Ndërlidhjet

logo-print

Thellohet kriza në Maqedoni - zgjedhjet me vetëm një parti


Shkup

Shkup

Gjendja në Maqedoni është ndërlikuar edhe më shumë pas vendimit të VMRO-së së Nikolla Gruevskit që e vetme të shkojë në zgjedhje. Opozita maqedonase dhe dy partitë shqiptare, BDI dhe PDSH kanë vendosur të bojkotojnë zgjedhjet për shkak të mosplotësimit të kushteve të parapara me marrëveshje politike.

Për të ndihmuar kapërcimin e gjendjes, në Maqedoni pasdite ka arritur edhe emisari gjerman, Johannes Haindl.

Me vendimin për të marrë pjesë e vetme në zgjedhjet e parakohshme parlamentare më 5 qershor, VMRO DPMNE-ja që drejtohet nga Nikolla Gruevski thotë se ka vepruar në përputhje me ligjin për shpalljen e zgjedhjeve dhe sipas saj, për një parti politike nuk duhet të ketë prioritet më të madh se sa respektimi i ligjeve dhe i kushtetutës së vendit.

VMRO-ja së bashku me dy parti minore, që mbështesin politikat e saj, janë të vetmet që të mërkurën në mesnatë kanë dorëzuar lista me kandidatët për deputetë.

“Në përputhje me vendimin e organeve drejtuese të partisë, VMRO DPMNE ka dorëzuar listat me kandidatë për deputet për zgjedhjet e parakohshme parlamentare në 5 qershor. Gjithsej janë 123 kandidatë për të gjitha gjashtë njësitë zgjedhore, nga të cilët 49 janë femra dhe 74 meshkuj. Organet drejtuese gjithashtu kanë vendosur të mbështesin ekipin negociator në bisedimet për dalje nga kriza”, ka deklaruar Vlladimir Nelovski nga VMRO DPMNE-ja.

Ndërkohë, të gjitha partitë tjera kryesore, Lidhja social-demokrate e opozitës, BDI-ja partnere e VMRO-së në qeverinë e deritanishme dhe PDSH-ja opozitare që drejtohet nga Menduh Thaçi kanë vendosur të bojkotojnë zgjedhjet.

Zgjedhjet bojkotohen edhe nga të gjitha partitë tjera jashtëparlamentare shqiptare dhe maqedonase. Vlerësimi i tyre i përbashkët është se zgjedhje nuk mund të ketë pa plotësimin e kushteve për mbajtjen e tyre në atmosferë të lirë dhe demokratike.

Fillimisht kërkohet tërheqja e vendimit të presidentit për faljen e zyrtarëve që po hetohen nga prokuroria speciale për vepra të rënda penale, pastrimi i listës zgjedhore, reformat në media dhe kritere tjerë që mbështetet edhe nga bashkësia ndërkombëtare.

“Kthim pas nuk ka. Pa pastrimin e listës zgjedhore, pa reforma në media dhe pa anulimin e vendimit të presidentit për falje, zgjedhje më 5 qershor nuk do të ketë. Kriminelët do të përballem me drejtësinë ndërsa qytetarëve do t’u sigurohen zgjedhje të lira dhe demokratike”, thuhet në reagimin e LSMD-së.

Bashkimi Demokratik për Integrim që është pjesë e qeverisë fillimisht kishte mbështetur me ngulm mbajtjen e zgjedhjeve më 5 qershor, por qëndrimi I saj ndryshoi pas takimeve me përfaqësues ndërkombëtar të cilët gjithashtu kanë konstatuar se kushtet për zgjedhje ende nuk janë krijuar.

“Kjo tregon së paku një unitet të subjekteve shqiptare, si një reflektim të qëndrimeve të komunitetit shqiptar në Maqedoni lidhur me bashkëpunimin me partnerët tanë ndërkombëtar. Uroj që ky unitet dhe kontstruktivitet të vazhdojë edhe në ditët në vijim me qëllim që të mos lejohet që vetëm VMRO DPOMNE të shkoj në zgjedhje, meqë atëherë do të kemi një krizë shumë më të thellë”, thotë analisti Albert Musliu.

Shkuarja në zgjedhje vetëm e VMRO-së, do ta ndërlikoj edhe më shumë krizën politike në Maqedoni, thotë Mitko Gaxhovski, njohës i çështjeve politike. Analistët janë të bindur se zgjedhjet nuk do të mbahen meqë një Kuvend dhe Qeveri e dalë nga zgjedhje të tilla ku merr pjesë vetëm se një parti politike nuk do të pranohen nga komuniteti ndërkombëtar.

“Bëhet fjalë për një hap me të cilin VMRO-ja edhe më tej i jep shpresë anëtarësisë se është e mundur mbajtja e zgjedhjeve më 5 qershor. është një veprim që aspak nuk do t'i ndihmojë zgjidhjes së krizës, përkundrazi ajo do të thellohet edhe më tej. VMRO-ja ndoshta vlerëson se është në interes të saj vendimi për të shkuar qoftë edhe vetë në zgjedhje, por zgjidhje nuk do të ketë meqë partitë kryesore nënshkruese të Marrëveshjes së Përzhinës do të bojkotojnë zgjedhjet meqë nuk janë plotësuar kushtet kryesore për mbajtjen e tyre”, thotë Gaxhovski.

Për të ndihmuar gjetjen e një zgjidhjeje për dalje nga kriza e thellë, në Maqedoni ka arritur i dërguari gjerman, diplomati Johannes Haindl. Ai të premten pritet të realizoj takime me partitë kryesore politike dhe me drejtuesit e ambasadave të SHBA-së dhe BE-së, të cilët tani një kohë të gjatë janë të përfshirë në negociatat mes partive politike.

Ardhja e diplomatit gjerman shihet si një mundësi e re për nxjerrjen e vendit nga kriza në të cilën ndodhet tani një vit e gjysmë, apo që nga paraqitja e asaj që njihet si aferë e përgjimeve.

XS
SM
MD
LG