Ndërlidhjet

logo-print

Nga qershori pensionet me rritje


Klubi i Pensionistëve, Prishtinë, mars 2016

Klubi i Pensionistëve, Prishtinë, mars 2016

Nga muaji qershor pritet të fillojë ndarja e pensioneve me rritje për të gjithë pensionistët kontribut-dhënës. Mënyra e ndarjes së këtyre pensioneve është e paraparë me udhëzimin administrativ që ka dalë nga Ligji për skemat pensionale, thonë zyrtarë qeveritarë dhe përfaqësues të pensionistëve.

Në bazë të këtij udhëzimi, i cili nga qeveria e Kosovës është miratuar në fillim të këtij viti, baza e pensionit kontribut-pagues është 158 euro, kurse pensioni më i lartë në Kosovë do të jetë 240 euro.

Kjo shumë është kategorizuar në bazë të përvojës së punës dhe kualifikimit arsimor të personit mbi 65 vjeç.

Ndarjen e pensioneve me rritje nga muaji i ardhshëm e ka konfirmuar për Radion Evropa e Lirë Musa Demiri, zëdhënës në Ministrinë e Punës dhe Mirëqenies Sociale.

(Qeveria e Kosovës pensionet në bankat komerciale i shpërndan prej datës 20- 24 të çdo muaji, që do të thotë pensionet dalin gjatë këtij muaji).

“Të gjithë pensionistët kontribut-pagues, që kanë aplikuar dhe kanë ofruar dëshmitë e kërkuara sipas legjislacionit që rregullon këtë çështje, nga muaji qershor 2016 do t'i marrin pensionet me rritje”, ka thënë Demiri.

Edhe Shaban Kajtazi, udhëheqës i Lidhjes së Pensionistëve të Kosovës, në një prononcim për Radion Evropa e Lirë ka treguar se gjatë bisedave të zhvilluara më zyrtarë të Ministrisë se Punë është premtuar se gjatë këtij muaji pensionistët kontribut-pagues do të gëzojnë pensionet më rritje.

“Kategoria e parë e ka marrë pensionin nga 1 janari me lartësi 158 euro; kategoria e dytë me shkollë të mesme, shkollë të lartë dhe fakultet ende nuk i kanë realizuar pensionet e tyre, sipas udhëzimit administrativ. Dhe ne (Lidhja e Pensionistëve të Kosovës) më 25 prill jemi marrë vesh që mundësisht diferenca e pagesave të bëhet në prag të një majit. Por, ato u shtynë, ndërkaq tani presim dhe besojmë që gjatë këtij muaji do të realizohet ai premtim për pagesën e pensioneve sipas kategorizimit”, ka thënë Kajtazi.

Për të marrë pensionin me rritje, personat mbi 65 vjeç, që nga 1 janari i këtij viti, është dashur të dorëzojnë dokumentacionin e nevojshëm, ku përfshihet përvoja e punës dhe kualifikimi arsimor.

Sipas Shaban Kajtazit, nga 41 mijë, sa llogariten të jenë pensionistë kontribut-dhënës, deri më tani dokumentet i kanë dorëzuar rreth 16 mijë pensionistë.

Megjithatë, ai tregon se procesi i aplikimit do të vazhdojë dhe të gjithë pensionistët shumën financiare që u takon do ta marrin në mënyrë retroaktive.

“Ato jepen edhe në vazhdim pasi qytetarëve u kanë humbur diplomat, janë djegur gjatë luftës se fundit, apo gjenden në vende të ndryshme. Por, mundësia është që edhe më tutje të aplikojnë. Dhe pensionet do ti realizojnë prej ditës së aplikimit e tutje”, ka thënë Kajtazi.

Çështja e kategorizimit është kërkuar me vite nga pensionistët, pasi këta të fundit, pavarësisht përvojës dhe kualifikimit kanë marrë pension 75 euro, vlerë kjo që marrin edhe personat të cilët kanë mbi 65 vjeç, por nuk kanë punuar asnjëherë.

Kjo çështje ishte aktualizuar në fund të vitit të kaluar, kur Qeveria e Kosovës bëri të ditur se buxheti për kategorinë e pensioneve do të rritet për 23 milion euro.

  • 16x9 Image

    Nadie Ahmeti

    Me profesionin e gazetarisë ka filluar të merret që prej vitit 2000, kurse Radios Evropa e Lirë i është bashkuar në vitin 2001. Kryesisht mbulon çështjet ekonomike dhe sociale, për çka edhe i janë ndarë disa mirënjohje.

XS
SM
MD
LG