Ndërlidhjet

logo-print

BE kërkon dialog gjithëpërfshirës dhe përgatitje për zgjedhje në Maqedoni

  • RFE /RL

Gjykata Kushtetuese në Shkup

Gjykata Kushtetuese në Shkup

Përfaqësuesja e lartë e BE-së për politikë të jashtme dhe siguri, Federica Mogherini, dhe komisionari Johannes Hahn, në një deklaratë të përbashkët e kanë vlerësuar vendimin e Gjykatës Kushtetuese të Maqedonisë për pezullim të aktiviteteve politike për zgjedhjet e 5 qershorit, që ka çuar drejt thirrjes së seancës së Kuvendit të Maqedonisë.

Në deklaratën e përbashkët, dy zyrtarët e lartë të BE-së kanë theksuar se dialogu duhet të rivendoset për të mundësuar rikthimin e vendit në rrugën euro-atlantike dhe thellimin e reformave në sundimin e ligjit.

“Vendimi i Gjykatës Kushtetuese i hap rrugën Parlamentit që të rinisë punën duke pezulluar zgjedhjet e 5 qershorit, të cilat nuk kishin kushte për t’u mbajtur. Kjo është një mundësi e re për vendin që të adresojë një numër të çështjeve serioze, të ngritura me krizën e e zgjatur politike. Rruga përpara duhet të definohet nga të gjitha partitë politike së bashku, meqë vetëm një dialog i pjekur, gjithëpërfshirja dhe përkushtimi ndaj parimeve demokratike dhe për reformat e domosdoshme, si dhe zbatimi i tyre do ta kthejnë vendin në rrugën euro-atlantike".

"Të gjitha palët duhet të ruajnë dhe të respektojnë Marrëveshjen e Përzhinos (v.j. për zgjidhjen e krizës politike), për të cilën u pajtuan vitin e kaluar. Kjo kornizë mbetet mënyra më e mirë për ta nxjerrë vendin nga kriza aktuale. Duhet të vazhdojë puna për të përgatitur zgjedhje kredibile dhe njëkohësisht edhe në prioritetet urgjente të reformave, përmes një procesi gjithëpërfshirës".

"Palët gjithashtu duhet të adresojnë shqetësimet serioze të faljes së një numri zyrtarësh nga presidenti Ivanov. Faljet e 12 prillit duhet të tërhiqen pa asnjë shtyrje me qëllim të ruajtjes së parimeve të llogaridhënies, t’iu përgjigjen shqetësimeve serioze për mosndëshkueshmërinë dhe shmangin drejtësinë selektive. Është parim themelor demokratik që të gjithë qytetarët të jenë të barabartë përpara ligjit".

"Në të njëjtën vijë, të gjitha palët duhet të garantojnë mbështetjen e plotë për Zyrën e Prokurorit Special dhe të sigurojnë punën e tij të papenguar. Zyra e Prokurorit Special dhe puna e tij janë pjesë qëndrore të Marrëveshjes së Përzhinos".

"Të gjitha palët duhet të shmangin intervenimet që rrezikojnë të minojnë vite të përpjekjeve brenda vendit dhe të bashkësisë ndërkombëtare për të forcuar sundimin e ligjit. Ju bëjmë thirrje të gjitha palëve që të arrijnë marrëveshje të përbashkët që u shërben të gjithë qytetarëve. Qasjet që nuk respektojnë këso parimesh, nuk mund të mbështeten nga BE-ja dhe ajo nuk qëndron prapa tyre. Një opozitë dhe shoqëri civile e angazhuar luajnë rol jetik në formësimin dhe sigurimin e përkushtimit të qeverisë për reformat e nevojshme”, thuhet në deklaratën e përbashkët të Përfaqësueses së lartë të BE-së, Mogherini, dhe komisionarit Hahn. (REL)

XS
SM
MD
LG