurisë në mënyrë të paligjshme, ndonëse jo të gjithë e mbështesin nxjerrjen e një ligji të tillë.

Në raportet e Komisionit Evropian disa herë është kërkuar nga institucionet e Kosovës që të ecet përpara në miratimin e këtyre ligjeve.

Drejtori i Agjencisë Kundër Korrupsionit, Hasan Preteni, ka thënë për Radion Evropa e Lirë se ligjet që mendohet se mund të ndihmojnë institucionet kompetente në luftimin e korrupsionit duhet të miratohen sa më parë. Sipas tij, në shërbim të parandalimit dhe luftimit të krimit të organizuar është i mirëseardhur çdo ligj.

"Nuk ka justifikime, as ai ligji për parandalimin e konfliktit të interesit që është bërë gati tri vite e cili po zvarritet herë në Qeveri e herë në Kuvend, po edhe me këtë Ligjin anti-mafia i cili është duke u diskutuar e kërkuar, por që nuk po procedohet. Mendoj se të gjitha këto janë veprime të pajustifikueshme të cilat duhet të rregullohen, sa më shpejt aq më mirë", ka thënë Hasani.

Ligji anti-mafia vlerësohet se është i rëndësishëm pasi që do t'i bënte njerëzit të kuptojnë se nuk mund të përfitojnë pasuri të cilën nuk mund ta arsyetojnë.

Drejtori ekzekutiv i Lëvizjes Fol, Petrit Zogaj, konsideron se Kosova nuk qëndron keq sa i takon ligjeve të cilat mundësojnë luftimin e korrupsionit. Por, sipas tij, edhe po të ekzistonte Ligji anti-mafia, me përbërjen aktuale të qeverisë, përceptimi dhe niveli i korrupsionit nuk do të ndryshojë.

"Unë nuk besoj se ky është problemi. Shumë e më shumë besoj që problemi është të logjika jonë qeverisëse. Problemi është te logjika jonë korruptive qeverisëse, ka apo nuk ka ligje të duhura të mirëfillta. Nëse janë të mirëfillta nuk do t'i zbatojnë", ka thënë Zogaj.

Përderisa Betim Musliu, drejtor i Institutit të Kosovës për Drejtësi, ka thënë për Radion Evropa e Lirë se në Kosovë nuk mungojnë ligjet për luftën kundër korrupsionit sa ka mungesë të llogaridhënies. Po ashtu, ai ka veçuar si dobësi edhe mungesën e vullnetit politik për t’i luftuar këtë dukuri negative.

"Aktualisht ka kornizë të mjaftueshme ligjore që të bëhet ndjekja dhe gjykimi i kryerësve të veprave penale të korrupsionit dhe të përmes tyre të bëhet edhe konfiskimi i pasurisë të fituar në mënyrë të kundërligjshme. Por, fatkeqësisht ligjet të cilat janë në fuqi asesi nuk janë duke u testuar nga ana e zbatuesve të ligjit, pasi që nuk janë duke u zbatuar fare", ka deklaruar Musliu.

Megjithatë, Musliu thotë se Ligji anti-mafia që në vete do të ngërthejë edhe mundësinë e konfiskimit të pasurisë në procedurë civile, në kontestin e Kosovës është i panevojshëm.

Musliu mendon kështu për faktin se, siç thotë ai, sistemi i drejtësisë në Kosovë është i brishtë.

"Ky ligj mund të keqpërdoret nga ana e prokurorëve të cilët në fund të fundit nuk do t’i ndiqnin ata politikanë që mund t'i kenë milionat dhe pasuritë e tyre, por do të ishin thjeshtë të persekutuar vetëm qytetarët të cilët do ta kishin një shtëpi trekatëshe e të cilën në të vërtetë do ta kishin të vështirë ta argumentonin ligjërisht. Pra, ekziston mundësia shumë e madhe që ky ligj mund të keqpërdoret nga ky sistem i drejtësisë i cili po shihet se është i kapur nga politika", ka thënë Musliu.

Në raportet ndërkombëtare, përfshirë edhe atë të Transparency International, që masin përceptimet e qytetarëve, Kosova vlerësohet me nivelin më të lartë të korrupsionit në rajon.

Përfaqësuesit e organizatave joqeveritare në Kosovë thonë se mungesa e rezultateve konkrete në luftën kundër korrupsionit të nivelit të lartë është i ndërlidhur me ndërhyrjet politike dhe neglizhencën e prokurorëve.

XS
SM
MD
LG