Ndërlidhjet

logo-print

Projekt për trajnimin e 600 punëkërkuesve


Panairi i Punësimit, 19 prill 2014

Panairi i Punësimit, 19 prill 2014

Me qëllim të krijimit të mundësive të reja të punësimit për punëkërkuesit dhe të papunët e rinj, institucionet e Kosovës kanë iniciuar projektin e trajnimit në punë.

Nga ky projekt pritet të përfitojnë 600 punëkërkues të rinj në të gjitha komunat e Kosovës.

Projekti është lansuar të shtunën, nëpërmes nënshkrimit të një marrëveshjeje ndërmjet Ministrisë së Punës dhe Mirëqenies Sociale në Qeverinë e Kosovës, Odës Ekonomike të Kosovës dhe Odës Ekonomike Amerikane në Kosovë.

Thuhet se 2/3 e kostos financiare të projektit do t’i mbulojë Ministria e Punës dhe Mirëqenies Sociale, ndërsa pjesën tjetër bizneset.

Kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa, ka theksuar se nëpërmes këtij projekti do të përgatiten punëkërkues për nevojat që kanë bizneset në Kosovë.

“Ne kemi pasur kritika se kemi një mospërputhshmëri të sistemit të arsimit, edhe të mesëm edhe të lartë, me nevojat e bizneseve, përkatësisht me nevojat e ekonomisë. Ne nuk mund të presim përderisa e bëjmë harmonizimin e plotë të këtyre sistemeve të arsimit dhe të tregut të punës, por duhet bashkërisht të punojmë, në mënyrë që njerëzit e rinj t’i përgatisim dhe të jenë në gjendje ta bëjnë punën për të cilën ata pranohen”, ka thënë kryeministri Mustafa.

Hulumtime të shumta të bëra nga shoqatat ekonomike në Kosovë kishin evidentuar se universitetet në Kosovë i kanë plan-programet e tyre, por që ato nuk bazohen në nevojat e tregut.

Ky fenomen ishte theksuar se ka ngritur edhe numrin e të papunëve në Kosovë.

Të dhënat zyrtare flasin se nga 1.2 milionë persona, që janë fuqi punëtore, në Kosovë janë të punësuar rreth 300 mijë prej tyre, ndërkaq pjesa tjetër mbetet pa punë ose është joaktive.

Kryeministri Mustafa, ndërkohë, ka premtuar se në bashkëpunim me bizneset do të vazhdojnë të gjenerojnë më shumë punësim, i cili do të jetë produktiv.

Në anën tjetër, përfaqësuesit e shoqatave ekonomike në Kosovë kanë theksuar se trajnimi i punëkërkuesve nënkupton ngritjen e shkathtësive dhe njohurive të punëkërkuesve dhe të papunëve afatgjatë në tregun e punës.

Kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Safet Gërxhaliu, ka theksuar se për të pasur stabilitet social në Kosovë duhet të ketë zhvillim ekonomik.

“Ky hap i Ministrisë së Punës është edhe një mbështetje që barra e punësimit të mbështetet edhe nga institucionet, që sektori privat të jetë ai që do të investojë në edukim, do të ketë një mundësi të selektimit, të motivimit të të rinjve për punë dhe të transferit të përvojave dhe dijenisë së tyre”, thotë Gërxhaliu.

Ndërkaq, drejtori ekzekutiv i Odës Ekonomike Amerikane në Kosovë, Arian Zeka, thotë se trajnimi i punëkërkuesve është i një rëndësie të veçantë, për faktin se shumë studentëve u mungon përvoja dhe kanë vështirësi të sigurojnë një vend pune.

“Trajnimi i punëkërkuesve është i rëndësishëm sepse bizneset gjithmonë ankohen në fuqinë punëtore dhe në shkathtësitë në tregun e punës të Kosovës. Kjo do të ishte një mundësi e mirë që ata përmes marrjes së praktikantëve dhe përmes këtij procesi t’u mundësojnë atyre përvojë të mirë të punës praktike”, thekson Zeka.

Bazuar në të dhënat e Agjencisë së Statistikave të Kosovës, 150 mijë persona që kërkojnë punë, nuk kanë asnjë kualifikim. Me shkollë të mesme janë 77 mijë persona, ndërkaq me kualifikim 22 mijë. Ndërkaq, rreth 7 mijë persona kanë kualifikim të lartë.

  • 16x9 Image

    Luljeta Krasniqi - Veseli

    Luljeta Krasniqi, e lindur më 02.05.1981. Me gazetari ka filluar të merret që nga viti 2005. Për një kohë të gjatë ka punuar si gazetare në Agjencinë e lajmeve Kosovalive. Ekipit të Radios Evropa e Lirë i është bashkuar në vitin 2008.

XS
SM
MD
LG