Ndërlidhjet

logo-print

Rehabilitim dhe integrim për pjesëmarrësit në luftërat terroriste


Institucionet e Kosovës po përgatisin një strategji për rehabilitimin dhe integrimin e personave të cilët kanë qenë pjesë e luftërave në Siri dhe Irak, përkrah organizatës tashmë të shpallur si terroriste, që veten e quan Shteti Islamik.

Në Qeverinë e Kosovës thonë se me anë të kësaj strategjie do të punohet që t’u mundësohet personave të caktuar të cilët kanë qenë në Lindje të Mesme dhe janë kthyer në Kosovë, të integrohen në shoqëri.

Edon Miftari, këshilltar për siguri i kryeministrit të Kosovës, Isa Mustafa, njëherësh koordinator i Strategjisë Nacionale për parandalimin e ekstremizmit të dhunshëm dhe radikalizmit që shpie në terrorizëm thotë për Radion Evropa e Lirë, se për zbatimin e strategjisë do të angazhohen njerëz adekuat.

"Programet e rehabilitimit dhe integrimit të këtyre personave do të trajtojnë këta persona dhe familjarët tyre, pavarësisht masës së dënimit të cilëve ua ka shqiptuar gjykata. Natyrisht që kjo nënkupton se me dikë duhet punë më shumë e me të tjerë më pak. Nevojiten masa të ndryshme që duhet të ndërmerren nga institucionet e Kosovës".

"Nuk është punë e lehtë, por mund të them se për shkak që numrat janë relativisht të vogël të këtyre personave, në Kosovë do të jetë ndoshta pak më lehtë për ne që t'i trajtojmë këto raste", ka thënë Miftari.

Përfaqësuesit e organizatave jo qeveritare që merren me çështje të sigurisë konsiderojnë se dënimet të cilat janë duke i shqiptuar gjykatat për personat që kanë qenë në luftëra të huaja mund të mos ndihmojnë gjithmonë në risocializimin e atyre personave.

Skënder Perteshi, analist nga Qendra Kosovare për Studime të Sigurisë, duke folur për Radion Evropa e Lirë, theksoi se dënimet e rënda mund të jenë lehtësues apo edhe pengues për rastet të caktuara.

"Gjykata në vendimin final është mirë që të marrë për bazë pendimin e ish-luftëtarëve të huaj, por edhe aktivitetet e tyre që kanë bërë [pas kthimit ]në procesin e ri -integrimit dhe deradikalizimin dhe vetëdijesimit e qytetareve të tjerë që të mos marrin pjesë në luftërat e Sirisë dhe Irakut".

"Është mirë që të ketë iniciativa për këta persona që para vendimeve të dënimit ‘filan’ prokuroria dhe gjykata të marrin për bazë këto prova dhe nuk kam njohuri që deri tash janë marrë për bazë këto veprime", ka thënë Perteshi.

Kryetari i Gjykatës Themelore në Prishtinë, Hamdi Ibrahimi, konsideron se gjykata nuk është duke shqiptuar dënimet maksimale për personat të cilët kanë qenë të përfshirë në luftërat e huaja si në Siri dhe Irak. Ibrahimi thotë se dënimet e shqiptuara deri më tash nuk do të jenë pengesë në risocializimin e atyre personave.

"Ne kemi një qasje, nëse mund të përdori fjalën konstruktive në këtë rast, se kjo gjykatë nuk është duke shkuar në kahjen e shqiptimit të dënimeve maksimale. Në rastet kur kemi pranim të fajësisë, në rastet kur gjyqtaret e shohin se vet procedura penale ka arritur qëllimin e procedimit të çështjes, atëherë unë jam në dijeni se gjyqtarët gjithë herë kanë një konsideratë dhe shkojnë në disa dënime që janë në kufi të minimumit. Por, të kemi parasysh se kemi të bëjmë me vepra me një rrezikshmëri të lartë", ka deklaruar Ibrahimi.

Pas miratimit të Ligjit me të cilin sanksionohet pjesëmarrja e qytetarëve të Kosovës në luftërat e huaja dhe strategjisë kombëtare për pengimin e ekstremizmit të dhunshëm dhe terrorizmit, autoritetet e Kosovës, tashmë me ndihmën edhe të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, kanë filluar të punojnë në zhvillimin e strategjie për rehabilitimin dhe ri-integrimin e personave të cilët kanë marrë pjesë në konfliktet e huaja, ose të cilët janë gjykuar për këtë çështje.

Hamdi Ibrahimi, ka thënë tutje për Radion Evropa e Lirë, se ekipi i veçantë është duke punuar dhe janë bërë tashmë hapat e parë që do të ndihmojnë në ri-integrimin e këtyre individëve edhe familjarëve të tyre.

"Ne do të bëjmë një veprim shumë domethënës, konkret në rehabilitimin e këtyre personave. Qëllimi i gjykatës nuk është vetëm dënimi dhe vendosja prapa grilave, por është që këta persona të rehabilitohen dhe të ri-integrohen dhe të jenë pjesë e shoqërisë së shëndoshë", ka shtuar ai.

Edhe Fadil Maloku, profesor në departamentin e Sociologjisë në Fakultetin Filozofik të Universitetit të Prishtinës, konsideron se "shteti vetëm me ndëshkime rigoroze ligjore e pa programe sociale të akomodimit dhe ri-socializimit nuk mund të rehabilitoje të njëjti".

Sipas të dhënave nga Qeveria e Kosovës, por edhe nga shoqëria civile, që nga viti 2012 e deri më tash, numri i shqiptarëve nga Kosova që i janë bashkuar organizatave ndërkombëtarisht të njohura si terroriste, në Siri dhe Irak, është rreth 300 syresh.

Rreth 50 prej tyre janë deklaruar të vrarë gjatë luftimeve atje.

Shoqëria civile u ka bërë thirrje autoriteteve të Kosovës që lidhur me parandalimin e ekstremizmit të dhunshëm dhe radikalizmit që shpie në terrorizëm të ketë një bashkëpunim konkret mes Bashkësisë Islame, shoqërisë civile dhe nivelit qendror dhe atij lokal.

Autoritetet e rendit në Kosovë kanë theksuar se janë duke mbikëqyrur “çdo aktivitet të personave fizikë dhe juridikë, për të cilët siguron informata se mund të paraqesin rrezik për rendin Kushtetues në të ardhmen, apo mund të kryejnë ndonjë vepër penale” dhe se “e gjithë kjo bëhet me qëllim të parandalimit dhe zbulimit të ndonjë vepre penale të mundshme, duke përfshirë veprat e terrorizmit dhe ekstremizmit fetar”.

  • 16x9 Image

    Arton Konushevci

    Arton Konushevci merret me gazetari që nga viti 2001. Në vitin 2007 ka filluar të punojë si korrespondent i Radios Evropa e Lirë. Jeton në Prishtinë, është i martuar dhe ka dy fëmijë.

XS
SM
MD
LG