Kryeministri i Izraelit, Benjamin Netanyahu, ka shprehur mospajtim lidhur me nismën franceze që synon ripëtritjen e bisedimeve paqësore me palestinezët.
Zoti Netanyahu tha sot se negociatat direkte pa parakushte janë mënyra më e mirë për arritjen e marrëveshjes finale.
Këto komente ai i bëri derisa ministri i jashtëm i Francës, Jean-Marc Ayrault, ishte në vizitë njëditore në Izrael për takim me kryeministrin Netanyahu dhe me presidentin e Autoritetit Palestinez, Mahmud Abbas.
Parsi do të jetë organizator i një takimi ndërkombëtar në fund të këtij muaji, ku do të diskutohet për mënyrat e arritjes së paqes në rajon.
Palestinezët e kanë mirëpritur nismën franceze.
Rundi i fundit i bisedimeve paqësore izraelito – palestineze, me ndërmjetësimin e Shteteve të Bashkuara, dështoi në vitin 2014.