Ndërlidhjet

Kosova drejt FIFA-s, pavarësisht ankesave të Serbisë


Ilustrim

Ilustrim

Udhëheqësit e sportit të Kosovës dhe ata të institucioneve, thonë se fushata e Serbisë kundër ndërkombëtarizimit të sportit të Kosovës, në veçanti të futbollit, nuk do të mund të ketë ndikim dhe nuk do ta kthejë procesin e anëtarësimit të vendit në UEFA.

Deklarimet pasuan paralajmërimet e zyrtarëve në Beograd se do të përdorin të gjitha mjetet, përfshirë edhe ato ligjore, për kthimin e vendimit të UEFA-s me të cilin Kosova u bë anëtare e Federatës Evropiane.

Presidenti Federatës së Futbollit të Kosovës, Fadil Vokrri, tha se futbolli kosovar është në një fazë tjetër, pas UEFA-s në atë të anëtarësimit në FIFA.

Më 12 dhe 13 maj, në Meksikë pritet që të diskutohet për anëtarësimin e Kosovës, kur Federata Ndërkombëtare e Futbollit – FIFA të mbajë Kongresin e saj. Në faqen zyrtare të FIFA-s tashmë është publikuar agjenda, dhe aplikimi i Kosovës për pranim është në pikën e 15-të të agjendës së punës.

Fadil Vokrri thotë se përpjekjet e Serbisë për të bllokuar Kosovën kanë qenë të kota.

"Ata me krejt forcën kanë provuar ta shtyjnë këtë çështje ose ta heqin nga agjenda, por nuk kanë pasur sukses. Mendoj se drejtësia në këtë rast është vonuar pak, por ajo ka arritur. Në Kongresin e FIFA-s i cili do të mbahet, mendoj se do të jetë edhe më mirë sesa në UEFA dhe nuk ka asnjë arsye për të mos qenë ashtu", është shprehur Vokrri.

Nga ana tjetër, Arbnor Morina, trajner i licencuar nga UEFA-s në Kosovë, tha për Radion Evropa e Lirë se paralajmërimet e Serbisë se do ta çojë në gjykatë çështjen e anëtarësimit të Kosovës në UEFA, tregojnë se ai vend ka humbur të gjitha mundësitë për të parandaluar sportin kosovar në synimet e tij.

Sipas tij, anëtarësimi i Kosovës në mekanizmat ndërkombëtar ka karakter sportiv dhe jo politik.

"Mendoj që Serbia i ka humbur të gjitha shanset për të bërë diçka më tepër. Do të mundohet ta bëjë edhe këtë, por nëse i referohemi asaj se çka ka thënë përfaqësuesi i zyrës ligjore [UEFA] atë ditë, gjërat janë shumë të qarta edhe mendoj se pranimi i Kosovës në UEFA ka qenë i rregullt. Mendoj që Serbia veç kësaj do të shikojë edhe rrugë të tjera për ta ndaluar Kosovën, por më duket se çdo ditë janë më të pakta e më të vogla këto rrugë", ka theksuar Morina.

Kosova u bë anëtarja e 55-të e UEFA-s dhe kjo ngjalli reagimet të forta si në Prishtinë ashtu edhe në Beograd, të dyja këto kryeqendra që po bëjnë dialog me ndërmjetësim të BE-së, e të cilat janë pajtuar që në një mënyrë të mos i pengojnë proceset integruese në institucionet ndërkombëtare.

Zhvillimet rreth UEFA-s, shtynë presidentin e Kosovës, Hashim Thaçi, ta takojë edhe njëherë, brenda pak ditësh, kreun e Federatës së Futbollit të Kosovës (FFK), Fadil Vokrri, megjithëse u tregua i përmbajtur në deklarimet e tij duke pohuar se "politika nuk duhet të ndërhyjë në sport".

Megjithatë, ai tha se presidenca do t'i përkrahë sportistët e Kosovës dhe synimet e Federatës së Futbollit të Kosovës.

"Nuk ka qenë e lehtë, por ju keni arritur një fitore bindëse. E drejta ka qenë në anën tuaj. E drejta ka qenë në anën e futbollit kosovar", ka thënë Thaçi, duke shtuar se institucionet e Kosovës pas pranimit në UEFA do të përqendrohen në përmirësimin e infrastrukturës sportive.

Pavarësisht deklarimeve në Prishtinë se veprimet politike në Beograd nuk mund të kenë ndikim, Serbia ka nisur një fushatë për rikthim të gjendjes të para-votimit për anëtarësim të Kosovës në UEFA. Ekipi ligjor i Federatës së Futbollit të Serbisë ka paralajmëruar se do ta padis UEFA-n në Gjykatën e Arbitrazhit në Lozanë të Zvicrës.

Kryeministri i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, pati thënë që në ditën e anëtarësimit të Kosovës se Serbia do të përpiqet me të gjitha mjetet ligjore ta kthej prapa vendimin.

"Ne do të ankohemi dhe do të padisim. Do të luftojmë fort, do të shohim se çfarë vendimi do të ketë nga Gjykata e Arbitrazhit. Por, ne do të shfrytëzojmë të gjitha mundësitë ligjore për ta luftuar atë", ka deklaruar Vuçiq.

Një ish zyrtar i futbollit në Serbi, Dorivoje Tanasijeviq, thotë se edhe pse vendimi për Kosovën ka qenë i ndikuar politikisht, ai i ka këshilluar politikanët në Serbi që të mos e ndërlidhin politikën me sportin.

"Mendimi im është që secili shtet në botë ka të drejtë të merret me sport dhe që sporti nuk duhet të përzihet me politikë. Por, UEFA dhe FIFA janë duke i thyer rregullat e veta. UEFA ka bërë një gabim të madh. Nuk do të duhet që Kosova të pranohet në UEFA pa ndryshimin e statutit i cili thotë se vetëm shtetet e anëtare të OKB-së mund të jenë pjesë e këtyre organizatave. Tash Kosova automatikisht është në FIFA. Me këtë, FIFA ka lejuar që politika të përzihet në vendimet e tyre", u shpreh Tanasijeviq.

Megjithatë Kosova nuk do ta pres ankesën e Serbisë. Ajo ka paralajmëruar se do të vazhdojë ndërkombëtarizimin e sportit të saj duke ecur me rradhë - drejt FIFA-s, fillimisht. Për anëtarësim asaj i duhen 105 nga 209 vota sa janë gjithsej.

  • 16x9 Image

    Arton Konushevci

    Arton Konushevci merret me gazetari që nga viti 2001. Në vitin 2007 ka filluar të punojë si korrespondent i Radios Evropa e Lirë. Jeton në Prishtinë, është i martuar dhe ka dy fëmijë.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG