Ndërlidhjet

Vuçiq deklaron “triumf historik” në zgjedhjet e Serbisë


Kryeministri serb, Aleksandër Vuçiq, 24 prill 2016
Kryeministri serb, Aleksandër Vuçiq, 24 prill 2016

Kryeministri serb, Aleksandër Vuçiq, ka deklaruar një “triumf historik” për Partinë e tij Pëparimtare serbe të qendrës së djathtë, në zgjedhjet e parakohshme parlamentare, duke premtuar se do ta mbaj vendin në rrugën drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian.

“Serbia do ta vazhdojë rrugën e saj evropiane dhe ne do të mundohemi ta përshpejtojmë atë”, ka thënë Vuçiq para përkrahësve të mbledhur në selinë e partisë në Beograd, në orët e vona të 24 prillit, pas shpalljes së rezultateve paraprake.

Rezultatet paraprake të zgjedhjeve në Serbi kanë nxjerrë fitimtare Partinë Përparimtare serbe të Vuçiqit, me rreth 55 për qind të votave.

Sipas këtyre rezultateve, Partia Socialiste e Ivica Daçiqit radhitet e dyta, ndërsa radikalët e ultranacionalistit Vojisllav Sheshel, radhiten në vendin e tretë.

Ky i fundit, nuk është treguar i kënaqur me rezultatet e zgjedhjeve.

“Nuk jemi të kënaqur me rezultatet e zgjedhjeve, ne prisnim më shumë”, ka thënë Sheshel në orët e vona të së dielës. Ai ka shtuar se radikalët “do të tregonin se janë superior” në parlament.

Pas një fillimi të ngadaltë, ritmi i votimit të 24 prillit arriti në rreth 47.7 për qind të pjesëmarrjes në votime dy orë para mbylljes së kutive, nga 6.7 milionë qytetarë me të drejtë vote.

Pjesëmarrja e përgjithshme në zgjedhje pritej ta kalonte 53 për qindëshin e regjistruar në zgjedhjet parlamentare të vitit 2012 në Serbi.

Zgjedhjet e parakohshme parlamentare të së dielës janë vlerësuar si të rëndësishme për orientimin politik të Serbisë. Udhëheqësit politikë të Serbisë janë ndarë mëdysh ndërmjet Perëndimit dhe Rusisë.

Qeveria aktuale thotë se synon të ruajë lidhjet me Moskën, por njëkohësisht të përparojë drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian. Grupet e djathta që fajësojnë perëndimin për pavarësinë e Kosovës, kërkojnë orientimin drejt Rusisë si aleate tradicionale e Serbisë.

Vuçiq bëri thirrje për zgjedhje dy vite më herët sesa afati i paraparë duke theksuar nevojën edhe për një mandat më të fuqishëm se 131 ulëset që ka subjekti i tij, Partia Progresive Serbe, pak më shumë se gjysma e 250 ulëseve të Parlamentit.

Një ish-ultranacionalist, i cili përkrahte idenë e Serbisë së Madhe, Vuçiq tani e prezanton veten si një reformist pro-evropian. Ai thotë se vota e 24 prillit do të tregojë nëse Serbia dëshiron t’i kthehet së kaluarës, apo të lëvizë kah e ardhmja.

Votimet në Kosovë

Sipas njoftimeve zyrtare, në Kosovë kanë qenë të hapura 90 qendra votimi dhe disa vendvotime në 21 lokacione. Në listën e Komisionit Zgjedhor të Serbisë, në Kosovë kanë qenë të regjistruar si votues 106.094 veta.

Sipas marrëveshjes që ka të bëjë me mbajtjen e zgjedhjeve të Serbisë në Kosovë, OSBE, materialin zgjedhor e bartë për në Rashkë dhe Vranje të Serbisë, ku i dorëzohet Komisionit Zgjedhor Republikan të Serbisë.

Misioni i OSBE-së kishte pasur një rol të njëjtë në Kosovë edhe në zgjedhjet parlamentare të Serbisë më 2012 dhe 2014.

Kurse, për të ruajtur rendin dhe qetësinë publike, ka qenë e angazhuar Policia e Kosovës, e cila gjithashtu ka ofruar asistencë për OSBE-në.

