Ndërlidhjet

Trump: Komentet e Cameronit mund t’i prishin marrëdhëniet


Donald Trump
Donald Trump

Kandidati republikan në zgjedhjet presidenciale në SHBA, Donald Trump, tha se komentet kritike rreth tij nga kryeministri britanik, David Cameron, mund të ndikojnë negativisht në marrëdhëniet e tyre, nëse miliarderi amerikan i fiton zgjedhjet dhe bëhet presidenti i radhës i SHBA-ve.

Cameron i kishte thënë parlamentit vitin e kaluar se Trump ishte “përçarës, budalla dhe e kishte gabim” kur bënte thirrje për një ndalesë të përkohshme për myslimanët që duan të hyjnë në SHBA.

Më herët këtë muaj, Cameron kishte refuzuar ta tërhiqte këtë koment të tij, por tha se Trump meriton respekt që ia ka dalë të arrijë në majat e procesit paraprak zgjedhor të Partisë Republikane.

“Duket se ne nuk do të kemi marrëdhënie aq të mira...kush e di...shpresoj që të kem një marrëdhënie të mirë me të, por si duket ai nuk është i gatshëm ta adresojë problemin [e radikalizmit islamik]”, i ka thënë Trump televizionit ITV, në një intervistë që transmetohet sot.

Ai gjithashtu tha se për shkak të faktit që BE është “shumë burokratike”, ai nuk e di se çfarë fiton Britania që është në mesin e 28 vendeve anëtare të bllokut.

“Unë kam patur punë me Bashkimin Evropian, është shumë, shumë e vështirë. Sa i përket Britanisë, unë do të thoja ‘për çfarë ju duhet? Por, sërisht, njerëzit vendosin vet”, ka thënë Trump.

Britania do të mbajë një referendum muajin e ardhshëm lidhur me qëndrimin apo largimin nga Bashkimi Evopian.

XS
SM
MD
LG