Ndërlidhjet

Eurovisioni ndryshon rregulloren, flamuri i Kosovës mbetet i ndaluar


Eurosong
Eurosong

Organizatorët e Eurovisionit dhe Unioni Evropian i Transmetuesve- EBU, kanë ndryshuar rregulloren në lidhje me përdorimin e flamujve në netët finale të Eurosong-ut, që do të mbahet në Suedi.

Tani, nuk paraqitet më lista me flamujt e vendeve që u ndalohet pjesëmarrja, por tregohet se cilat vende kanë të drejtë të përdorin flamujt e tyre.

Ndryshimi i rregullores pasoi reagimet e vendeve, në mesin e tyre edhe Kosovës, flamujt e të cilave ishin vënë në një listë të ndaluar për përdorim gjatë netëve finale, bashkë me atë të ashtuquajturit shteti islamik - IS.

Sipas rregullores së re që është publikuar në faqen e internetit të Eurovisionit, përcaktohen rregullat, përkatësisht caktohet se flamujt e shteteve anëtare të Kombeve të Bashkuara, mund të përdoren sikurse edhe flamujt e shteteve pjesëmarrëse në garën e këngëve të Eurovisionit.

Ndërkaq, ndalohet përdorimi i flamujve apo materialeve propaganduese, diskriminuese dhe atyre fyese mbi baza politike apo religjioze.

Në krye të dokumentit apo rregullores së re shkruan që Eurovisioni mbetet një ngjarje jopolitike.

Pas bërjes publike të rregullores së parë, ku ishin vendosur në një listë flamujt, emrat e vendeve dhe territoreve që ndaloheshin të përdoreshin në Eurovision, kishte reaguar ashpër Prishtina zyrtare.

Ushtruesi i detyrës së ministrit të Jashtëm, Petrit Selimi, i kishte adresuar edhe një letër EBU-së, për faktin se flamuri i Kosovës ishte vënë në listën e flamujve të ndaluar, bashkë me disa territore tjera, përfshirë edhe flamurin e të ashtuquajturit Shtet Islamik, IS.

*Rregulloren e re të Eurovisionit mund ta gjeni këtu.

XS
SM
MD
LG