Ndërlidhjet

logo-print

Vokrri: UEFA hap rrugët për pranim në FIFA


Në një intervistë për Radion Evropa e Lirë, kryetari i Federatës së Futbollit të Kosovës, Fadil Vokrri e ka cilësuar si moment historik pranimin e Kosovës në Federatën Evropiane të Futbollit – UEFA.

Radio Evropa e Lirë: Çka do të thotë kjo për ju dhe për Kosovën?

Fadil Vokrri: Ky është një moment historik i cili është arritur me shumë mund. Më së miri është parë në mbledhjen e sotme, se sa vështirë ka qenë të punohet në këto rrethana më plot obsurksione të armiqve, të them, sportiv.

Dhe kjo është një fitore për të gjithë, për shumë sponsor, donator duke mos harruar edhe ata të cilët nuk janë në mesin tonë, por më herët kanë dhënë shumë për futbollin e Kosovës. Ky është një kompensim për të gjithë dhe duhet të jemi krenarë qe ne e arritëm sot këtë fitore kundër disa kundërshtarëve që nuk janë të lehtë

Radio Evropa e Lirë: A prisni që Kosova të kalojë kështu edhe në FIFA?

Fadil Vokrri: Besoj se tashmë është më lehtë duke marrë parasysh se kriteri i parë për pranim në FIFA është që duhet të jesh anëtar i Konfederatës. Pra, ne sot arritëm që të bëhemi anëtar i plotë i Konfederatës Evropiane të UEFA-s dhe tashmë janë rrugët e hapura, që më 12 dhe 13 maj të jemi edhe në FIFA. Vendimi i FIFA-s do të na shpie për kualifikime për kampionatin botëror.

Radio Evropa e Lirë: A është Kosova gati për gara në nivel të tillë?

Fadil Vokrri: Kosova sa i përket planit sportiv, ndoshta 100 për qind nuk jemi gati, por kemi edhe pak kohë dhe kjo varet më çfarë lojtarësh do të startojmë në këtë eveniment. Mirëpo, mendoj se nga ana e infrastrukturës, Ministria e Sportit e ka kuptuar shumë seriozisht këtë punë dhe pritet që punët të fillojnë brenda këtyre dy ditësh.

  • 16x9 Image

    Valona Tela

    Si përgjegjëse për web-faqen e Radios Evropa e Lirë, ekipit në Prishtinë i është bashkuar në vitin 2007. Nga viti 2011 është redaktore emisionesh në selinë qendrore në Pragë.

XS
SM
MD
LG