Ndërlidhjet

logo-print

Qytetarët, por jo politikanët, duan t’i ndihmojnë refugjatët

  • RFE /RL

Refugjatë të bllokuar në kufirin Greqi-Maqedoni.

Refugjatë të bllokuar në kufirin Greqi-Maqedoni.

Pavarësisht asaj që mund të thonë qeveritë e tyre, qytetarët në gjithë botën janë jashtëzakonisht të hapur ndaj idesë për të ndihmuar refugjatët.

Kështu bëjnë të ditur rezultatet e një ankete të organizatës për të drejtat e njeriut Amnesty International, e cila ka bërë përpjekje të përcaktojë se sa janë të gatshëm njerëzit e zakonshëm të merren me krizën me refugjatë. Ata janë pyetur se a do të pranonin refugjatë në vendin e tyre, qytetin, lagjen apo shtëpinë.

Indeksi i Mirëpritjes së Refugjatëve, i publikuar të enjten, ka gjetur se 80 përqind e të anketuarve do t’i mirëprisnin refugjatët. Disponimi më i lartë për pranimin e tyre është në Spanjë dhe Gjermani, ndërsa më i ulët në Rusi.

Shprehja e gatishmërisë, në fakt, nuk është e barabartë me angazhimin. Por, anketa zbulon një kontrast të madh midis, siç thuhet, “reagimit të shpeshtë çnjerëzor” të qeverive ndaj krizës me refugjatë - duke thënë se nuk mund të pranojnë më refugjatë sepse qytetarët e tyre nuk i lejojnë - dhe opinionit të qytetarëve në lidhje me çështjen.

Anketa është realizuar në mesin e një krize të madhe me refugjatë, e cila, vitin e kaluar, ka parë mbi 1 milion njerëz të ikur nga Siria, Afganistani, Iraku dhe vende të tjera, të cilët kanë arritur në Evropë.

Anketa me 27,000 njerëz në 27 vende përmban rezultate që për disa mund të jenë befasuese.

Vendi më i populluar në botë, Kina, është në mesin e vendeve më mikpritëse për refugjatë. Gati gjysma e të anketuarve në këtë vend kanë thënë se do të pranonin refugjatë në shtëpitë e tyre. Vendin e dytë në këtë kategori e kanë zënë qytetarët e Britanisë së Madhe, me 29 përqind.

Qytetarët e Gjermanisë, e cila në këtë krizë ka strehuar numrin më të madh të refugjatëve, kanë mbetur të palëkundur në favor të ndihmës për ta. Më shumë se gjysma e gjermanëve të anketuar, 56 përqind, kanë thënë se do të pranonin refugjatë në lagjet e tyre. Megjithatë, vetëm dhjetë përqind e tyre do t’i mirëprisnin refugjatët në shtëpi.

Zëvendësdrejtori i organizatës Amnesty International për Fushata Globale, Marek Marczynski, ka thënë se numri tregon se autoritetet në shumë vende tregojnë shtrembër realitetin.

“Kur (v.j. politikanët) thonë se popullata nuk i do refugjatët, si mund ta dinë? Ne e dimë se ne i pyesim njerëzit. Tani është koha që politikanët të nisin dhe t’i pyesin njerëzit se çka mendojnë”, ka thënë Marczynski.

Rusia, me 61 përqind të të anketuarve që kanë thënë se do të refuzonin hyrjen e refugjatëve në vendin e tyre, ka qenë vendi më së paku mikpritës që është anketuar.

Denis Krivosheev, zëvendësdrejtor i Amnesty International për Evropën dhe Azinë Qendrore, ka thënë për Radion Evropa e Lirë se qëndrimi i Rusisë është “mjaft zhgënjyes, nëse jo tronditës”, por nuk është krejt befasues marrë parasysh nivelin e lartë të racizmit dhe të ksenofobisë në këtë vend.

Amnesty International ka publikuar anketën në prag të Samitit Humanitar Botëror që do të mbahet javën e ardhshme në Stamboll dhe u ka bërë thirrje pjesëmarrësve që të pranojnë një propozim të Kombeve të Bashkuara, i cili u kërkon shteteve të ndajnë përgjegjësitë në strehimin e refugjatëve.

Përgatiti: Valona Tela
XS
SM
MD
LG