Ndërlidhjet

Kurdët e Sirisë - aleat kyç në luftën kundër Shtetit Islamik


Luftëtarë kurdë...

Luftëtarë kurdë...

Shkruan: Wladimir van Wilgenburg

Kurdët asnjëherë nuk kanë qenë me fat gjeografikisht, pasi kanë qenë të bllokuar dhe të ndarë ndërmjet Iranit, Irakut, Sirisë dhe Turqisë.

Megjithëkëtë, për shkak të krizës në Siri dhe kërcënimeve nga një Kalifat Islamik që kufizohet me rajonin kurd në Siri, kurdët e Sirisë janë bërë aleatët më të besueshëm të koalicionit kundër grupit militant të Shtetit Islamik (IS).

Me shumë gjasa do të luajnë një rol të rëndësishëm në marrjen e qytetit Raka që kontrollohet nga IS-i.

Kurdët duket se i përshtaten në mënyrë të përsosur strategjisë aktuale të SHBA-së, në përqendrimin e saj në mundjen e grupeve xhihadiste, dhe jo presidenti sirian, Bashar al-Assad, që është fokusi i shumicës së grupeve të moderuara rebele.

Mbështetja për disa grupe të moderuara rebele përbën problem për Uashingtonin, sepse këto grupe janë bërë partnere me Al Nusrën e afërt me Al Kaidën dhe me Jaish al Islamin salafist, për ta luftuar Asadin.

Përderisa luftëtarët e IS-it kanë ndaluar ofensivat e rebelëve në veri të Sirisë, kurdët e Sirisë kanë qenë më të suksesshëm në fushëbeteja, duke dëshmuar se janë të aftë për të luftuar IS-in në afërsi të kufirit turk.

Zëdhënësi i Departamentit amerikan të Shtetit, John Kirby, ka thënë së voni në Uashington se “ata kanë pasur kurajë dhe kanë qenë të suksesshëm”.

Derisa rebelët anti-Asad kanë humbur betejat e tyre në afërsi të kufirit me Turqinë, kurdët kanë avancuar në verilindje të Sirisë. Koloneli Talal Silo, zëdhënës zyrtar i Forcave Demokratike të Kurdëve të Sirisë, thotë se kanë tri drejtime të mundshme për fushatën, pas përfundimit të operacionit Shadadi të muajit të shkurt: në perëndim drejt Manxhibit, në jug për të çliruar paralagjet e Rakës ose në juglindje drejt Deir el-Zorit.

Disa kritikë kanë theksuar se Forcat Demokratike nuk kanë shumë vullnet për t’u zgjeruar përtej rajoneve tradicionale kurde, por zëdhënësi Silo i ka kundërshtuar ata, duke theksuar se qëllim nuk janë vetëm qytetet dhe rajonet kurde.

Sipas tij, Forcat Demokratike janë të përbëra jo vetëm nga kurdët, por edhe arabët, të krishterët, si dhe turqit.

Luftëtarët kurdë të Sirisë dominohen nga Partia e Bashkimit Demokratik, që është e afërt me Partinë e Punës së Kurdistanit (PKK), një organizatë militante e krahut të majtë, e ndaluar në Turqi.

Ky është problem për Turqinë, sepse Ankaraja është kundër çdo forme të koalicionit mbështetës për kurdët e Sirisë, aq më shumë pasi armëpushimi ndërmjet kurdëve të Turqisë dhe shtetit turk është prishur në korrik të vitit 2015.

Turqia, pas kësaj, ka provuar të mbështesë grupet rivale rebele, e posaçërisht grupet xhihadiste, për të mundur Partinë e Bashkimit Demokratik dhe Njësitet e Mbrojtjes Popullore në veri të Sirisë, por pa sukses.

Turqia ka bombarduar grupin rebel të kurdëve në Turqi dhe jashtë fushëbetejës ajo ka arritur që ta përjashtojë Partinë e Bashkimit Demokratik nga bisedimet e paqes në Gjenevë.

Megjithëkëtë, Partia, për dallim nga partitë e tjera kurde, ndjek një ideologji shumetnike dhe liderët e saj e kanë kuptuar se është më mirë që të rekrutojnë edhe arabë në një rajon që dominohet nga kurdët.

Në muajin mars, Partia ka paralajmëruar dëshirën e saj për të krijuar një Siri të federalizuar, ku e gjithë pjesa veriore e Sirisë, dhe jo vetëm Rojava Kurde – Kurdistani i Sirisë – të jetë përfaqësuar. Prandaj, edhe e ka emëruar si bashkudhëheqës Mansour Saloumin, një arab nga Tal Abjadi, një lëvizje që është kundërshtuar dhe dënuar edhe nga opozita siriane, edhe nga qeveria e Assadit.

Ky plan është në kundërshtim të qasjes së grupit kundërshtar, Këshillit Kombëtar Kurd, që është pjesë e opozitës së Sirisë dhe që do një rajon të Kurdistanit, të ngjashëm me atë në Irak.

(Wladimir van Wilgenburg ndodhet aktualisht në Kamishli, në veri të Sirisë, duke kryer një projekt kërkimor për Institutin e Irakut për Studime Strategjike).

Përgatiti: Arbër Vllahiu
XS
SM
MD
LG