Zgjedhjet parlamentare të Serbisë, të cilat janë praktikuar të mbahen edhe në Kosovë, bazohen në të drejtën e shtetësisë së dyfishtë të serbëve të Kosovës.

Mbajtja e zgjedhjeve parlamentare serbe në Kosovë, gjatë ditës ishte kundërshtuar nga partitë politike opozitare, duke e cilësuar si shkelje të Kushtetutës së Kosovës, si dhe në kundërshtim me përpjekjet për integrimin e pakicës serbe në institucionet e Kosovës.

Nëpërmjet një komunikate për media, përfaqësuesit e Lëvizjes Vetëvendosje, mbajtjen e zgjedhjeve të Serbisë në territorin e Kosovës, e kanë cilësuar si jo kushtetuese.

“Serbia, me këto zgjedhje do ta rikonfirmojë praninë e saj në Kosovë, dhe njëkohësisht në praktikë ta jetësojë qëndrimin e saj se Kosova është pjesë e Serbisë. Nuk ka dyshim që zgjedhjet e Serbisë në Kosovë, duke qenë në përputhje me Kushtetutën e Serbisë, janë në kundërshtim të plotë me Kushtetutën e Republikës së Kosovës. Në bazë të Kushtetutës, Republika e Kosovës është shtet i pavarur, sovran, demokratik, unik, dhe i pandashëm”.

“Zgjedhjet e vetme që mund të mbahen në territorin e Republikës së Kosovës janë zgjedhjet për institucionet qendrore apo lokale të Republikës së Kosovës”, thuhet në një njoftim dërguar për media nga Lëvizja Vetëvendosje.

Lëvizja Vetëvendosje, konsideron se Qeveria e Kosovës ka dështuar t’i kryejë detyrat e veta shtetërore, derisa ka lejuar mbajtjen e zgjedhjeve parlamentare serbe në Kosovë.

Edhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, ka theksuar se votimet për zgjedhjet parlamentare të Serbisë edhe në Kosovë, janë të papranueshme.

“Qëndrimi i institucioneve të Republikës së Kosovës, për të lejuar që të votohet në Kosovë për zgjedhjet e një shteti tjetër, është shkelje e rëndë e sovranitetit dhe Kushtetutës së vendit".

"Kjo është një goditje edhe për përpjekjet për integrimin e pakicës serbe në institucionet e Kosovës. Koncesionet që Qeveria e Kosovës po i bën Qeverisë së Serbisë, siç janë edhe votimet në Kosovë, për zgjedhjet e Serbisë, janë edhe kundër vetë interesit të popullatës serbe”, thuhet në reagimin e AAK-së, dërguar medieve.

Edhe subjekti politik, Nisma per Kosoven, ka reaguar ndajmbajtjes së zgjedhjeve parlamentare të Serbisë edhe në Kosovë.

“Lejimi nga ana e institucioneve të vendit tonë, që të votohet në Kosovë për zgjedhjet e një shteti tjetër, është shkelje e rëndë e Kushtetutës së Kosovës. Ky veprim është, po ashtu, në kundërshtim me përpjekjet e vendit tonë për integrimin e pakicës serbe në institucionet tona”, thuhet në komunikatën e Nismës për Kosovën.

E, një ditë para mbajtjes së këtyre zgjedhjeve, kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa, duke folur për këtë proces, kishte theksuar, se në Kosovë do të ketë vetëm grumbullim të votave nga qytetarët serbë të Kosovës, për zgjedhjet në Serbi.

Nuk flitet për zgjedhje klasike të Serbisë në Kosovë, por vetëm për grumbullim të votave nga serbët në Kosovë, të cilët kanë dyshtetësi, sepse edhe në të gjitha vendet tjera, qytetarët që kanë dyshtetësi, kanë të drejtë që të votojnë. Këtë të drejtë edhe ne ua kemi siguruar me Kushtetutë”, kishte thënë Mustafa.

Kryeministri Mustafa kishte shtuar se nuk do ta lejonin që dikush nga Serbia të organizojë vendvotime në Kosovë.

XS
SM
MD
LG