Ndërlidhjet

logo-print

Aksion policor për lirimin e pronave të uzurpuara


Policia e Kosovës ka marrë një aksion për lirimin e pronave që dyshohet se janë të uzurpuara, ka thënë për Radion Evropa e Lirë, Baki Kelani, zëdhënës në Policinë e Kosovës.

"Policia e Kosovës në bashkëpunim më Prokurorinë dhe Agjencinë Kosovare të Privatizimit, është duke realizuar një aksion policor në dy rajone të Kosovës, që përfshinë disa lokacione për lirimin e pronave që dyshohet se janë të uzurpuara”, ka thënë Kelani.

Ndryshe, sipas të dhënave të AKP-së janë 170 prona të uzurpuara, nga 116 persona fizik dhe 54 persona juridik.

Në anën tjetër, përmes një komunikate për media, po ashtu nga Policia e Kosovës thuhet se "drejtoria për Hetimin e Krimit të Organizuar ka sekuestruar pasuri të përfituar nga krimi i organizuar".

“Drejtoria për Hetimin e Krimit të Organizuar, ka zhvilluar hetime intensive që nga viti i kaluar, ndaj një grupi mirë të organizuar i të dyshuarve për vepra penale të krimit të organizuar si fajde, detyrim, kanosje dhe mashtrim. Për këtë rast deri më tani janë arrestuar nëntë persona të dyshuar e të cilët janë në proces gjyqësor”, thuhet në komunikatë.

Sektori i Hetimeve të Integruara Financiare, ka vazhduar me identifikimin e pasurisë të këtij grupi kriminal e që dyshohet se ka prejardhje nga veprimtaria kriminale.

Kështu, “në bashkëveprim me Agjencinë për Administrimin e Aseteve të Sekuestruara dhe të Konfiskuara dhe në përkrahje të njësive tjera policore, në bazë të urdhëresës nga gjykata kompetente, me 5 maj, Policia e Kosovës ka ndërmarrë operacionin e quajtur “Kristal” dhe ka sekuestruar pasurinë e përfituar nga ana e të dyshuarve me vepra penale të krimit të organizuar”, sqarohet në komunikatë.

Operacioni policor është zhvilluar në rajonin e Prizrenit, me këtë rast janë sekuestruar, parcela tokash, një objekt, një hotel, një restaurant.

Lidhur me këtë rast, thuhet në komunikatë, ka pasur edhe sekuestrime të mëhershme të pasurisë, e cila dyshohet të jetë përfituar në mënyrë të kundërligjshme si; para të gatshme në vlerë prej 303.235,00 euro, po ashtu para të gatshme prej 1.100,00 franga zvicerane, 700 gram ari dhe shtatë vetura zyrtare.

  • 16x9 Image

    Nadie Ahmeti

    Me profesionin e gazetarisë ka filluar të merret që prej vitit 2000, kurse Radios Evropa e Lirë i është bashkuar në vitin 2001. Kryesisht mbulon çështjet ekonomike dhe sociale, për çka edhe i janë ndarë disa mirënjohje.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG